Sfida e integrimit në arsim për fëmijët e rikthyer nga Siria

74 fëmijë janë ri-atdhesuar në Kosovë nga luftërat e huaja në mes të prillit të këtij viti.

Nëntë nga ta janë fëmijë të cilët nuk kanë asnjërin prind ndërsa fëmijët e tjerë janë rikthyer me nënat e tyre.

Të gjithë këta fëmijë për vite të tëra kishin qenë në luftëra të huaja dhe u kishte munguar arsimimi.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli në një emision për Drejtësia në Kosovë kishte treguar për gjenden e të rikthyerve.

Sipas Makollit, gjendja e të rikthyerve duke përfshirë edhe fëmijë ka qenë e rëndë për shkak të kushteve të vështira higjienike, të pa ushqyer.

Ai kishte thënë edhe se ishin organizuar plane të veçanta për trajtimin e fëmijëve.

“Vlen të theksohet se psikologët e ekipet profesionale i kanë trajtuar fëmijët dhe kanë organizuar programe të veçanta për ta deri sa kanë qenë në Qendrën e Azilit”, tha Makolli.

https://kallxo.com/video-si-eshte-gjendja-e-femijeve-te-rikthyer-nga-siria/

Drejtësia në Kosovë pas rikthimit të grave fëmijëve kishte takuar disa prej tyre, ku nënat ishin shprehur se ishin munduar që ti mësonin të flisnin shqip ndërsa shtonin se u ka munguar arsimimi cilësor.

Emisione të shumta të “Drejtësia në Kosovë” kishin dalë me rezultate se institucionet komunale nuk kishin plane të strukturuara dhe të veçanta për të rikthyerit nga luftërat e huaja.

Ministria e Punëve të Brendshme i ka thënë Gazeta Jeta në Kosovë në disa përgjigje se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është duke punuar për regjistrimin e fëmijëve të cilët kanë nevoje për arsimim e të cilët janë të ri-atdhesuar nga luftërat e huaja.

“Gjate kësaj periudhe është duke u punuar në regjistrimin e tyre në regjistrin e gjendjes civile si dhe përgatitjen për futjen e tyre në procesin e shkollimit me fillimin e vitit të ri shkollorë. Ky proces udhëhiqet nga MASHT-i me fokus te veçantë fëmijët”, thuhet në përgjigjen e MPB-së drejtuar Gazetës JNK.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e MASHT-it për plan programin e fëmijëve të rikthyer dhe futjen e tyre në shkolla në bazë të niveleve që u takojnë.

Në disa përgjigje drejtuar Gazetës JNK, MASHT-i ka thënë se është duke u marrë me këtë çështje dhe për këtë janë duke bashkëpunuar edhe me institucionet përkatëse.

“Në bazë të të dhënave qe i kemi marre nga Ministria e Punëve te Brendshme të kthyer në Kosovë janë 74 fëmijë prej tyre 26 të moshës parashkollorë. Pjesa më e madhe e fëmijëve do te integrohen ne arsim përmes formës se arsimit te përshpejtuar”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Tuje në përgjigjet e MASHT-it thuhet se janë identifikuar nevojat e fëmijëve të rikthyer.

Sipas përgjigjeve të MASHT-it ende nuk është zhvilluar një takim mes tyre dhe Drejtorive të Arsimit nëpër Komuna në mënyrë që të harmonizohen veprimet për fëmijët e rikthyer.

“Sigurisht që kemi identifikuar edhe nevojat e tyre dhe ditëve në vazhdim do të kemi edhe një takim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, në mënyrë që të harmonizojmë veprimet sepse këtë e parasheh edhe Udhëzimi Administrativ ‘Përcaktimi i kritereve dhe procedurave për organizimin e  mësimit plotësues për nxënësit e riatdhesuar“, thuhet tutje në përgjigjet e MASHT-it drejtuar Gazetës “Jeta në Kosovë”.

MASHT-i madje ka treguar edhe se çfarë do të ndodhë me fëmijët e rikthyer për të cilët mosha e tyre është më e madhe se 10 vjet por që të njëjtit nuk janë arsimuar fare pasi që kanë qenë në zonat e luftës.

“MASHT-i  mbështetur në Ligjin për arsimin paraunivesitar dhe udhëzimin administrativ  Nr.12/2014 përjashtimet në moshe me rastin e regjistrimit në arsimin dhe aftësimin për të rritur, ofron mundësi  integrimi dhe kthimi ne sistemin arsimor edhe për qytetaret  qe mosha e tyre nuk korrespondon me moshën për të ndjekur arsimin e rregullt”, ka thënë MASHT për JNK.

Gjithashtu do të ketë edhe mësim të obliguar për fëmijët e moshës madhore.

“MASHT në bashkëpunim me Komuna për këta qytetarë ofron  mundësi për vazhdimin e mësimit përmes mësimit kompenzativ (arsimi i obliguar  për persona të moshës madhore) formë kjo e cila do ju mundëson të kthyerve  përfundimin e  arsimit të obliguar pavarësisht moshës”, ka thënë në fund MASHT-i për JNK.

Gazeta “Jeta në Kosovë” ditë më parë publikoi edhe një artikull për jetesën e grave dhe fëmijëve të rikthyer nga luftërat e huaja.

Avokatja Blerta Shyqeriu, e cila mbron njërën nga gratë e rikthyera i kishte thënë Gazetës se klientja e saj ka pesë fëmijë të cilët kanë nevojë për arsimim.

“Klientja ime ka pesë fëmijë por një fëmijë e ka 14 vjeçare janë do mosha të cilat ju ka ikur një tempo më i madh dhe tani deri sa të vendoset në çfarë klase me shku ende nuk është vendosur”, tha ajo.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli, në një intervistë për KALLXO.com kishte treguar se çfarë do të bëhej me fëmijët të cilët kanë arritur moshë deri në 12-13 vjet dhe të cilëve u nevojitet të mësojnë shkrim-lexim shqip.

“Unë e përmenda, që në kuadër të Divizionit për Parandalimit dhe Ri-integrimit është draftuar plani për ri-integrim dhe rehabilitim, janë përshirë të gjitha institucionet që kanë rol në këtë proces duke përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit. Besoj se të gjitha institucionet do të në nivel të detyrës dhe përgjegjësive që i kanë dhe do të jenë përkrahës ndaj divizionit për të arritur për të dizajnuar edhe programet për trajtimin e këtyre çështjeve. Nga informatat e para që janë deri më tani të gjithë fëmijët flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe, mbetet që ekspertët të të dizajnojnë nën programet e caktuara për kategori të caktuara në varësi të moshës që kanë, në qëllim që ata të futen në sistem si të gjithë të tjerët”, kishte thënë Makolli për Drejtësia në Kosovë.

Gazeta JNK ka kërkuar edhe nga ana e disa Drejtorive të Arsimit në disa komuna të dijë nëse kanë arritur që të paktën të identifikojnë fëmijët që kanë nevojë për arsimin.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Kaçanikut i ka thënë Gazetës “Jeta në Kosovë” se nuk kanë asnjë fëmijë të rikthyer nga Siria.

Njëjtë është përgjigjur edhe ai i Hanit të Elezit, Menduh Vlashi.

Komuna e Gjilanit nuk ka kthyer përgjigje nëse kanë ose jo fëmijë të rikthyer që kanë nevojë të arsimohen.

Në anë tjetër, Drejtësia në Kosovë kishte takuar disa nga gratë e fëmijët e rikthyer.

Si po jetojnë gratë dhe fëmijët e rikthyer nga Siria