Hoxhaj Takoi Kryediplomatin Slloven

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar në Slloveni, ku është pritur në një takim pune nga homologu i tij slloven, Samuel Žbogar, i cili së shpejti do ta marrë kryesimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në këtë takim, sipas një njoftimi të MPJ-së, është diskutuar “për marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, për proceset politike dhe shtetndërtuese të Republikës së Kosovës si dhe për agjendën evropiane të Kosovës”.

Me këtë rast, ministri kosovar e ka informuar Žbogarin për përgatitjet që është duke bërë Qeveria e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.

“Ministri Hoxhaj po ashtu ka kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të Sllovenisë për nënshkrimin e marrëdhënieve kontraktuale mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes tregtare me këtë institucion”, thuhet në një komunikatë shpërndarë mediave, pas takimit.

Ministri Hoxhaj thuhet se është siguruar nga Ministri Žbogar se Sllovenia edhe në të ardhmen do të ndihmojë Republikën e Kosovës me ekspertizë, në mënyrë që rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian të jetë më e shkurtër.

Më 21 dhjetor 2011, Bashkimi Evropian ka emëruar Ministrin aktual të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Žbogar, në krye të Zyrës së BE-së në Kosovë.