Vjosa Osmani - LDK

Gratë e Kosovës duan përgjigje, jo një ‘zonjë të hekurt’

Në zgjedhjet e Përgjithshme të 6 tetorit, e vetmja kandidate për Kryeministre është Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Me standardin e politikës kosovare, Osmani me të vërtetë mund të jetë kandidatja më e denjë për Kryeministre. Ajo nuk duhet krahasuar me “burrështetasit”, të përfolur për pasurim nga korrupsioni, dhe palaçot që deri më sot na kanë manipuluar, vjedhur dhe izoluar. Dhe i vetmi kundërkandidat dhe konkurrent i denjë i saj është Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. 

Si ish- votuese e Vjosa Osmanit, ka disa instanca nga mandatet e saj si deputete e Republikës së Kosovës që më kanë bërë të ndjehem e përfaqësuar dinjitetshëm dhe të mos pendohem për votën e besuar. Fjalimi i saj i mprehtë për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë në vitin 2013, ka qenë frymëzues dhe zë i domosdoshëm në atë seancë ku shumica e deputetëve gra e burra dëshmuan mungesë ndjeshmërie njerëzore dhe institucionale për një ndër kategoritë më të dëmtuara të luftës.

Ja dikush që dëgjon, kupton, dhe mund të na mbrojë. Kështu më kujtohet se u ndjeva duke e ndjekur përmes televizionit; më e mbrojtur si qytetare e këtij vendi dhe e përfaqësuar institucionalisht. Në fund të vitit 2014 ajo bëri rezistencë të qëndrueshme ndaj kryetarit të LDK-së kur ai vendosi të bëjë koalicion me PDK-në, dhe refuzoi që ta votojë për President Hashim Thaçin. Në mbrojtje të parimeve individuale politike, ajo nuk hezitoi ta shpreh autonominë profesionale.  

Në veçanti jam impresionuar me të në maj të vitit 2015 kur kandidoi për kryetare të LDK-së duke e sfiduar vet kreun e partisë. Një grua e re me ambicie politike as që e vuri në pikëpyetje se a e meriton atë post. Me atë betejë, Osmani lëkundi parimet e hierarkisë dhe sfidoi pushtetin mashkullor. Ajo qëndroi vet, kundër kryepatriarkut të partisë dhe strukturave tradicionale të saj. Edhe pse pa sukses, ky ishte një mesazh emancipues dhe bazë solide për të përkrahur Vjosa Osmanin. 

Por disa instanca të tilla nuk mjaftojnë që Vjosa Osmani të ketë “përkrahje të pa rezervë qytetare”, ashtu siç kërkoi kreu i LDK-së Isa Mustafa. Duke e gjykuar fushatën e saj parazgjedhore, ajo po e dëshmon që edhe pse e re në moshë, retorika e saj dallon fare pak nga ajo e pleqve të LDK-së. Si një djathtiste klasike, ajo po e manifeston të njëjtën qasje dhe qëndrime konservatore të politikanes/it mesatar kosovar dhe ballkanas. 

Edhe pse po thirret në “fuqinë e saj si grua”, apo siç e tha ajo “pikërisht pse jam grua guxoj”, Vjosa Osmani po e dëshmon që i mungon informacioni teorik dhe praktikat me të cilat sot luftohet për barazi gjinore dhe drejtësi sociale. Ajo flet me parimet e ‘esencializmit gjinor’, koncept ky që shpjegon rolet dhe politikat gjinore duke u nisur nga teoria tanimë e vjetëruar se ka një esencë biologjike dhe ‘natyrore’ që i bën gratë-“gra” dhe burrat-“burra”. 

Bashkëpartiaku i saj Lutfi Haziri deklaroi se “është burrni me u rreshtu pas një gruaje si Vjosa”. Pra aq burra të fortë ka LDK sa që nuk i frikësohen kandidimit të një gruaje. Qasje kjo patronizuese dhe shfrytëzuese në të njëjtën kohë në kohë zgjedhjeje. Por ky ton nuk duket se i pengoi Vjosa Osmanit. Krejt përkundrazi, ajo po duket se mjaftohet me konceptin e ‘përfaqësimit’, dhe bazohet në ‘meritokraci’ kur flet për atë përfaqësim. 

Këtë e ka bërë të qartë edhe më 2015 kur kandidoi për kryetare të LDK-së dhe u pyet nga gazetarët rreth fuqizimit të grave brenda partisë. Ajo deklaroi se fuqizimi i grave brenda partisë nuk do të ishte synim nën udhëheqjen e saj por gjithçka do të ketë bazë meritore pa dallim gjinie. 

Por tradita demokratike nuk e thotë këtë. Përkundrazi, parimet tradicionale demokratike janë drejtësia, diversiteti, liria, dhe solidariteti. Në kontekst gjinor nuk mund të flasim për barazi gjinore pa folur për drejtësi gjinore. Nuk mund të realizojmë intervenime efektive në adresimin e praktikave diskriminuese gjinore pa e njohur dhe pranuar faktin që gratë janë ato që janë diskriminuar në mënyrë strukturore dhe sistematike. 

Sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës të vitit 2019, vetëm 13.3 për qind e grave janë të punësuara në krahasim me 43 për qind të burrave. Por edhe ato që janë të punësuara përballen me barrën e dyfishtë të kujdesit ndaj shtëpisë, fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes. 

