Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

Fëmijët e rikthyer nga Siria po vazhdojnë mësimin njësoj si fëmijët e tjerë

74 fëmijë janë rikthyer nga vatrat e luftës nga Siria e Iraku për në Kosovë, prillin e vitit të kaluar.

Në një realitet krejt ndryshe nga ajo që ishin mësuar të shihnin, fëmijët e rikthyer ani pse me disa sfida, arritën të regjistroheshin në shkolla dhe të fillonin mësimin.

Ministria e Punëve të Brendshme ishte përkujdesur që fëmijët që do të fillonin mësimin në nivele të ndryshme, të regjistroheshin në shkolla, ani pse ata që nga ardhja nuk posedonin asnjë lloj dokumenti.

Sfidat në ri-socializim, integrim në shoqëri i pati shfaqur në njërin nga emisionet që ishte transmetuar në Drejtësia në Kosovë edhe njëri nga mësuesit e fëmijëve të rikthyer.

Aktivitetet, shkollat, mësimi u mbyllën në mars të këtij viti për të gjithë nxënësit njësoj edhe për ata që ishin rikthyer nga zonat e luftës.

KALLXO.com kishte raportuar se për shkak të masave të vendosura nga ana e institucioneve shëndetësore dhe Qeverisë së Kosovës, aktivitetet të cilat ishin menduar të ndikonin në socializim dhe integrim të fëmijëve të rikthyer nga zonat e luftës në Kosovës, ishin ndaluar.

Me lehtësimin e masave edhe aktivitetet u rikthyen.

“Aktivitetet kanë filluar pas lirimit të masave nga Qeveria dhe dhënies së lejes nga prindërit e tyre. Aktiviteti i parë fizik është zhvilluar për fëmijët e Komunës së Prishtinës të ndarë në grupe të vogla (6 fëmijë në një grup)me dt. 13.06.2020 ne ambiente të hapura  për të mundësuar respektimin e udhëzimeve nga IKSHP (maska, dorëza dhe distancë sociale) dhe i njëjti do të vazhdojë edhe për fëmijët e komunave tjera. Gjithashtu kursi i rrobaqepësisë për gratë e riatdhesuara ka vazhduar me datat 11 Qershor 2020”, kishin thënë zyrtarë të MPB-së në disa përgjigje për KALLXO.com në qershor të këtij viti.

Më 14 shtator ka filluar edhe mësimi në shkolla në mënyrë fizike.

Edhe fëmijët e rikthyer nga Siria e Iraku kanë filluar që të shkojnë në shkollë së bashku me nxënësit e tjerë.

Këtë e ka thënë për KALLXO.com edhe Udhëheqësja e Divizionit për Parandalim dhe Riintegrim të personave të radikalizuar e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Gjithçka është duke ecur shumë mirë, deri më tani nuk kemi pasur ndonjë ankesë për ta”, tha Ganimete Gërbovci për KALLXO.com.

Gërbovci shtoi se mësimin janë duke e ndjekur 37 fëmijë nga gjithsej 74 sa janë rikthyer në Kosovë.

“Deri tani kemi 37 fëmijë të riatdhesuar që janë duke e ndjekur mësimin, disa janë të rregulltë që tani janë në klasën e dytë. Fëmijët që tani janë regjistruar në klasë të parë dhe fëmijët që ndjekin shkollimin me program të përshpejtuar”, shtoi ajo.

KALLXO.com kishte raportuar vitin e kaluar se në një nga shkollat e Prishtinës, mësojnë së bashku 7 fëmijë të rikthyer nga moshat, 9 deri në 14 vite.

Këta nxënës mësonin fillimisht duke u bazuar në mangësitë e tyre në disa lëndë, si gjuhë shqipe e matematikë.

