Pse feja nuk është faktori i vetëm që tensionon marrëdhëniet mes Serbisë dhe Malit të Zi?

Priftërinjtë ortodoksë shihen të veshur me rrobat e tyre të gjata e të zeza, duke dalë me nxitim nga helikopteri ndërkohë që flokët dhe mjekrat e tyre të gjata valviten nga era që vie nga helikat e helikopterit.

Policia anti-trazira shpalos me shpejtësi një batanije të zezë me fije qelqi për t’i mbrojtur ata, ndërkohë që të tjerët në gatishmëri me pushkë automatike, rrethojnë perimetrin atypari.

Demonstruesit mblidhen në një barrikadë të ngritur për të bllokuar rrugët hyrëse në Cetinje gjatë një proteste kundër inaugurimit të kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe – Foto: AFP  –

Jo, kjo nuk është një skenë nga dokumentari Apocalipse Now.

Fundjavën e kaluar Mali i Zi, i njohur më shumë për bregdetin e tij të bukur, vargjet malore e të thepisura u bë epiqendra e një krize të re ballkanike.

Kjo ndodhi kur Kisha Ortodokse Serbe (KOS) instaloi një udhëheqës të ri në një ceremoni në Mal të Zi, duke i zemëruar disa malazezë që e panë atë si një simbol të ndikimit nga fqinji i saj më i madh.

KOS humbi edhe patriarkun e saj, ose kreun e kishës, dhe kreun e degës së tij në Malin e Zi, të titulluar si metropolitane, në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar. Të dy u infektuan me COVID-19 dhe vdiqën brenda më pak se një muaji.

Trazirat ndodhën në Cetinje. Foto: Euronews

Cila është historia që qëndron prapa kësaj zhurme

Serbia dhe Mali i Zi janë vende fqinje që të huajt do t’i konsideronin të ngjashëm nga pikëpamja kulturore dhe historike. Megjithatë, midis këtyre dy sllave të Evropës Jugore, janë dallimet ato në të cilat grupet etnike përkatëse kapen më fort dhe që ndërtojnë bazën për identitetet e tyre kombëtare-veçanërisht në epokën post-socialiste.

Mali i Zi kishte një rrugë qarkore drejt pavarësisë që ndryshon shumë nga ajo e shumicës së kombeve ballkanike apo edhe evropiane. Fillimisht u bë një principatë e pavarur në vitin 1852, e cila është gjithashtu hera e parë që shpalli ndarjen e pushtetit ndërmejt kishës dhe shtetit.

Një dekret parlamentar i vitit 1918 bëri që Mali i Zi, i cili u shpall mbretëri në vitin 1910, t’i bashkohet Serbisë dhe më pas të bëhet pjesë e Mbretërisë së Jugosllavisë.

Mbreti malazez në atë kohë, Nikolla Petroviq I, iku në Marsejë në vitin 1916 pas kapitullimit dhe pushtimit të vendit nga Austro-Hungaria dhe krijoi një qeveri në mërgim.

Petroviq dhe familja mbretërore serbe, Karagjorgjeviqët, tashmë po grindeshin se si duhet ndarë pushteti para se mbreti Nikolla I të largohej nga vendi. Në mungesë të tij, dhe me ushtrinë serbe ende aty në fundin e Luftës së Parë Botërore, një komitet i caktuar nga qeveria serbe ngriti një asamble ad hoc në Podgoricë për ta zyrtarizuar sundimin Karagjorgjeviq mbi Malin e Zi dhe bashkimin e tij me Serbinë.

Një titull në The New York Times në atë kohë e quante atë “Asgjësimi i një kombi“. Përkrahësit e mbetur të mbretit Nikolla refuzuan bashkimin, të cilin ata e panë më shumë si një aneksim, dhe madje nxitën rebelimin e Krishtlindjeve të vitit 1919, ndërsa Nikolla i bëri peticion Konferencës së Paqes në Paris për ta rikthyer pavarësinë e Malit të Zi. Peticioni u refuzua.

Ndërkohë që identitetet etnike kishin një kuptim krejtësisht të ndryshëm në atë kohë, një nga arsyet pse një pjesë e popullsisë vendase pranoi Karagjorgjeviqët ishte sepse edhe ata kishin trashëgiminë malazeze. Edhe atëherë, kishte debate për identitetin malazez kundrejt atij serb.

Bashkimi politik i hapi rrugën ri-themelimit të Kishës Ortodokse Serbe në vitin 1920 me dekretin e mbretit jugosllav, Aleksandar I Karagjorgjeviq, me idenë e bashkimit të të gjitha krahinave dhe e partive kishtare ortodokse nën një urdhër.

