Dënim për Personin që Zvogëloi Votat e Kryeministrit (TV)

Është dënuar me gjashtë muaj burg Florim Shkreta nga Hani i Elezit për mashtrim në votime, në zgjedhjet e vitit 2010, të cilat nga ambasadori i atëhershëm amerikan në Kosovë Christopher Dell, u patën cilësuar si zgjedhje të kryera me “vjedhje industriale të votës”.

Si provë për dënimin e tij është marrë raporti i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve që ka vërtetuar manipulimin me vota të Shkretës.

Gjykata Themelore e Ferizajt, gjashtë personat tjerë që akuzoheshin bashkë me Shkretën i liroi nga akuzat, për mungesë provash.

I dënuari ishte kryesues i një qendreje të votimit, i caktuar nga PDK-ja, por sipas aktakuzës Shkreta zvogëloi votat e disave nga zyrtarët e lartë të PDK-së, ndërsa rriti votat e të tjerëve nga kjo parti.

Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzonte të pandehurin se më 12 dhjetor 2010 në qendrën e votimit në fshatin Seqishtë nga Hani i Elezit në një vendvotim në cilësinë e kryesuesit nga PDK-ja të këtij vendvotimi, ka falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve për deputetë në Parlamentin e Kosovës.

Aktakuza shpjegon se sipas raportit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë, Shkreta ka zvogëluar votat e fituara të kryetarit të PDK-së Thaçi, nënkryetarëve Fatmir Limajt e Enver Hoxhajt, Elmi Reçicës e Xhavit Zariqit.

Thaçi në këtë qendër kishte fituar 136 vota, ndërsa për të Shkreta kishte shkruar vetëm 100 vota, shkruan raporti.

Shkreta Fatmir Limajt e Enver Hoxhajt nuk ua kishte evidentuar asnjë vote në qendrën ku ishte kryesues, edhe pse Limaj kishte fituar 48 vota në Seqishtë, ndërsa Hoxhaj 22. Me zero vota të shkruara Hoxhaj i la edhe Elmi Reçicën e Xhavit Zariqin, edhe pse Reçica fitoi 26 vota, ndërsa Zariqi 88.

Por Shkreta sipas aktakuzës, ua rriti votat e fituara disa njerëzve tjerë të PDK-së. Azem Sylës nga 37 ia shkroi 100 vota e Hajredin Kuçit nga 29 vota të fituara, ia bëri 110. Nga 26 në 40, votat ia shtoi edhe Idriz Vehapit.

Nga “zemërgjerësia” e paligjshme e Shkretës përfituan edhe Heset Loku e Mehmet Ballazhi. Të parit votat iu shtuan nga 96 në 150, ndërsa të dytit nga 165 në 185.

Florim Shkreta nuk e pranoi fajësinë.  “Mund të kem bërë gabim, por kjo ka qenë nga lodhja e tepërt dhe jo nga qëllimi”, i tha ai trupit gjykues.

Në një raport të publikuar nga Instituti Kosovar për Kërkimin dhe Zhvillimin e Politikave (KIPRED) në tetorin e vitit 2010, thuhet se “dënimet e shqiptuara nga gjykatat komunale për manipuluesit e zgjedhjeve janë të pakta, të pamjaftueshme dhe qesharake”.

Shkreta paralajmëroi ankesë kundër dënimit, ndërsa prokurorja Florie Shamolli nuk u deklarua.