Foto: Ilustrim/ pixabay

IFCN reagon pas veprimeve të qeverisë në Gjeorgji ndaj verifikuesve të fakteve

Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve (IFCN) ka reaguar pas veprimeve të të Qeverisë së Gjeorgjisë ndaj platformave për verifikimin e fakteve “FactCheck Georgia” dhe “Myth Detector”.

IFCN ka hedhur poshtë çdo sugjerim që procesi i verifikimit të Kodit të Parimeve përfshin “lobimin” ose ndonjë formë tjetër të ndikimit të padrejtë, siç pretendon Qeveria e Gjeorgjisë.

IFCN ka konfirmuar se “FactCheck Georgia” dhe “Myth Detector” janë anëtarë të komunitetit ndërkombëtar të kontrollit të fakteve dhe se puna e tyre është vlerësuar në mënyrë të pavarur disa herë.

“Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrollit të Fakteve është i përkushtuar për të mbështetur lirinë e shtypit dhe kontrolluesit e fakteve në nivel global, duke përfshirë nënshkruesit tanë. FactCheck Georgia dhe Myth Detector janë anëtarë të komunitetit ndërkombëtar të kontrollit të fakteve në gjendje të mirë. Ata meritojnë të vazhdojnë të botojnë gazetarinë e tyre shpjeguese dhe kontrollet e fakteve që mbajnë qeverinë, partitë politike dhe kandidatët përgjegjës pa kërcënim për hakmarrje”- thuhet në reagim.

IFCN është shprehur e shqetësuar për legjislacionin e rifutur në Parlamentin e Gjeorgjisë që do të kërkonte që shoqëria civile dhe organizatat e medias të regjistroheshin si “organizata që ndjekin interesat e një fuqie të huaj, sipas IFCN sinonim për “agjent të huaj”.

”Ligje të tilla mund të kenë efekte të rëndësishme ftohëse në gazetarinë e pavarur të llogaridhënies, duke përfshirë punën e kontrolluesve të fakteve. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se si një legjislacion i tillë do të ndikonte në FactCheck Georgia dhe Myth Detector, nënshkrues nga Gjeorgjia të Kodit të Parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve”- vazhdon reagimi i IFCN.

Më 04.04.2024 në Parlamentin e Gjeorgjisë është sjellë Projektligji për “ transparencën e ndikimit të huaj”.

Ndaj këtij prohjektligji ka pasur reagime publike.

“Ringjallja e një projektligji nga autoritetet gjeorgjiane që do të njollosë mediat si të kontrolluara nga jashtë është thellësisht shqetësuese dhe krejtësisht e papajtueshme me pretendimin e tyre për përafrim me standardet demokratike evropiane dhe kërcënon lirinë e shtypit përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit” – kishte thënë  Gulnoza Said nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve për Evropën dhe koordinator i programit të Azisë Qendrore, në Nju Jork.

Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve (IFCN) i Institutit Poynter është i përkushtuar në promovimin e ekselencës në vërtetimin e fakteve.