“Duke pasur parasysh se ka prej tyre që kanë edhe trauma, paraprakisht duhet ti lirojmë që të shoqërohemi e më pas të zhvillojmë mësime.  Një orë mësimore zhvillohet duke pasur parasysh mangësitë e tyre, duke filluar së pari në gjuhë, matematike, shkrim, lëndë bazë për arsye se ata kanë kaluar prej një gjuhe komplet ndryshe se që e flasin tash. Vazhdojmë duke e parë se si do të jetë ardhmen do të vazhdojmë edhe me lëndë të tjera”, kishte rrëfyer për KALLXO.com, mësuesi i nxënësve.

Ganimete Gërbovci tregon edhe se vendimi për mbajtjen e mësimit për të gjithë nxënësit është njësoj.

“Po sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pra që një javë të jenë fizikisht në shkollë dhe një javë të ndjekin mësimet online, ky vendin është edhe për fëmijët e ri-atdhesuar”, tha tutje ajo.

Sipas Gërbovcit, çështja e regjistrimit në çerdhe për fëmijët e rikthyer është rregulluar nga ana e drejtorive komunale.

“Fëmijët janë regjistruar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me kërkesë të nënave të tyre ata janë regjistruar në kopshte shtetërore”, vazhdoi Gërbovci.

Tutje ajo tregon edhe për pajisjen me mjete shkollore për fëmijët e rikthyer.

“Çanta, libra dhe pajisje shkollore (didaktike) për fëmijët i kemi pajisur. Edhe në fillim të pandemisë i kemi pajisur fëmijët me tableta, të cilat në Komunën e Prishtinës janë siguruar nga ana e Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Kabineti i Kryetarit, ndërsa për fëmijët e qyteteve të tjera tabletët janë siguruar nga partneri ynë CDF, e të cilat këto pajisje u kanë mundësuar të vazhdojnë mësimin online”, tha ajo.

Udhëheqësja e Divizionit për personat e ri-integruar thotë se deri më tani kanë zhvilluar 13 aktivitete për fëmijët e rikthyer nga Siria e Iraku.

“Me lirimin e masave nga ana e Qeverisë, ne kemi vazhduar mbajtjen e aktiviteteve fizikisht për fëmijët, në grupe të vogla në mënyrë që të respektohen masat anti-COVID-19. Deri më tani kemi zhvilluar 13 aktivitete me fëmijët e rikthyer”, vazhdon tutje të tregoj Gërbovci.

Lirimi i masave rikthen aktivitetet për të rikthyerit nga luftërat e huaja

Gërbovci dha edhe detaje të aktiviteteve që janë mbajtur.

“Aktivitetet që janë zhvilluar janë, drama si terapi, terapia përmes artit, punime dore prej letre e të tjera. Të gjitha aktivitetet janë pranuar shumë mirë nga fëmijët dhe të gjithë i janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje dhe kemi pranuar një vlerësim të mirë nga nënat e tyre”, tregon ajo.

Udhëheqësja e Divizionit për të rikthyerit tregon se aktivitetet për fëmijët e rikthyer do të vazhdojnë edhe më tutje.

“Ne në vazhdimësi sigurohemi që fëmijët janë duke ndjekur mësimin dhe të mos kenë telashe gjatë zhvillimit të procesit mësimor dhe gjithashtu mundohemi që përmes aktiviteteve shtesë t’u ofrojnë atyre informata të bollshme për jetën reale në Kosovë. Ne do të vazhdojmë me këtë ritën dhe ndihmë të OJQ-ve vendore për të realizuar aktivitetet tona në të ardhmen”, përfundoi Gërbovci.

Fillojnë aktivitetet më fëmijët e rikthyer nga luftërat e huaja

Një natë prilli të vitit të kaluar, një aeroplan privat solli në Kosovë, 110 kosovarë të cilat u ri-kthyen nga zonat e luftës.

Që nga ajo kohë, KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për sfidat e të rikthyerve në jetesën në Kosovë dhe ri-atdhesimin e tyre në atdhe.

Nga 110 persona, katër ishin burra, 32 gra dhe 74 fëmijë. Nëntë nga 74 fëmijët u rikthyer pa asnjërin prind ndërsa ju dorëzuan familjarëve të vajzave e djemve të vrarë në luftërat e huaja.

Sfida e integrimit në arsim për fëmijët e rikthyer nga Siria