Banesa Kolektive Pa Ujë e Fshatit Magurë (TV)

Arbresha Cani, nënë e katër fëmijëve të moshës prej 4 muaj deri në shtatë vjet, banore e ndërtesës kolektive pa ujë të pijes në fshatin Magurë të Lipjanit, thotë se i lë fëmijët duke qarë, sa herë që i duhet të marrë ujë për nevojat e familjes së saj.

Ajo  jeton në katin e katërt të kësaj banese, ndërsa i duhet që përditë të zbresë poshtë, e të shkojë te një pus dyqind metra larg banesës që të mbushë ujë për nevojat e pastrimit të fëmijëve, larjes së rrobave dhe mbajtjes pastër të shtëpisë.

Ujin për pije e merr në fshatin Vrellë afër katër kilometra larg Magurës.

Ajo tregon se një ditë teksa kishte shkuar për të mbushur ujë, ndërsa i kishte lënë fëmijët vetëm në banesë, njëri nga ta kishte djegur dorën.

Tash asaj i duhet t’i marrë me vete fëmijët më të mëdhenj, sa herë shkon te burimi.

“ Fëmijët janë të vegjël, njërin duhet me marrë në dorë e djalin e vogël katër muajsh duhet me lënë duke fjetur”, thotë Arbresha Cani.

Hall të njëjtë ka edhe Mehdi Zeneli dhe 21 familje me 150 banorë të kësaj ndërtese kolektive të paraparë për raste sociale.

Në banesë nuk rrjedh ujë as për pikë, as për higjiienë, as për larje rrobash, e as për pije.

Mehdi Zeneli, zgjohet çdo ditë në orën shtatë të mëngjesit, jo për të shkuar në punë, ose për të respektuar ndonjë orar të caktuar, por për t’u siguruar ujë të pijshëm gruas së tij të sëmurë dhe vajzës 11 vjeçare.

Mehdiu, çdo ditë udhëton nga katër kilometra me biçikletë në një drejtim drejt fshatit Vrellë, për të mbushur shishe dhe bidon me ujë në burimin atjeshëm.

Ditëve me vapë, shkuarja një herë në ditë nuk mjafton, pasi nevojat për të pirë ujë janë shumë të mëdha. Edhe udhëtimi di të jetë i rrezikshëm, sidomos kur biçikletës jostabile i afrohet ndonjë kamion. Dhe kjo nuk ndodh rrallë.

“Kjo  banesë që shtatë vjet nuk ka ujë, nuk po mundemi me e bajtë ujin me kanta”, thotë Zeneli,

Por problem edhe më të madh e ka e shoqja e Mehdiut, e cila është e sëmurë nga gangrena.

“Banesa duhet me pasë ujë, duhet me ardhë dikush me na pru ujë, na duam ujë këtu, qysh pastërti  pa ujë qysh” , thotë ajo.

Këtë problem e kanë edhe banorët tjerë të dënuar të jetojnë këtu, pasi nuk thuhet kot se “pa ujë nuk ka jetë”.

Mehdiu të paktën e ka një biçikletë me të cilën bart ujë, por ka të tjerë banues që ujin e bartin me karroca të dorës.

Të gjithë banorët e kompleksit drejtohen kah Vrella për të marrë ujë të pijes ndërsa ujin për pastrim e marrin nga pusi në afërsi.

Pastrohen me ujë të ndotur

Ata për ujë të pijshëm shkojnë më larg, por ujin për pastrim dhe larje rrobash, e marrin aty afër, nga një pus që është i ndotur. Në banesë ka shqiptarë, romë dhe ashkalinj që nevojat për pasrim i përmbushin me ujin e kontaminuar nga gjiganti industrial kosovar Ferronikeli.

