Doctor Exterminator Kontrollon Mushkonjat

Nëse Prishtina nuk mund të bëjë shumë  kundër valës aktuale të nxehtësisë, ajo po tenton që ta kontrollojë gjendjen duke luftuar mushkonjat. 

Fushata kundër këtyre insekteve që shkaktojnë sëmundje si malarja e sarillëku këtë vit komunës i kushton mbi 118 mijë euro. 

Drejtori i drejtorisë për shëndetësi në komunën e Prishtinës, Valbon Krasniqi, për Gazetën Jeta në Kosovë, tregon se komuna ka kontraktuar një kompani për katër faza të dezinfektimit. 

“Puna ka filluar që nga java e parë e qershorit dhe do të dezinsektohen 350 hektarë”, tha Krasniqi. Ai shtoi se “secila fazë është paraparë të zgjasë nga 5 ditë ndërsa orari i dezinsektimit është nga ora 20 deri në 24 në mbrëmje”.

Fituese e tenderit ishte kompania Doctor Exterminator D.D.D. e cila në fundjavë ka përfunduar fazën e dytë të eliminimit të mushkonjave dhe mizave. 

Drejtori i shëndetësisë, Krasniqi, tregon se dezinsektimi bëhet bazuar në kushtet atmosferike dhe meteorologjike, e nuk mund të bëhet nëse ka shi ose është duke fryrë erë. 

Drejtori i kompanisë fituese, Lulzim Katanolli, thotë se mes fazave bëhen 19 deri në 21 ditë pushim dhe se katër sosh “janë të mjaftueshme në kohën e verës”.

Preparati të cilën e përdor Doctor Exterminator D.D.D., quhet Aqua K-Otherine. Katanolli tha se ky preparat është i lejuar me parametrat e Organizatës Botërore për Shëndetësi. 

“Një mushkonjë lëshon 150 ve dhe eliminimi i mushkonjave proporcionalisht është milionësh”, tha ai.

Në shumë vende të botës, aktivistët protestojnë kundër dezinfektimit me preparatin e quajtur “malathion” pasi ndikimet e tij në shëndetin e njeriut nuk janë të qarta dhe pasi Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka thënë se “ka elemente të supozuara kancerogjene” në të. Aktivistët po ashtu kërkojnë spërkatjen strikt gjatë natës. 

Por Aqua K- Otherine, që e përdor Prishtina, nuk ka evidenca se ka përmbajtje kancerogjene dhe broshurat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandojnë që dezinfektimi të bëhet duke mbajtur fëmijët larg dhe duke ruajtur sytë.

Një raport i Bankës Botërore, muajin e kaluar, kishte sugjeruar se niveli i lirimit të grimcave të rrezikshme PM 2.5 në ajër është mesatarisht 39.5 në Prishtinë, deri në tri herë më shumë se sa në shumicën e qyteteve evropiane, dhe se 31 për qind e të gjitha trajtimeve mjekësore në Kosovë kanë të bëjnë me sëmundje frymëmarrje me 850 vdekje në vit që mund të jenë pasojë e ndotjes.

Edhe drejtori i shëndetësisë në Prishtinë edhe punë-kryerësi besojnë se ky dezinfektim nuk shton në atë problem ndotje dhe thonë se preparati që përdorin nuk ka efekt negativ në shëndetin dhe ekosistemin e vendit. 

Drejtori Krasniqi thotë se “nga qytetarët nuk kemi pasur ankesa, përkundrazi kemi pasur kërkesa që të shkohet sa më shpejtë edhe në pjesët e tyre”. 

Edhe Katanolli, si epidemiolog, tregon se preparati që përdor firma e tij është një preparat në parametrat e OBSh-së dhe se nuk është i dëmshëm as për shëndetin e as për mjedisin. 

 
Foto: Jeton Ispahiu  

 

“Ky është një produkt i cili përzihet me ujë dhe përzierja që ne përdorim është 1 litër preparat dhe 9 litra ujë. Preparati që përdoret kushton 4 herë më shtrenjtë se preparatet tjera, kjo bëhet vetëm për të mos i dëmtuar njerëzit dhe ambientin…nuk ka ankesa nga qytetarët lidhur me aktivitetin tonë”, thotë ai. 

Ai shton se “nëse do ishin përdorur vajrat dhe nafta, atëherë ndotja do të ishte e pashmangshme dhe do të kishte pasoja për ekosistemin dhe njerëzit”. 

Katanolli tregon se orari i dezinfektimit është nga ora 19:30 deri 24. “Koha në të cilën ne i trajtojmë është kohë e preferueshme në të gjithë botën, kjo pasi që nga ora 19 e 30 deri në orën 24 mushkonjat dhe mizat kanë aktivitetin më të madh,” tha ai.

Ndërsa Naser Ramadani nga Instituti për Shëndetësi Publike, thotë se nuk ka marrë informata e as nuk është lajmëruar nga komuna lidhur me preparatin që përdoret e as për parametrat e tij. “Jo nuk e di nuk kemi informata, nuk na kanë njoftuar nga komuna”, tha Ramadani përmes telefonit për Gazetën JnK.

Sipas Katanollit trajtimi nga kompania e tij ka pasur sukses pasi ka qenë efektiv.

Ai shton se trajtimi i mushkonjave eliminon edhe mizat si bartëse të shumë virozëve sidomos gjatë verës duke ulur numrin e helmimeve me ushqim.

“Edhe pse kemi bërë deizsektimin, eliminimi total i mushkonjave dhe mizave nuk mund të bëhet, pasi që disa prej tyre pas spërkatjes fshehen në shtëpi e për këtë arsye u themi qytetarëve që t’i mbyllin dritaret gjatë kalimit tonë”, tha Katanolli. 

Sipas Katanollit, trajtimi i tillë i mushkonjave potencialisht parandalon edhe virusin e përhapur kohëve të fundit në botë, i njohur si virusi i Nilit perëndimor i cili virus shkakton enfacelit.

Ai thotë se “e keqja është se nuk po bëhet në tërë Kosovën trajtimi i tillë për mushkonjat dhe mizat”. 

Valbon Krasniqi, drejtori i shëndetësisë, thotë se qytetarët janë të lajmëruar përmes mediave dhe uebit të komunës për dezinfektimin. Sipas tij, qytetarëve iu është kërkuar që t’i mbyllin dyert dhe dritaret gjatë kohës së trajtimit dhe një orë pas. 

Krasniqi, po ashtu tregon se komuna i ka të shënjestruara vendet ku qytetarët mbajnë bletë dhe i informon ata paraprakisht se duhet t’i mbyllin ato deri në ditën e nesërme.