Faktet kushtojnë, opinionet janë falas, diagnoza e dyshimtë

Këtyre ditëve po ngjet një fenomen interesant në gjithë botën, por për nevoja ta këtij shkrimi do të ndalemi në dy vende specifike – në Kosovë dhe në SHBA.

Në Kosovë ditëve të fundit është shpërndarë me shpejtësi shumë të madhe një “recetë” kundër koronavirusit. Një listë e substancave, kryesisht të padëmshme dhe me përdorim të përditshëm, si limoni, vitamina C, vitamina E, ushqimi i nxehtë, ushqimi me vezë dhe një sërë “veprimesh terapeutike” si qëndrimi në diell në orët e mëngjesit, 7-8 orë gjumë në ditë dhe eventualisht konsumimi i hudhrave dhe avokadove, del se e “dërrmojnë” koronavirusin.

Kuptohet, kjo “recetë” vlen për të gjithë ata që “besojnë” që ka virus dhe që qindra njerëzit që kanë vdekur në Kosovë, kanë qenë të infektuar me këtë virus.

Për ata që nuk besojnë në virus, aty është Labinot Tahiri – Labi, pastaj ata afër tij që reagojnë me “bravo Lab” pas deklarimit që “s’ka virus”, dhe të gjithë Labat dhe “bravo Labat” tjerë.

Përderisa në Kosovë për shpërndajmë receta me telefon, John Oliver, në episodin e tij më të ri, merret me teoritë konspirative dhe me koronavirusin. Për nja 20 minuta, Oliver, në një video klip të shkëlqyeshëm, çfarë zaten janë edhe shumica e gjërave që realizohen nga ekipi i tij, flet për prejardhjen e disa teorive konspirative, për lehtësinë me të cilën njerëzit u besojnë atyre teorive dhe për Donald Trumpin, Presidentin e SHBA-së, si një nga “zëdhënësit” e këtyre teorive.

Faktet vs opinionet

Në gazetari shumë shpejt e mëson postulatin që “opinionet janë falas, kurse faktet kushtojnë”. Për të mbërri deri tek një fakt, duhet hulumtim e vërtetim dhe kjo kushton, kohë dhe para.

Një opinion ndërkaq lëre që nuk kushton asgjë, por as që ka obligim të jetë shkencërisht i saktë, ose ligjërisht i drejtë, shpesh mund të jetë edhe e pavërtetë shkencore, edhe dezinformatë joligjore.

Për të publikuar një informatë të faktuar duhet që gazetari ta vërtetojë burimin, më pas ta vërtetoje informatën, mundësisht në vend të ngjarjes, më pas personat e përfshirë dhe personat mbikëqyrës. Kur të përfundojë puna e gazetarit, fillon ajo e redaktorit, i cili përveç elementeve gazetareske do të duhej të vërtetonte edhe ato logjike dhe ligjore. Nëse prapë ka diçka që nuk shkon, “dora e tretë” është vërtetuesi i fakteve. Ky është filtri ku rishikohen burimet dhe gjenden referencat nga të dhënat zyrtare, dokumentat publike dhe arkivi, në mënyrë që të sigurohet redaksia dhe informata është e “mbuluar”.

Në Kosovë, gati askush (ata që bëjnë përjashtime, veçse e vërtetojnë pohimin), nuk i kalon të gjitha shkrimet nëpër këta tre filtra.

Por, edhe më shqetësuese është se shumica e informatave që janë konsumuar për koronavirus, nuk kanë kaluar as dy filtrat e parë.

Kumtesa për “testime selektive”, deklarime të familjarëve të pacientëve, deklarime se familja i merr 3,000 Euro për secilin të vdekur me COVID-19 etj, janë botuar pa u filtruar, pa u shikuar nëse bazohen në fakte, ose nëse “ka diçka” aty.

Pse i besojmë konspiracioneve?

Varësisht nga ajo çka keni dëshirë të besoni dhe kah ju anon fantazia për koronavirus mund të lexonit se në Kinë e ka dërguar ushtria amerikane vitin e kaluar, ose që e ka dërguar shërbimi sekret britanik, ose që është prodhuar në laborator dhe ka dalë nga kontrolli, kur një pangolin është nxjerrë fshehtas nga laboratori, ose që e kanë prodhuar kompanitë e sigurimit për ta “pastruar” planetin nga pleqtë, ose kompanitë farmaceutike, ose që pjesë e një lufte biologjike, ose ose, dhe kjo është më e mira, përhapet nëpërmjet valëve 5G dhe nuk bën assesi të lejojmë instalimin e kësaj teknologjie.

Së këndejmi shtrohet pyetja, pse i besojmë konspiracioneve dhe rreth kësaj ka nja dy shpjegime.

I pari quhet “animi kah proporcioni” (proportional bias) – kjo i bie që njerëzit e kanë më lehtë të besojnë se një ngjarje shumë e madhe, që prekë jetën e miliona njerëzve, nuk mund të jetë e rastësishme, por në proporcion, ka më shumë gjasa që të jetë e “aranzhuar” ose fabrikuar ose ashtu diçka. Në momentin që anojmë  kah proporcioni, atëherë s’kemi nevojë për fakte dhe dëshmi, por për tregime interesante.

