Cilësia e Keqe e Derivateve Shkatërron Makinat e Kosovës

Dëfrim Gashi nga fshati Çabiq i Komunës së Klinës nuk e ka më veturën e tij. Ajo u dogj ndërsa ai po voziste nga puna në shtëpi dhe ai fajëson cilësinë e karburantit për këtë ndodhi.

“Pashë që automjeti filloi me u nxeh shumë dhe pas 20 minutash që arrita në shtëpi, nga automjeti filluan te dalin disa xixa dhe ngapak flakë”, tregon ai. Për fat, Gashi kishte dalë nga automjeti kur ai u përfshi nga flakët.

Ai njoftoi disa mekanikë, të cilët pasi e këqyrën mjetin thanë se shkaktare ishte cilësia e dobët e naftës. “Ka shkaktuar dëmtime të pjesëve të automjetit që kanë shkaktuar nxehjen e motorit dhe si pasojë ka ardhë deri te djegia e vet automjetit”, tha Gashi për gazetën.

Cilësia e derivateve në Kosovë që nga vitet e mëhershme e deri më sot nuk ka arritur të përmirësohet me standardet siç e kërkon ligji. Sipas dëshmive të shumta nga qytetarë dhe specialistë, cilësia e dobët e derivateve shkakton prishje të pjesëve të automjetit dhe direkt prek xhepin e konsumatorëve.

Në shumicën e rasteve, pretendohet se arsyet kryesore të cilësisë së dobët lidhen me hedhjen e përbërësve të tjerë kimikë në karburant. Ligji në fuqi (Udhëzimi Administrativ 07/2012, Neni 2) për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë përcakton vlerat e lejuara të përbërësve tjerë kimikë si plumbi, squfuri, olefinet, aromatet, benzeni, uji, oksigjeni etj.

Përzierja e këtyre përbërësve më shumë se vlera e lejuar, dobëson cilësinë e derivateve të cilat kanë efekte anësore dhe shpeshherë shkakton prishjen e pjesëve të automjeteve.

Vozitësit shpenzojnë në riparim të veturave

Enver Buzaku nga fshati Krajkovë-Komuna e Drenasit rrëfen se si vetura e tij radhazi prishet nga cilësia e dobët e naftës. Pas vetëm një muaji vozitjeje është detyruar ta dërgojë te mekaniku veturën “Mercedes” të vitit 2007.

 “Filtri i naftës ishte nxirë nga nafta e keqe kush e di se me çka po e përziejnë”, tha Buzaku.

Ai shtoi se i ishte dëmtuar edhe pompa e shtypjes së presionit të lartë të naftës , e cila kur prishet duhet ndërruar dhe kushton shtrenjtë.

“Nuk është hera e parë që po kam problem me këtë pompë, edhe me automjetet tjera kam pasë të njëjtat probleme edhe krejt si pasojë e naftës së keqe”, tha Enver Buzaku për gazetën Jeta në Kosovë.

Edona Sadiku nga Peja edhe pse ka automjet, pjesët mekanike nuk i kupton fare, por ankohet se çdo herë ka probleme.

“Vozis çdo ditë nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, por kam shumë vështirësi me automjetin tim, i cili po prishet shumë shpesh, e sa herë po e dërgoj te mekaniku më thotë se prishjet vijnë nga nafta e keqe”, tregon ajo.

Sadikut së fundmi i është dëmtuar pompa e shtypjes së presionit t lartë të naftës  çka i kushtoi shtrenjtë.

Ankesa vijnë edhe nga Sabit Çitaku nga Hani i Elezit që thotë se automjeti po i prishet shpesh nga nafta e keqe duke ia bllokuar filtrat dhe se çdo prishje po i kushton 50 deri në 70 euro.

Ndërsa Edona Kashtanjeva nga Ferizaj fajin ia hedh doganës për mungesë kontrolli të cilësisë së derivateve në pikat kufitare.

”Krejt fajet i ka Dogana që nuk po e kontrollon cilësinë e derivateve në kufi dhe ne po na dëmtohen automjetet. Krejt rroga po më shkon në rregullimin e automjetit,” thotë Kashtanjeva.

