Gjykatës së Pejës i Hyn Uji

Grumbujt e borës, të lartë sa një bojë njeriu, shihen që në hyrje të ndërtesës së Gjykatës në Pejë. Por pasojat janë më të mëdha brenda objektit.

Në të njëjtin objekt ku ndodhet Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në Pejë, gjatë tërë ditës ka rrjedhur ujë nga çatia. Të ndodhur në këtë situatë, gjyqtarët e kanë pasur të vështirë të mbajnë gjykime. Uji ka shkaktuar dëmtim të pllakave të gjipsit, aparateve të klimës dhe dyshemesë.

Para më pak se dy vitesh, objekti i gjykatave i është nënshtruar një renovimi gjeneral. Është rinovuar nga brenda dhe nga jashtë.

Quhet gjykatë model, sipas programit të financuar nga USAID-i, për rregullimin e gjykatave nëpër Kosovë. Por, këto ditë, bora ia ka humbur këtë epitet.

Në fund të vitin 2009, edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka vazhduar investimet në këtë gjykatë.

Me mjetet e ndara nga ky institucion, gjykatës i është rregulluar çatia dhe është fasaduar objekti.

“Renovimi është bërë në projektin ekzistues të gjykatës. Nuk është vënë çati e re. Ndërsa, problemi që paraqitet sot është pasojë e bllokimit të ullukëve nga akulli, ku është akumuluar uji dhe nga aty ka depërtuar në brendi”, ka deklaruar Sami Haziri, inxhinier në KGJK, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, zgjidhje e problemit do të ishte vendosja e një sistemi elektrik, i cili do vendosej në ollukë dhe do ta bënte shkrirjen e akullit.

Burime të Gazetës Jeta në Kosovë, pohojnë së projekti i rregullimit të çatisë dhe fasadimi KGJK-së i kanë kushtuar 41 900 euro. Ndërsa punëkryes ka qenë kompania “Le Pont” nga Peja.

Punëkryesi Qerim Lajqi deklaron se nuk është i informuar me këtë problem. Ai shton se një vit pas renovimit e ka pasur të kontraktuar që të kujdeset në mirëmbajtjen e objektit. Pas kësaj kohe, ai nuk jep përgjegjësi.

“USAID-i ka rregulluar objektin e gjykatës në brendësi. Ka rregulluar zyrat e gjyqtarëve, sallat e gjykimeve, pjesën e administratës etj, ndërsa KGJK-ja ka financuar rregullimin e çatisë. Sot po vërehet qartë ndërtimi i dobët që i është bërë. Do të shikohet mundësia që me mjetet e gjykatës të bëhet sanimi i gjendjes së tanishme në mënyrë që mos të pengohet puna e gjykatës”, ka deklaruar kryetari i Gjykatës së Qarkut në Pejë, Salih Mekaj.

Edhe administratori i Gjykatës së Qarkut, Muhamet Asanaj, bën përgjegjëse KGJK-në për këtë që po ndodh. “Ata mund të japin përgjigjen e saktë sepse ata e kanë rinovuar çatinë”.

Opinion të ngjashëm për këtë gjendje që ka ndodhur në këto ditë në gjykatë kishin shumica e gjyqtarëve dhe punëtorëve, me të cilët bisedoi Gazeta JnK. Sipas tyre, këtu vërehen qartë parregullsitë e përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin e çatisë dhe joserioziteti i punëkryesit.