“Me Kishën Ortodokse Autoktone Malazeze (KOM) tani të reduktuar në një metropolitane ose degë të KOS, KOS përfitoi nga bashkimi, duke fituar të drejta për pronën e përgjithshme që konsiderohet se i përket Kishës Ortodokse.

Gjëja kryesore që duhet mbajtur mend është se ky moment në histori, kur kishat dhe prona e tyre në Mal të Zi u bënë pronë e Serbisë – dhe më pas, pronë e Kishës Ortodokse Serbe – do të shfaqej një shekull më vonë.

Betejë  për shpirtin e vendit

Megjithatë për shkak të ngjashmërive të tyre – përfshirë faktin se malazezët etnikë dhe serbët etnikë janë besimtarë ortodoksë lindorë – shumë në Malin e Zi mendojnë se Serbia ka preferuar ti fshijë dallimet e tyre në favor të saj, në vend që t’u japë fqinjëve të tyre të drejtën të përcaktojnë atë që ata e quajnë veten, gjuhën dhe kishën e tyre.

Kjo është arsyeja pse qindra malazezë u mblodhën në Cetinje të shtunën e kaluar, duke ngritur barrikada me gurë dhe goma makinash, duke bllokuar rrugën me qëllim të parandalimit të shenjtërimit të metropolitit të ri.

Cetinje, një qytet i themeluar në shekullin e 15 -të, ndodhet në rrëzë të malit Lovqen dhe ishte selia e familjes mbretërore. Shtëpia e shtypshkronjës së parë në Evropën Juglindore dhe Manastirit Cetinje, ajo konsiderohet gjerësisht djepi i kulturës malazeze.

Të dielën në mëngjes, pa asnjë shenjë të shtyrjes së inaugurimit, protestat u bënë të tensionuara. Policia u përpoq të shpërndajë turmat duke gjuajtur në mënyrë të përsëritur me gaz lotsjellës dhe granata ndezëse ndaj protestuesve të mbledhur në shëtitoren qendrore të Cetinjes.

Me bllokadën që hyri në ditën e dytë dhe me rrugët drejt qytetit ende të bllokuara, metropolitani u dërgua nga Podgorica me helikopter. Joanikije dhe Patriarku Porfirije u shoqëruan me shpejtësi në manastir, dhe pas një ceremonie të shkurtër, u kthyen përsëri në Podgoricë, ndërsa Cetinje ishte ende e mbuluar me një re gazi lotsjellës.

Një total prej 60 personash u raportuan si të plagosur – 20 policë dhe 40 qytetarë.

Pas nisjes për në Beograd të dielën, Patriarku Porfirije deklaroi përmes një postimi në Instagram se po largohet “nga kjo tokë e bekuar dhe njerëz me ndjenja të përziera”.

“Falënderoj të gjithë dhe më vjen keq për të gjithë ata që janë lënduar në një farë mënyre dhe kërkoj falje. Unë i lutem Zotit për këtë vend, këta njerëz dhe të gjithë njerëzit dhe i kërkoj të luten për mua, sepse ata janë më afër Zotit,” përfundoi ai.

Qeveria e koalicionit të Malit të Zi ishte e ndarë në mënyrën se si të merrej me krizën.

Përderisa kryeministri Zdravko Krivokapiq përmes mediave sociale bëri thirrje për paqe në kulmin e protestave, partneri i tij në koalicionin qeverisës, URA, kërkoi që ceremonia të zhvillohej diku tjetër.

Nënkryetarja e URA -s, Jovana Maroviq, tha për Euronews se krerët e kishës e refuzuan këtë.

“URA bëri disa thirrje që shenjtërimi i Mitropolitit të zhvendosej në një vend tjetër për shkak të rreziqeve që ndërlidhen me sigurinë dhe rritjes së tensioneve. Mitropolia nuk donte ta merrte parasysh atë opsion, pavarësisht barrikadave në rrugë dhe rreziqeve të tjera. Opsioni i vetëm i mbetur për qeverinë ishte të garantonte sigurinë e qytetarëve në Cetinje dhe të përpiqej që ngjarja të zhvillohej pa incidente të rëndësishme,” shpjegoi ajo.

Megjithatë, kjo do të thoshte se qeveria duhej të merrte anë, ose asnjë fare – të dyja ishin zgjedhje të vështira, sipas Maroviq.