Mekanikët fajësojnë përzierësit

Baki Abdullahu, menaxher i servisit të autorizuar për “Volkswagen”, “Baki Automobile”, nuk ngurron të fajësojë përzierësit për cilësinë e keqe të karburanteve dhe pasojat në automjete.

Abdullahu shpjegon se prishjet e automjetit kanë ndodhur më shumë gjatë sezonit të dimrit duke i shtuar derivateve përbërës tjerë kimikë që automjeti të mos ketë problem në ndezje.

“Gjatë sezonit dimëror dizelit i shtohet kerozin në suaza të normales siç e parasheh ligji e që kushton 10 euro për litër, kurse në Kosovë i shtohet vajguri që kushton 1 euro për litër”, thotë Abdullahu.

Nëse vajguri i shtohet naftës në masë të madhe, krijon papastërti dhe shkakton deri prishjen e pjesëve të automjetit.

Çmimoret nga “Baki” tregojnë se  servisimi i rregullt për çdo automjet me standarde të Kosovës duhet të bëhet çdo 10 mijë kilometra të kaluara, ndërsa në Gjermani bëhet çdo 25 mijë kilometra.

Servisimi i rregullt i një automjeti në Kosovë kushton deri në 160 euro, varësisht nga kubikazha e automjetit, ndërsa në Gjermani servisimi i rregullt kushton deri në 300 euro duke përfshirë vajin motorik, filtrin e vajit, filtrin e klimës, filtrin e ajrit.

Çmimet janë të njëjtat por ajo që e rrit koston e servisimit në Gjermani është puna e punëtorit që në Gjermani është disa herë më e lartë se në Kosovë. Por kjo nuk do të thotë se përgjatë një viti, një vozitës gjerman paguan më shumë se një kosovar.

Sa për ilustrim për të bërë dallimin në mes servisimit në Kosovë dhe Gjermani, në 100 mijë kilometra të kaluara të automjetit kosto do të jetë kjo:

Në Kosovë një servisim i rregullt kushton 160 euro dhe për 100 mijë kilometra të kaluara të automjetit duhet të bëhen 10 servisime që i bie se një shtetas i Kosovës duhet të shpenzojë 1,600 euro për këto 100 mijë kilometra të kaluara të automjetit.

Në Gjermani një servisim i rregullt kushton 300 euro dhe për 100 mijë kilometra të kaluara të automjetit duhet të bëhen 4 servisime që i bie se një shtetas gjerman duhet të shpenzojë 1,200 euro për këto 100 mijë kilometra të kaluara të automjetit.

Kjo do të thotë se në Kosovë shpenzohen mesatarisht 400 euro më shumë për servisime të rregullta sesa në Gjermani për shkak cilësisë së naftës. Përveç kësaj, konsiderohen edhe elementet e tjera në rastet kur ka prishje të pjesëve tjera.

Zinxhir dëmesh dhe eurosh

Rregullimi i pompës së rezervuarit kushton 200 euro deri në 250 euro, ndërsa rregullimi i filtrit të naftës kushton 80 deri në 160 euro.

Nga filtri i naftës i cili kushton 80 euro deri 160 euro, nafta kalon në pompën e shtypjes së presionit të lartë.

Rregullimi i pompës për shtypjen e presionit të lartë apo siç e njohin qytetarët “bosh pompa” kushton 1,500 euro deri në 2 mijë euro. Ndërsa rregullimi i injektorëve apo dizneve kushton prej  500 euro deri në 700 euro.

Të gjitha këto pjesë të automjeteve dëmtohen nëse cilësia e derivateve është e dobët dhe kostoja e riparimit të tyre është shumë e lartë. Nëse njëra nga këto pjesë prishet, atëherë ndërrimi i pjesëve shkon zinxhir në varësi të dëmtimeve.

Abdullahu shton se është pozitive që gjatë vitit 2014 dhe fillimit të viti 2015 ka pasur rënie të këtyre defekteve me 30%, çka sipas tij, do të thotë se cilësia e naftës është duke shkuar drejt përmirësimit.

