Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, 25 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Diskutohen ndryshimet për Ligjin për Vetëqeverisjen lokale

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është shqyrtuar në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen lokale.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka prezantuar iniciativën e dikasterit që udhëheq.

Ai shtoi se është diskutuar mundësia për të shkuar në zgjedhje nëse komuna mbetet pa kryetar në vitin e fundit të mandatit, ose postin duhet ta mbajë nënkryetari i komunës.

“Në këtë projektligj mjaftueshëm është punuar mirë që të shkojë në diskutim në Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi.

Mërgim Lushtaku, anëtar i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se disa ndryshime qe i ka cekur ministri janë të mirëseardhura sidomos zëvendësimi i kryetarëve në raste urgjente që komuna mos të ketë pozitë vakante dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Por Lushtaku ka kërkuar të di se për këtë ligj a ka pasur konsultime publike.

“Komunat do ta zbatojnë këtë ligj. Cila është esenca e këtij projektligji kur nuk janë dëgju komunat? Në këtë drejtim nuk janë konsultuar drejtuesit e ri të komunave. Nuk do të keni mbështetje nga ne deri sa nuk ka konsultim me kryetarët e ri të komunave. A janë pyetur kryetarët e komunave si e shohin pjesën e zëvendësimit”, tha Lushtaku.

Ministri Krasniqi u përgjigj se për këtë projektligj është krijuar grupi punues.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është i ftuar në grupin punues. Fillimisht kanë marr pjesë e më pastaj nuk kanë qenë pjesëmarrës të grupeve punuese.

“Ligji është plotësuar ndryshuar sipas nismave ligjore. Është respektuar secili obligim që ne e kemi si ministri deri te votimi në qeveri që është bërë në dhjetor”, tha tutje ai.

Ndërkaq, anëtari i komisionit nga LDK-ja, Agim Veliu, tha se ky ligj ka nevojë për plotësim ndryshim sepse sipas tij janë vërejtur shumë mangësi.

“Ka kohë të gjatë që ky ligj nuk ka pësu ndonjë plotësim ndryshim. Nga përvoja ime ka pas situata të ndryshme që nuk kanë qenë të rregulluara me këtë ligj. Kemi humb shumë kohë në interpretime. Mendimi im është që ky ligj sa më shpejtë të plotësohet e ndryshohet. Në këtë proces duhet të përfshihen edhe kryetarët e komunave sepse disa nga çështjet që duhet të ndryshohen i tha edhe ministri”, tha Veliu.

Me 6 vota për dhe dy abstenime nga deputetët e PDK-së ky projektligj ka kaluar.

Ministri Elbert Krasniqi ka prezantuar edhe shqyrtimin në parim të Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë.

“Projektligji themelon grantin për performancë dhe cakton vlerën e grantit për performancë”, tha Krasniqi.

“Kushdo që është ministër nuk mund të vendos për anulimin e grantit të performancës”, tha Krasniqi.

Deputeti Agim Veliu, nga LDK tha se në të kaluarën janë bërë përzgjedhje në bazë të preferencave e jo në bazë të kritereve.

“Është mirë të rregullohet kjo çështje dhe performanca të rregullohet në bazë të kritereve. Do të angazhohem që edhe grupi parlamentar i LDK-së të jetë pro miratimit të një ligji të tillë”, tha ai.

Edhe ky projektligj ka marr gjitha votat për dhe është miratuar në parim.