Vushtrri: 140 mijë euro kushtoi studimi, 250 mijë euro ndahen për efektet e pandemisë

KALLXO.com gjatë muajit shtator ka raportuar se Komuna e Vushtrrisë ka planifikuar të shpenzojë 140 mijë euro për të bërë një studimin mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në këtë qytet.

Komuna që udhëhiqet nga Xhafer Tahiri e ka nënshkruar kontratën me kompaninë “M Holding” për të kryer një studim në lidhje me ndikimin që ka pasur pandemia COVID-19 në këtë qytet.

Në lidhje me këtë studim, i pari i Vushtrrisë kishte folur edhe në emisionin Jeta në Komunë, përballë Jeta Xharrës.

Tahiri ka thënë se përmes këtij studimi synon që të nxjerrë projekte konkrete të rimëkëmbjës ekonomike.

“Neve si shtab emergjent kemi paraparë një dëm shumë të madh ekonomik. Vushtrria është ndër komunat më të prekura. Ne do të bëjmë një studim që do të kemi 10 projekte të rimëkëmbjes ekonomike. Synimi është që të kemi këto projekte. Nuk e di kush e ka marrë për ta bërë këtë studim. Ne kemi vendos që paratë e dezifektimit ti shpenzojmë dikun tjetër”, tha ai.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Vushtrrisë nëse kompania e kontraktuar për këtë studim ka filluar punën.

“Po, kompania e kontraktuar ka filluar punën dhe ofrimin e shërbimeve të saja konform afateve të parapara në kontratë. Kjo kontratë, si edhe kontratat tjera, kanë afatet e tyre të ligjshme se kur fillojnë edhe kur mbarojnë, më saktësisht parashihet të përfundojë më 30 nëntor 2020”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vushtrrisë.

Sipas Komunës së Vushtrrisë, shërbimet e kontraktuara nga operatori fitues i kësaj kontrate nuk janë vetëm hulumtimi dhe realizimi i një studimi.

“Me këtë kontratë ne si komunë kemi kontraktuar disa shërbime konsulente për të cilat vet nuk kemi pasur kapacitete, dhe këto shërbime, dinamike na ofrohen në vazhdimësi, ashtu siç janë paraparë në planin dinamik të realizimit të punimeve. Pra, marrja e këtyre shërbimeve e mbi të gjitha edhe përfitimi i shërbimeve do të jetë proces i vazhdueshëm edhe pas përfundimit të kontratës, meqë me këtë kontratë jemi duke krijuar mekanizma shtesë për zhvillim ekonomik në komunën tonë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se në bazë të rezultateve të deritanishme, ka ndarë buxhet 250 mijë euro për ekonominë në Vushtrri.

“Rezultatet e deritanishme kanë tejkaluar pritshmeritë e të gjithë neve. Deri më tani, krahas një pasqyrë reale për dëmin e shkaktuar në komunë, ne si qeverisje lokale por edhe me ndihmën kompanisë së kontraktuar krahas tjerash, kemi arritur të bëjmë një rishikim të mirëfilltë të buxhetit si për këtë vitë, ashtu edhe për vitin 2021, kemi arritur të jemi me efiqient dhe efikas në zgjidhjen e problemeve të komunitetit tonë, ku krahas shume lehtësimeve administrative e fiskale qe u kemi bërë akterëve ekonomik në komunën tonë, jemi ndër komunat e para që do të bëjmë edhe mbështetje të drejtperdrejtë financiare për ekonomi në vlerë prej 250 mijë euro, përmes këtij studimi kemi arritur të fuqizojmë bashkëpunimin mes ndërmarrjeve, qytetarëve, bujqëve dhe komunës por mbi të gjitha, kjo kontratë ka pas ndikim shumë edhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në komunë dhe tek të gjithë akterët e involvuar në proces”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vushtrrisë.

Sipas Komunës së Vushtrrisë, synimi i këtij studimi është që të ndihmojë ekonominë lokale në zhvillim, të asistoj bizneset, bujqit e fermerët në zhvillimin e bizneseve e edhe ne qasjen në fonde publike, paralelisht do të synoj rritjen e biznesit formal, formalizimin e saj e në veçanti t’i jap mundësi projekteve infrastrukturore që ndihkojnë drejtpërdrejt në ekonomitë familjare.