Derivatet e dobëta rrëzojnë garancionet

Selim Berisha, menaxher i servisit “Porsche Prishtina”, tregon se sistemi i servisit kontrollon derivatet dhe ka raste kur fabrika e prodhimit për shkak cilësisë së dobët të derivateve nuk i mbulon shpenzimet e garancionit.

“Sistemi jonë kontrollon cilësinë e derivateve të dobëta dhe ne e dimë se të gjitha kompanitë furnizohen nga rafineritë e njëjta”, tha Berisha.

Ai shpjegon se ka raste kur ndodhin prishje të mëdha të pjesëve të automjeteve të cilat kushtojnë shumë shtrenjtë dhe kompania prodhuese “Volkswagen” kërkon derivatet për analizë.

Berisha tha për gazetën se nëse vërtetohet se pjesët e automjetit janë dëmtuar nga cilësia e dobët e derivateve që nujk i plotëson standardet ISO, atëherë kompania nuk mund t’i mbulojë shpenzimet e garancionit.

Ai tha se servisimi i rregullt për çdo 10 mijë kilometra ndodh në të gjithë Ballkanin dhe jo vetëm në Kosovë, duke qenë se cilësia e dobët e karburanteve është një problem që prek edhe vendet e tjera, si Shqipëria, Maqedonia etj., duke pasur parasysh që furnizohen nga të njëjtat rafineri.

“Standardi Evropian për servisimin parasheh mbi 20 mijë kilometra të kaluara të automjetit. Deri në vitin 2010 servisimi i rregullt ka qenë i obliguar në 7 mijë e 500 kilometra të kaluara të automjetit, por pas përmirësimit të cilësisë së derivateve është rritur në 10 mijë kilometra të kaluara të automjetit”, shtoi Berisha.

Gjithashtu, Berisha theksoi se gjatë vitit 2014 ka pasur më pak defekte për shkak cilësisë së dobët të derivateve.

Mostrat dëshmojnë shkeljen e ligjit

Në anën tjetër Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Trupat Inspektuese të autorizuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë vitit 2014 ka realizuar programin e monitorimit të cilësisë së karburanteve të naftës në tregun e brendshëm.

Me këtë rast nga 570 mostra të testuara të cilat i kanë marrë nga pikat e karburanteve, 114 prej tyre kanë rezultuar të jenë jokonform me parametrat e përcaktuara.

Ndaj këtyre operatorëve ekonomikë është iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatat themelore të qyteteve përkatëse-u përgjigj me email Vjollca Dibra, këshilltare për media në  Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Nga kjo Ministri ne kërkuam së paku 3 mostra nga 114 të inspektuara për të parë se ku qëndron problemi me derivatet e naftës.

Te njëra mostër u vërejt se pika e ndezjes e cila me udhëzim administrativ duhet të jetë 55 gradë celsius është 52.5 gradë celsius,te mostra tjetër është 50 gradë celsius dhe te mostra tjetër 53.5 gradë celsius.

Në raste të tilla kur nafta përzihet me substanca tjera siç është vajguri, grada e celsiusit shkon më poshtë se 55, që nënkupton se sa më e ulët të jetë pika e celsiusit automjeti nuk ka problem në ndezje edhe deri në minus 27 gradë celsius, mirëpo kjo shkakton mbinxehjen e motorit të automjetit deri tek prishjet e pjesëve të ndryshme.

Kemi pikën e filtrabilitetit që tregon se derivatet e naftës janë të papastra, vlera normale e lejuar duhet të jetë minimum -20 gradë celsius dhe maksimum -10 gradë celsius, ndërsa te njëra mostër ka rezultuar -27 gradë celsius kurse te tjetra -32 gradë celsius.

Kjo tregon se papastërtia në rastin konkret te nafta nuk është konform dispozitave të lejuara dhe pikërisht kjo shkakton që papastërtia mblidhet në filtra dhe shkakton prishjen e pjesëve të automjetit.

Pavarësisht të gjitha ankesave, naftëtarët vazhdimisht pretendojnë se kanë barriera nga organet shtetërore. Shqetësimet i ngritën në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së Naftëtarëve që u mbajt në mars të këtij viti duke u ankuar se po u bëhet padrejtësi.