Varroset 9 Vjeçarja, Viktimë e Aksidentit në Vrellë të Istogut
Shtëpia e familjes Vuthaj në Vrellë të Istogut ishte të martën gjatë ditës adresë e shumë mysafirëve që shkonin për t’i ngushëlluar familjarët për vdekjen e vajzës së tyre nëntëvjeçare në aksident trafiku.
Derisa po shkonte në shkollë, Eljesa Vuthaj, më 19 shkurt, u godit nga vetura.
Katër ditë më vonë ajo nuk u mbijetoi lëndimeve të marra dhe vdiq në spitalin e Prishtinës.
Aksidenti ka tronditur të gjithë fshatin dhe bashkë moshatarët e saj.
Rruga është kobi i familjes Vuthaj.
Një vit me parë kjo familje u gjet në situatë të njëjtë kur humbi anëtarin tjetër të familjes në aksident trafiku.
Axha i Eljesas kishte humbur jetën pasi ishte shkelur nga një veturë ndërsa gjyshi i saj kishte marrë lëndime nga ky aksident.
http://kallxo.com/vdes-9-vjecarja-e-aksidentuar-ne-vrelle-te-istogut/
Familjari i viktimës, Hasan Vuthaj, tha për KALLXO.com se vdekja e Eljesës është shumë e rëndë për familjen dhe gjithë fshatin.
“Është rast shumë i ndjeshëm jo vetëm për familjen tonë të ngushtë, se ne po i përcjellim dy anëtarë të familjes për një periudhë” rrëfen Vuthaj për KALLXO.com.
Ai thotë së ndjen keqardhje për aksidentin e ndodhur ndërsa shpreson që aksidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
“Vajza ka qenë duke shkuar në shkollë, vajza ka qenë diku rreth moshës 8 vjeçar gati 9. Si familjar e ndjej veten shumë keq, më vjen keq edhe prej aksidentit që ka ndodhë, ndoshta edhe ai personi që ka qenë në aksident nuk ka dashtë (të ndodhë kjo)”, tha ai.
Banorët e Vrellës dhe familjaret e viktimës thanë së disa herë kanë bërë kërkesë që të vendosen ‘policët e shtrirë. sepse makinat po frekuentojnë në shpejtësi të madhe në ketë fshat.