“ Nëse mundesh me shku me bartë ujë e pastron një fëmijë, nëse jo, të mbulon papastërtia”, thotë Haxhere Ajvazi, banore e ndërtesës.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, një institucion shëndetësor që përgatit dhe zbaton masat higjieniko – sanitare, promovimin e shëndetit, edukimin dhe arsimimin shëndetësor si dhe kontrollon kualitetin e ujit, ajrit e ushqimit, ujin të cilin këta banorë e përdorim për higjienë e vlerëson të dëmshëm.

“Ata nuk i kanë as kriteret minimale që duhet t’ i plotësojë një banor që jeton në çfarëdo cepi të mundshëm në Republikën e Kosovës”, thotë Antigona Haxhiuka nga instituti që mbikëqyr shëndetin e kosovarëve.

Ajo gjendjen e këtyre banorëve e vlerëson si të jashtëzakonshme.

Instituti vlerësoi edhe ujin që banorët e ndërtesës kolektive të Magurës e përdorin për pije në fhatin Vrellë të Lipjanit.

Për institutin, uji i burimit të Vrellës është brenda standardeve të lejuara për përdorim, nëse pihet pa qëndruar gjatë nëpër enë dhe ruhet në kushte të përshtatshme.

“Uji për pije i këtyre familjeve ruhet në kushte të papranueshme, ruhet në dritare, në diell, mbahet në depozita të mëdha me javë, edhe familjarët janë të detyruar ta pinë atë ujë të ndotur që gjithherë paraqet rrezik”, thotë doktoresha Haxhiuka.

Ajo gjatë vizitës mjekësore që u bëri banorëve, sidomos fëmijëve të tyre, konstatoi se ata vuajnë nga disa sëmundje që lidhen me përdorimin e ujit të ndotur.

Sipas saj sëmundjet që më së shpeshti i deklarojnë banorët, kanë të bjënë me “me diarre(barkqitje), me sëmundjet ngjitëse, me praninë e  hepatitit A, si dhe me një varg sëmundjesh qoftë piodermia, ose sëmundjet të tjera lëkurore, që veç janë evidente te këta banorë”, shpjegon Haxhiuka.

Komuna dhe agjencia e privatizimit fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e ujit

Mungesën e ujit në këtë banesë kolektive në Magurë të Lipjanit, komuna e arsyeton më atë se zona ku janë burimet e ujit për këtë pjesë, menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Ne kemi kërkuar në AKP që të na jepen në pronësi burimet e ujit dhe në këmbim të i’a japim një pronë tjetër”, thotë Florent Hoxha, nënkryetar i Komunës së Lipjanit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, deklaroi se ka pasur kërkesa nga ana e komunës në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi, por që diçka e tillë ende nuk është ndërmarrë.

Ylli Kaloshi, zëdhënës  në Agjencinë Kosovare të  Privatizimit thotë se “Në shkresën e fundit në korrik të vitit të kaluar që agjencia i ka dorëzuar komunës, një vit më parë, i ka shpjeguar se kërkesa duhet të bazohet në ligjin që rregullon këtë fushë”.

Komuna më nuk kishte dërguar të njejtën kërkesë.

Sipas tij, kërkesat për këmbim pronash duhet të specifikojnë detajisht interesin e përgjithshëm për një veprim të tillë.

Ndërkohë, përkundër deklaratës fillestare se nuk janë në dijeni për problemin me banesën kolektive, nënkryetari i komunës Hoxha deklaroi më pas se bëjnë vizita të shpeshta në banesën kolektive.

“Ne e dimë gjendjen e banorëve se si jetojnë, sepse kemi raportet e përvitshme nga zyrtari i cili  menaxhon ose është në kontakt çdo herë me banorët e kësaj banese dhe që është i caktuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale”, thotë Florent Hoxha.

Banorët e deklarojnë  të kundërtën. Sipas tyre jo vetëm që nuk i ka vizituar kurrë askush nga komuna, por edhe në komunë kur kanë shkuar për ankesa, nuk i kanë pranuar.

“Vetëm një herë në shtatë vjet ka pasur ujë në banesë”, thonë ata.