Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

Lirimi i masave rikthen aktivitetet për të rikthyerit nga luftërat e huaja

Fëmijët e rikthyer nga zonat e luftës si Siria e Iraku tash e një kohë nuk kanë arritur të jenë pjesë e aktiviteteve për ri-socializmi për shkak të pandemisë COVID-19.

Këto aktivitete që qëllim kanë risocializimin e fëmijëve të kthyer nga luftërat e huaja sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë filluar të mbahen këtë muaj, pas lirimit të masave kundër coronavirusit.

Që nga 13 marsi i këtij viti Kosova është përballur me pandeminë COVID-19 ndërsa deri më sot, të regjistruar si të infektuar nga ky virus arrijnë shifrën mbi 2 mijë e 600 persona.

Për shkak të mos përhapjes së kësaj pandemie, ishin marrë vendime të shumta, si mbyllja e kafetervie, anulimi i aktiviteteve të ndryshme, tubimeve, ahengjeve, si dhe ishte rekomanduar që institucionet të punon me staf të reduktuar në objektet e punës.

Një mori aktivitetesh të parapara për fëmijët e rikthyer nga luftërat e huaja ishin anuluar për shkak të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në prill të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me anulimin e aktiviteteve dhe rikthimin e tyre pas përfundimit të pandemisë.

Në disa përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar se me lehtësimin e masave kundër COVID-19 kanë rifilluar edhe disa aktivitete për fëmijët e rikthyer nga zonat e luftës vitin e kaluar.

Madje MPB thotë se aktiviteti i mbajtur këtë muaj, ka qenë me udhëzimet e dhëna dhe përdorimin e mjeteve mbrojtëse për përhapjen e pandemisë.

“Aktivitetet kanë filluar pas lirimit të masave nga Qeveria dhe dhënies së lejes nga prindërit e tyre. Aktiviteti i parë fizik është zhvilluar për fëmijët e Komunës së Prishtinës të ndarë në grupe të vogla (6 fëmijë në një grup)me dt. 13.06.2020 ne ambiente të hapura  për të mundësuar respektimin e udhëzimeve nga IKSHP (maska, dorëza dhe distancë sociale) dhe i njëjti do të vazhdojë edhe për fëmijët e komunave tjera. Gjithashtu kursi i rrobaqepësisë për gratë e riatdhesuara ka vazhduar me datat 11 Qershor 2020”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Në anën tjetër, ndër vendimet e para të ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme pas raportimit të rastit të parë me COVID-19 në Kosovë, ishte edhe mbyllja e shkollave dhe aplikimi i mësimit online pra në distancë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se edhe fëmijët e rikthyer nga zonat e luftës kanë marrë pjesë në këto mësime online.

“Në kontakt me mësuesit dhe sipas prindërve të tyre fëmijët janë të rregullt në mësimin online”, thuhet tutje në përgjigje.

Për të u mundësuar që fëmijët të mos mbesin larg aktiviteteve dhe larg mësimit për shkak të situatës së pandemisë, MPB thotë se fëmijëve të rikthyer u janë siguruar pajisje elektronike.

“Drejtoria e Arsimit dhe Kabineti i Kryetarit për të gjithë fëmijët e riatdhesuar të Komunës së Prishtinës ka siguruar pajisje elektronike që të ju mundësohet ndjekja e mësimeve online dhe për fëmijët e Komunave tjera janë siguruar pajisjet elektronike( tabletë) përmes projektit BRICK të CDF/GCERF”, ka thënë MPB për KALLXO.com.

MPB thotë se nuk kanë bërë ndonjë ndryshim në aktivitete por do të vazhdojnë me ato që kanë mbetur në gjysmë.

“ Jemi duke vazhduar aktivitetet e ndërprera me herët si: Drama si Terapi, Shërimi përmes Arteve, Procesi i Dramës dhe Punë dore prej letre deri më tani”, thotë MPB në disa përgjigje drejtuar KALLXO.com.

Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së aktiviteteve në formën online, MPB thotë se nuk ka pasur të tilla por se fëmijët e rikthyer kanë pasur mundësi që online të zhvillojnë seanca psiko-edukuese.

“Jo, janë zhvilluar seanca psiko-edukim gjatë kohës se pandemisë dhe pas lirimit të masave  bazuar në kërkesat e të riatdhesuarve për ndihmë me pako ushqimore kemi bërë edhe vizitat në secilën familje”, thotë MPB.

