Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për 400 kg kokainë që dyshohet se erdhi nga Brazili në pako me mishin e pulës

Gjykimi ndaj Izet Sheqirit, Kadri Sheqirit, Faton Vrajollit, Kadri Brahimit dhe Fehmi Bytyçit për rastin e 400 kilogramëve kokainë që ishin gjetur në oborrin e kompanisë “MC Food” në hyrje të Lipjanit në vitin 2021, është shtyrë për shkak se ka munguar dëshmitarja Mimoza Haxha.
Në seancën e së enjtes më 20.06.2024 ishte paraparë që të vazhdohej me dëshminë e dëshmitares së propozuar nga Prokuroria. Dëshmitarja Mimoza Haxha, e cila në kompaninë “MC Food” kishte mbajtur pozitën e asistentes në Departamentin për Import ishte e caktuar që sot të vazhdonte dëshminë e saj në Gjykatë.

Kujtojmë se ajo e kishte filluar dëshminë në seancën e datës 27.03.2024.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli në fillim të seancës bëri të ditur se seanca e sotme ishte planifikuar të vazhdonte me administrimin e provave përkatësisht me vazhdimin e dëshmisë së dëshmitares Mimoza Haxha, mirëpo e njëjta mungon dhe i kishte njoftuar përmes emalit po ashtu i kishte thirrur edhe në telefon.

“Ashtu siç ju informova sot përmes telefonit, i kam disa probleme (shëndetësore) andaj ju informoj se nuk do mundem të paraqitem në seancë për 3-4 muaj, për më tepër bashkangjitur e gjeni edhe dokumentin e mjekut”- kishte thënë dëshmitarja Mimoza Haxha përmes emalit të cilin ja kishte dërguar gjykatës.

Para se trupi gjykues të përfundonte seancën mbrojtësi i të pandehurit Izet Sheqirit, avokati Besnik Berisha pati një kërkesë para trupit gjykues. Ai kërkoi sërish nga trupi gjykues që Izet Sheqirit t’i ndërrohet masa e paraburgimit.

“Është bërë traditë që masa e paraburgimit të jetë sukses i listuar në statistikat e organit të ndjekjes, sikurse kemi raste të panumërta që nga 5 vite paraburgim shteti u ka ofruar kompensim për shkak se ka pas huqje në hetim e në gjykim edhe pa shkak ligjor të akuzuarit janë mbajt në paraburgim”-  tha avokati Besnik Berisha gjatë seancës së sotme.

Po ashtu edhe avokatja e Faton Vrajollit, Nora Grajçevci, i mbështeti fjalët e avokatit Besnik Berisha dhe kërkoi të njëjtën gjë për të mbrojturin e saj një masë alternative më të butë, mirëpo trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli, me anëtarët Valbona Musliu- Selimaj dhe Valon Kurtaj, e refuzoi këtë propozim të mbrojtjes.

Të njëjtën kërkesë avokati Besnik Berisha e kishte bërë edhe në seancën e kaluar me datë 07.06.2024.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, dhe në brendi të pakove është vendosur substancë narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17.05.2021 në sasi prej 400 kilogramësh.

Aktakuza ndaj të akuzuarve është ngritur më 14.11.2022.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar pamje ekskluzive të aksionit të Policisë me rastin e sekuestrimit të kësaj sasie të drogës.