I dyti faktor është sindromi Dunning Kruger – shpjegimi më i shkurtër për këtë sindrom është se “vetëbesimi dhe kompetenca janë në përpjesëtim të zhdrejtë”. Pra, sa më pak që dikush ka njohuri shkencore për një temë, sa më pak e njeh atë temë, aq më pak ka dilema për atë temë dhe me aq më shumë vetëbesim flet për të.

Tek ky sindromi i dytë, besoj, pajtohemi se në Kosovë gjejmë shembuj sa të duash të figurave publike që kanë bërë analiza në media për koronavirus, pa pasur lidhje me mjekësi e virologji, kapacitetet e laboratorëve mikrobiologjike të vendit, testet PCR e testet serologjike, modelin italian e modelin suedez dhe një sërë çështjesh tjera që ndikojnë në jetën tonë, varësisht se nga e marrim informatën.

Çdokush mund të vërtetojë fakte

Vërtetimi i fakteve, apo fact-checking, është proces që mësohet nga institute të veçanta dhe përdoret nga mediat prestigjioze në botë.

Nëse themi që javën e kaluar, Krypometri – vërtetuesi i fakteve (ndër të rrallët, nëse jo i vetmi në Kosovë) në kallxo.com, ka vërtetuar se portalet si ekonomiaonline, gazetaexpress, indeksonline, lajmi.net, gazetametro, ia kanë huqë lajmin për librin për Kosovën në takimin Vucic – Varhelyi, kjo tregon se qindra mijëra njerëz që e kanë lexuar atë lajm dhe rreshtat e famshëm për “librin për Kosovë e Metohi” kanë qenë viktima të një rrene mediale.

Nëse psh po ashtu themi se vërtetuesit e fakteve të Ëashington Postit, deri muajin e kaluar kanë gjetur mbi 19,000 deklarime të rrejshme ose të pasakta të Presidentit Trump, i bie që ekipi i kësaj gazete është dashur “fjalëpërfjashëm” të analizojë atë që Presidenti deklaron.

Mirëpo, një formë bazike të vërtetimit të fakteve mund ta bëjë secili nga ne, edhe nëse nuk është marrë me gazetari, ose me hulumtime.

Ajo çka duhet të keni parasysh kur shihni një titull interesant ose sensacional është që t’i kërkoni tri përgjigje:

  1. Kush qëndron prapa shkrimit – me fjalë të tjera, a është një medium, një institut shkencor, një hulumtues, një kompani tregtare ose prodhuese, ndonjë rrjet i marketeve, ndonjë prijës fetar, ndonjë parti politike apo ndonjë grup tjetër i interesit. Më pas, meqë në Kosovë shumicën e informatave i marrim nga facebooku, vërtetojeni se si ka ardhur ai titull në feedin tuaj. A e ka shpërndarë ndonjë mik i juaji, a është i sponsoruar nga dikush, a është ndonjë adresë që e vizitoni shpesh, a e ka parë të njëjtin link edhe ndonjë i afërm i juaji etj.
  2. A ka prova të faktueshme – nëse veç e keni përfunduar hapin e parë, atëherë shikoni a paraqitet në këtë shkrim ose video ndonjë provë ose ndonjë dëshmi që e fakton pohimin aty. A ka ndonjë provë që është e vërtetueshme më herët, a citohet ndonjë burim, apo shkrimi nuk përmend as emra burimesh, as institucionesh dhe as të ndonjë hulumtimi paraprak. Nëse ka numra dhe statistika, a tregohet burimi i tyre, ose viti kur janë nxjerrë ato. Nëse ka akuza ose inkriminime, a përmendet hetimi ose procesi gjyqësor. Nëse thuhet se soda e bukës e shëron ndonjë sëmundje, a citohet ndonjë mjek ose revistë mjekësore dhe ngjashëm.
  3. Së treti duhet të shikoni reagimin e të tjerëve ndaj temës së caktuar. Nëse ato pohime nuk i gjeni në mediat që ju besoni, nëse ato pohime nuk kanë burim të saktë të dhënave, që mund t’i vërtetoni vetë, nëse diçka është në rrjet social dhe nuk mund të gjendet asnjë material mbështetës jashtë rrjetit social, atëherë me shumë gjasë keni lexuar ose shikuar diçka që nuk është faktike.

Pandemia ka bërë që shumica të kalojmë shumë kohë të mbyllur dhe me telefona në dorë ose me TV ndezur tërë kohën. Pandemia do të bëjë po ashtu që shumë nga ne të mbesim pa punë dhe të hyjmë në kriza sociale dhe psikike. Nëse nuk dimë t’i përzgjedhim informatat, nëse nuk u besojmë fakteve për opinioneve, mund të jemi në telashe edhe më të mëdha.