Në lidhje me aktivitetet për të rikthyerit nga zonat e luftës, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Shpat Balaj, hulumtues i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Balaj thotë se aktivitetet e ndryshme të cilat kanë qëllimin e risocializimit të fëmijëve të rikthyer nga zonat e luftës kanë impakt pozitiv tek ata

“Duke u bazuar në eksperiencën e QKSS në këtë drejtim, në asnjë moment nuk janë vërejtur shenja që aktivitetet tona nuk janë të pëlqyeshme nga fëmijët. Ata të gjithë kanë marrë pjesë me entuziazëm në këto aktivitete dhe jam i bindur që e njëjta qasje është edhe në aktivitetet tjera ku QKSS nuk merr pjesë. Është vërejtur që fëmijët kanë interesim të lartë për aktivitetet e ndryshme dhe çdo herë janë kyçur lehtë në konceptet e aktiviteteve tona të cilat fokusohen në zhvillim të mendimit kritik, punë-dore, art, sport etj. Përmes këtyre aktiviteteve, përveç zhvillimit të aftësive të ndryshme varësisht nga natyra e aktivitetit, sipas observimeve tona u pa që aktivitetet po ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në rritjen e sensit bashkëpunues te fëmijët, rritjen e kreativitetit të tyre dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Për më tepër, në shumë prej aktiviteteve është vërejtur që fëmijët janë interesuar paraprakisht për natyrën e aktivitetit, gjë që tregon se këto aktivitete po ndikojnë edhe në rritjen e aftësive studiuese dhe zhvillimin e mendimit kritik të tyre”, thotë Balaj për KALLXO.com

Tutje ai shton se aktivitetet duhet të vazhdojnë duke u bazuar në situatën aktuale të pandemisë COVID-19.

“Për këtë, besoj që Divizioni për Ri-integrim pranë MPB duhet të përgatitë udhëzues specifik për aktivitetet me të kthyer dhe njëkohësisht të ngrisë vetëdijen te ata për fenomene si pandemia. Kështu, do të sigurohej që aktivitetet vazhdojnë dhe plotësojnë kushtet për tu mbrojtur nga sëmundjet ngjitëse dhe njëkohësisht fëmijët do të kishin njohuri të shtuara për fenomene të tilla”, shton tutje Balaj.

Balaj shton se aktivitetet janë gjithëpërfshirëse ndërsa duhet vetëm të kenë qëndrueshmëri në mënyrë që të mos mbeten fëmijët e rikthyer mbrapa.

“Sa i përket orientimit të aktiviteteve nuk mendoj që duhet të ketë ndryshime pasi që vec se janë gjithëpërfshirëse dhe të orientuara në bazë të nevojave reale të fëmijëve dhe të kthyerve në përgjithësi. Megjithatë, duhet të sigurohet që këto aktivitete kanë konsistencë dhe qëndrueshmëri pavarësisht zhvillimeve të ndryshme, në mënyrë që mos të bëhen hapa mbrapa”, tha ai.

Republika e Kosovës, në fund të prillit të vitit të kaluar (2019) ka riatdhesuar 110 persona nga zonat e luftës si Siria e Iraku.

Ky riatdhesim konsiderohet si numri më i madh i rikthimit të personave që ishin bashkangjitur me dashje apo jo organizatave terroriste dhe vatrave të luftës.

74 fëmijë, 32 gra dhe 4 burra ishin mbajtur fillimisht në Qendrën e Azilit e cila gjendet në Vranidoll e më pas ishin dërguar në shtëpitë e tyre pas ekzaminimeve mjekësore e kontrolleve të cilat i kishin kryer.

Katër burrat e rikthyer ishin dërguar në qendra të paraburgimit, gratë edhe sot po përballen me sistemin e drejtësisë për veprimet e tyre dhe shkuarjen në Siri e Irak ndërsa fëmijët u bënë pjesë e aktiviteteve të cilat u përgatitën nga ana e institucioneve të Kosovës për ri-integrim dhe ri-socializim.

Në disa shkrime të gjata e raportime të KALLXO.com e Gazetës Jeta në Kosovë, ishin treguar sfidat e jetesës, të arsimit dhe ri-integrimit të të rikthyerve nga Siria e Iraku.

Një numër i fëmijëve të rikthyer në Kosovë nga zonat e luftës, u përballën me një botë të re pas rikthimit pasi që të njëjtit kishin lindur në këto zona dhe aktivitetet me lodra, vizatime, kalërime ishin të panjohura për ta.

Fëmijët e rikthyer nga Siria takohen me realitetin kosovar

Në lidhje me arsimimin e fëmijëve të rikthyer nga zonat e luftës, nga gjithsej 74, dhjetë nga ta i takonin nivelit të kopshteve, pesë të nivelit parashkollor, 25 të nivelit fillor dhe 34 të nivelit të mesëm dhe të lartë të arsimimit.

Sfida e integrimit në arsim për fëmijët e rikthyer nga Siria