Dy Shqiptarë Dëshmojnë Kundër Çakallëve

Ajshe Kelmendi, një shtëpiake nga fshati Çyshk në Kosovë, e cila humbi bashkëshortin dhe djalin e saj gjatë sulmit të forcave serbe më 1999, tha se “Çakallët” e rrethuan fshatin dhe i mblodhën të gjithë banorët në sheshin në qendër të fshatit dhe i ndanë gratë nga burrat.

“Na detyruan t’i hidhnim të gjitha gjërat tona në tokë – dokumentet, paratë dhe stolitë – dhe t’i vinim duart prapa kokës”.

“Gratë i çuan në oborrin e njërës prej shtëpive, ndërsa burrat i çuan nëpër dhoma. I qëlluan prapa dhe pastaj ua vunë zjarr trupave dhe shtëpive”, dëshmoi Kelmendi.

Sipas aktpadisë, grupi paramilitar serb “Çakallët” vranë 43 civilë shqiptarë, midis tyre bashkëshortin dhe djalin e Kelmendit, gjatë sulmit në fshatin Çyshk, afër qytetit Pejë, në Kosovë.

Sulmi në Çyshk ndodhi në mes të konflikitit në Kosovë midisë forcave të sigurisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktpadia thotë se arsyeja për sulmin e “Çakallëve” është fakti se fshati Çyshk është vendi i origjinës i Agim Çekut, ish-kryeministrit të Kosovës dhe një ndër udhëheqësit e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës. Babai i tij, Hasan Çeku, u vra gjatë sulmit dhe shtëpia e familjes Çeku u dogj.

Tahiru Kajnezir, ish-mësues dhe banor në Çyshk, dëshmoi gjatë gjyqit se ushtarët e pyetën grupin e burrave për vendndodhjen e shtëpisë së Çekut.

“Ndërsa ishim arrestuar në një nga shtëpitë, një ushtar erdhi dhe na pyeti se ku ishte shtëpia e Çekut. Kur mori përgjigjen, disa ushtarë u larguan, ndërsa disa prej tyre ndenjën me ne”, tha Kajnezir.

“Pas pak, dikush i thirri ushtarët me radio Motorola dhe dëgjova një zë që tha: “A e mbarove punën”; Një ushtar tha “po”, dhe pastaj mori urdhrin: “Lëreni shtëpinë dhe lëvizni”, dëshmoi Kajnezir.

“Ushtarët pastaj na thanë të largoheshim nga fshati, të shkonim ku të donim, në Shqipëri. Pastaj të gjithë u larguan”, shpjegoi Kajnezir.

Sipas aktpadisë, pas sulmit, më shumë se 400 fshatarë, duke përfshirë gra, fëmijë, dhe të moshuar, lanë shtëpitë e tyre. Para konfliktit, Çyshku kishte rreth 2000 banorë, shumica me etni shqiptare.

Rasti “Çyshku” po ndiqet në bashkëpunim  me Misionin për Sundimin e Ligjit të Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX. Gjyqi do të vazhdojë të enjten.