Në një postim në rrjete sociale ku shfaqej në një tubim përpara dhjetëra grave e vajzave, Osmani shkroi: “Sot në mesin e shumë grave e vajzave, për të marrë motiv dhe inspirim nga secila prej nesh, për rrugën të cilën e kemi nisur bashkë, në emër të të gjithë atyre zonjave, nënave e vajzave, anekënd vendit, të cilave u është realizuar një pjesë e ëndrrës së tyre, që gruaja kosovare ta udhëheqë shtetin më të ri të Evropës, Kosovën tonë.” 

Kjo arrogancë, me të cilën pretendon që grave të kësaj shoqërie u plotësohet një pjesë e ëndrrës duke e parë atë në krye të qeverisë, e dëshmon edhe më mirë se Vjosa Osmani nuk e ka idenë se për çka kanë nevojë gratë e kësaj shoqërie. 

Prandaj unë e marr lirinë të flas në emër të shumë grave me të cilat kam punuar, në emër të atyre që u kam dëgjuar rrëfimet e sfidat, në emër të grave në strehimore për mbrojtjen nga dhuna, gratë e papuna dhe ato të punësuara në biznese të ndryshme private me kushte të tmerrshme pune, nënave të reja dhe mungesës së qasjes në shërbime të mirëfillta shëndetësore, gratë e vrara nga burrat e tyre dhe neglizhenca institucionale, dhe lista është e gjatë. 

Çka këto gra kanë nevojë është jo vetëm të ju njihen sfidat me të cilat ato si gjysma e popullsisë përballen në bazë ditore, por për një program të qartë strategjik se si do të adresohen dhe luftohen ato. Për premtime konkrete se si do të vihen në zbatim të gjitha ligjet në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të grave, për ato aspekte ligjore dhe praktike që do të ndryshohen e plotësohen, dhe aspekte të tjera kyçe që do të mundësojnë që sfidat e grave të jenë një ndër prioritetet më emergjente nën qeverisjen e saj potenciale. 

Në një emision televiziv përballë analistëve ku ajo shpalosi programin e saj qeveritar, brenda një ore e gjysmë ajo asnjëherë nuk përmendi asnjë çështje që i afekton gratë kosovare. Është zhgënjyese dhe e çuditshme se si një politikane e re nuk i njeh pasojat fatale të mendësisë patriarkale në familje e institucione, me gjithë këtë dhunë pandemike ndaj grave, dhe shkelje drastike të të drejtave njerëzore të grupeve të ndryshme në Kosovë. Sot kushdo me qasje sado të vogël në informacion rreth perspektivës gjinore, barazisë dhe drejtësisë, është e vetëdijshme për kufizimet që pasojnë nga pikëpamje të tilla të verbëra gjinore, dhe kërkon shumë më shumë sesa figurën e një gruaje në karrige vendimmarrëse. 

Vjosa Osmani mund të jetë gruaja e vetme që garon për postin e kryeministres por ajo me këtë fushatë nuk po i përfaqëson gratë. Përveç ndonjë fjalimi aty këtu, ajo nuk ka qenë zëri i grave as në Kuvend përgjatë mandateve të saja parlamentare. Zëri i saj nuk dëgjohet përtej përfaqësimit të partisë. Përderisa në vitin 2014 ajo dha një shembull frymëzues kur ngriti zërin brenda vet partisë së saj, përmes kësaj fushate ajo po e dëshmon që nuk ka ecur përpara por i është përshtatur sistemit të vjetruar dhe patriarkal të kësaj klase politike. 

Në manifestin “Feminizmi për 99 përqindëshin”, autoret bëjnë thirrje kundër qasjes neoliberale feministe nga e cila nuk po përfitojnë gratë por vetëm një grup i privilegjuar i tyre. Ato na nxisin që të mos mjaftohemi me konceptin e “shembjes së tavanit të qelqit”, dhe të mos përkrahim ato politikane që me pikëpamje neoliberale nuk po përfaqësojnë nevojat e grupeve të ndryshme të grave, por thjeshtë po kërkojnë “mundësinë e barabartë me burra për të dominuar”.

Sot imazhi i “zonjës së hekurt” nuk është më relevant apo i nevojshëm. Sot e duam zërin dhe veprimet e cilitdo politikan/e që i reflekton nevojat njerëzore dhe qytetare të kësaj shoqërie. Prandaj, nëse pjesë e retorikës së fushatës do të jetë ‘fuqia e gruas’ dhe përfitimet që do t’i kemi nga përzgjedhja e një gruaja në një post kaq të rëndësishëm vendimmarrës, debati duhet të jetë më i gjerë, më i komplikuar, dhe llogaridhënës. 

Dhe kjo sepse nga ndërlidhja e gjinisë dhe politikës si koncept më vete u shpëtohet jeta grave, u lehtësohet përditshmëria, dhe u mundësohet që të shfrytëzojnë potencialin e tyre që momentalisht u mohohet. Dhe asnjëri kandidat apo kandidate që nuk e njeh dhe nuk e trajton seriozisht kompleksitetin e kësaj dinamike, nuk meriton as të flasë për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave.

Shqipe Gjocaj është aktiviste për të drejtat e grave dhe autore e rregullt në Prishtina Insight. Ajo shkruan kryesisht për çështje dhe politika gjinore.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA.