Bellanicasit Protestojnë Para Gjykatës

Haxhi Hoxha, 77-vjeçar, ende i kishte tirqit e lagura, pasi që dy orë kishte qëndruar ulur në borë, para derës së gjykatës. Ai ankohej se ditët e pleqërisë po i duhet t’i kalojë duke protestuar, për tokën, të cilën thotë, se ia ka lënë babai.

“Nuk mundem të qëndroj më. Ditët e fundit të jetës sime po i kaloj duke protestuar në shtetin që kam pritur me vite të krijohet. Dhe për çka? Protestoj ta marr tokën time”, tha ai, për Gazetën JnK.

Pasi kanë protestuar, tash sa ditë në fshatin e tyre, duke bllokuar edhe rrugën magjistralen, të hënën banorët e Bellanicës kanë dalë në protestë para dyerve të gjykatës; vendit ku ata i kanë dorëzuar lëndët e tyre para pesë – gjashtë vitesh, me shpresën se do ta marrin tokën, e cila thonë se iu mor padrejtësisht, gjatë regjimit serb. Nëpër këto prona, do të kalojë autostrada “Ibrahim Rugova”, dhe banorët po protestojnë tash sa kohë me kërkesë të kompensohen.

Në parullat e tyre shënonte “Duam drejtësi”, “Duam pronat tona”, etj. Ata kanë akuzuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të cilën e kanë quajtur “shtet mbi shtet”.

Hazir Hoxha, përfaqësues i fshatit, dhe dy përfaqësues të tjerë u lejuan nga policia që të bisedojnë me kryetarin e Gjykatës Komunale të Malishevës, Lulzim Paçarizi.

Rreth një orë, ata kërkuan një përgjigje nga kryetari i gjykatës se pse nuk janë gjykuar që nga 2004-ta, lëndët e tyre. Ata në dorë kishin një mori dosjesh, të cilat i kishin dorëzuar në po atë gjykatë, me paditë e tyre, të cilat dëshmonin se ata e kanë trashëguar nga paraardhësit këtë të drejtë që po e kërkonin.

Por kryetari Paçarizi tha se ata, që nga janari i këtij viti, nuk janë më kompetentë të merren me këto lëndë, sepse për këtë janë kompetentë Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme.

Sipas tij, ata nuk kanë qenë kompetentë edhe më parë, sepse me Ligjin mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit, këto lëndë për disa vite kanë qëndruar në Dhomën e Veçantë. “Ndërsa edhe këto qe ne i kemi në gjykatë, tani do të dërgohen atje”.

Sipas Paçarizit, rreth 23 padi janë dorëzuar në këtë gjykatë nga fshatarët e Bellanicës.

Pas takimit dhe protestës para dyerve të gjykatës, turma e protestuesve që numëronte rreth 70 protestues, u bart para dyerve të Komunës së Malishevës.

Edhe pse ata me tapitë e tyre në dorë pritnin para ndërtesës së Komunës, kryetari Hysni Kilaj nuk pranoi të flasë me ta.

Edhe pse protestuesit morën premtimin se Kilaj do t’i priste pas pauzës së drekës, pauza e tij u stërzgjat dhe protestuesit shkuan të qetë nëpër shtëpitë e tyre. Por ata thonë se do të vazhdojnë të protestojnë, derisa ta realizuar të drejtën e tyre që iu takon sipas ligjit.