Asociacioni i Komunave të Kosovës, Foto: AKK/Facebook

Arsyet pse Asociacioni i Komunave refuzoi të merrte pjesë në draftimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale

Qeveria e Kosovës më 10 dhjetor të vitit 2021, e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale. Ndërsa, rreth një muaj më vonë, ky projektligj është shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, këtë projektligj e kishte miratuar në qeveri pa rekomandimet e komunave dhe pa pjesëmarrjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës në grupet punuese. Kjo gjë u përmend në komisionin parlamentar ku gjatë shqyrtimit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku që është edhe zëvendëskryetar i parë i këtij komisioni kishte thënë se nuk e mbështetë këtë projektligj përderisa nuk ka konsultim me kryetarët e ri të komunave.

Sazan Ibrahimi, drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka treguar për KALLXO.com arsyet se pse nuk kanë marr pjesë në grupe punuese.

Ibrahimi tha se më 6 qershor 2021 është mbajtur takimi i parë për fillimin e amanadamentimit për projektligjin për vetëqeverisje lokale ku kanë marrë pjesë në këtë takim dhe kanë kërkuar nga ministri Elbert Krasniqi që të presin derisa të përfundoj procesi i zgjedhjeve lokale dhe të konstituohen institucionet lokale.

“Kemi thënë është mirë me prit deri sa të konstituohen institucionet lokale t`i kemi kryetarët e komunave edhe pastaj me diskutu këtë projektligj me kryetarët e komunave. Ai nuk ka dëgju pastaj është procedu projektligji dhe është miratu në qeveri”, tha Ibrahimi.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së tha se nuk kanë mundur që të marrin pjesë në takime të tjera pasi Asociacioni vepron në bazë të kërkesave të komunave.

“Ne nuk shkojmë krye në veti aty. Nëse kryetarët e komunave kërkojnë nga asociacioni diçka, ne i përfaqësojmë, i mbrojmë interesat e komunave. Mirëpo ne nuk kemi pas mekanizma atë kohë të ndërtume. Kryetarët kanë qenë në fushatë zgjedhore”, shtoi ai.

Ibrahimi tha se nuk kanë pasur as rekomandime pasi nuk kanë mundur që t`i mbledhin kryetarët e komunave për diskutim.

Ibrahimi shpreh gatishmëri që të jetë pjesë e grupeve punuese në komisionet parlamentare dhe pret që edhe Kuvendi mos ta bëjë sipas tij “gabimin e njëjtë”.

“Ne jemi kanë gjithmonë pro bashkëpunimit me nivelin qendror mirëpo, në këtë rast ministri Krasniqi nuk e ka tregu atë partneritet. Tash presim nga Parlamenti që mos t`i bëjë gabimet e njëjta qysh i ka bo ministri. Tash kur të na thirrin komisionet parlamentare normal që do ta diskutojmë në mekanizmat që i kemi ne”, tha Ibrahimi.

Dje komisioni për Administratë Publike, e ka shqyrtuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen lokale.

Ministri Elbert Krasniqi, ka thënë se në këtë projektligj është punuar mjaftueshëm për të shkuar në diskutim në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi tha se Asociacioni i Komunave të Kosovës është ftuar në grupin punues dhe se ministria e ka respektuar secilin obligim.

“Ligji është plotësuar ndryshuar sipas nismave ligjore. Është respektuar secili obligim që ne e kemi si ministri, deri te votimi në qeveri që është bërë në dhjetor”, tha tutje ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës, kishte reaguar edhe më 10 dhjetor të vitit 2021, kur ky projektligj kishte marr ditën e gjelbër nga Qeveria e Kosovës.

Përmes një komunikatë Asociacioni kishte bërë të ditur se komunat nuk ishin konsultuar dhe nuk është marr mendim i tyre.

“Kjo në fakt është e pakuptimtë dhe e papranueshme, sepse si mund të ndryshosh një ligj që ka të bëjë me pushtetin lokal e nuk konsultohen vetë Komunat e Kosovës”, thuhej në reagimin e Asociacionit.

AKK kishte ftuar edhe Parlamentin e Republikës së Kosovës që të konsultojë Komunat para se ta miratoj ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ligj i cili sipas AKK-së prek dhe duhet të zbatohet nga vetë Komunat.

Ndryshe, Ligji për vetëqeverisje lokale, themelon bazën ligjore për një sistem të qëndrueshëm të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.

Ky ligj përkufizon statusin ligjor të komunave, kompetencat dhe parimet e përgjithshme të financave komunale, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, marrëdhëniet brenda komunale dhe bashkëpunimin ndër komunal, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave dhe pushtetit qendror.