“Një segment i qytetarëve dhe partive politike kishin pritur që qeveria të zgjidhte midis dy të drejtave të garantuara, midis së drejtës së grumbullimit dhe të drejtës për liritë fetare. Megjithatë, të gjitha të drejtat janë të garantuara dhe janë të barabarta, kështu që qeveria u përpoq t’i siguronte të dyja. ”

Protestuesit ishin të zemëruar që qeveria e tyre siguroi një helikopter për ceremoninë, ndërsa të tjerët u mërzitën që Kryeministri Krivokapiq mori pjesë në një drekë festive me KOS-in menjëherë pas ngjarjes në Cetinje. Megjithatë, të tjerët menduan se duhej të kishte reagime më të ashpra ndaj bllokadave në rrugë.

“Disa parti në koalicionin qeverisës reaguan ashpër ndaj ngjarjeve të së dielës, kështu që mund të presim që betejat politike të bëhen edhe më intensive,” tha ajo. URA është pozicionuar si lëvizja e vetme e vërtetë qytetare e vendit. Është partneri i vogël i koalicionit në një qeveri të formuar nga Krivokapiq “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, një parti populliste që nxori jashtë Partinë Demokratike të Socialistëve, ose DPS, në pushtet në zgjedhjet e mbajtura vitin e kaluar.

Krivokapiq, profesor universitar malazez, u bë i famshëm gjatë një serie protestash në reagim ndaj një ligji mbi fenë e filluar në fund të vitit 2019. Ligji kishte për qëllim të kthente në mënyrë efektive marrjen e asaj që dikur ishte pronë e kishës malazeze pas vitit 1918 dhe kthimin e saj në shtet. Protestat u udhëhoqën nga anëtarë të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

Ligji origjinal i propozuar nga DPS i në fund të dhjetorit të vitit 2019 – i quajtur “Ligji për Liritë Fetare” – u zotua ta kthejë të gjithë pronën e dhënë në KOS pas vitit 1918, përveç nëse ata kishin dëshmi të pronësisë para atij viti.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije (në qendër) dhe Mitropoliti Joanikije, (majtas). Foto: AP

Identiteti kombëtar kundrejt atij religjioz 

Roli i KOS -it nuk ishte kurrë thjesht i një institucioni fetar, shpjegon Ivan Videnoviq, profesor i asociuar në Universitetin e Beogradit.

“KOS me doktrinën e tij “një besim, një popull” ishte një aktor i rëndësishëm politik në të gjitha fazat e historisë moderne të Ballkanit në të cilën kishte ndonjë ndikim,” thotë Videnoviq.

Kur KOS fillimisht mori pronat e kishës në fillim të shekullit të 20-të dhe u bë ‘ombrellë’ kryesore për të gjitha Kishat Ortodokse Lindore në rajon, ajo e bëri këtë për të centralizuar besimtarët ortodoksë në një rajon ku besimtarët katolikë dhe myslimanë ishin gjithashtu të zakonshëm.

A mund të jeni serb dhe jo ortodoks? Apo ortodoks dhe joserb? Në atë kohë, dhe veçanërisht para shekullit të 20 -të, po. Por ndërsa kisha u bë më e fuqishme dhe krijoi lidhje më të forta me projektin politik të kombit-shtet serb, kjo u bë më pak e pranueshme.

“Kjo doktrinë nuk e njeh ekzistencën e serbëve myslimanë ose serbëve katolikë, ashtu siç nuk njeh ekzistencën e malazezëve ortodoksë ose maqedonasve ortodoksë,” shpjegoi Videnoviq.

Kjo është arsyeja pse disa malazezë kanë ndjenja të forta për të pasur Kishën e tyre autoqefale ose të njohur si të pavarur. Nëse njëra palë kaloi shekullin e kaluar duke pretenduar se nëse ishit pjesë e Kishës Ortodokse Serbe keni qenë serb, atëherë ka nevojë për një kishë ortodokse malazeze.

“Kjo e lë shumicën e popullsisë malazeze në një shtet civil si Mali i Zi ose pa kishën e vet ose në një situatë për t’iu përkulur kishës që nuk njeh origjinën e tyre etnike ose gjuhën e tyre. Mohimi i identitetit malazez në vitet e kaluara ishte shpesh i shoqëruar me shpërthime të gjuhës së urrejtjes nga personalitetet e KOS -it ndaj grupit etnik malazez ose qeverisë së Malit të Zi,” tha ai.

Mali i Zi: kriza e fundit jugosllave

Mali i Zi u bë një territor i veçantë përsëri pas Luftës së Dytë Botërore si një nga gjashtë republikat e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Ndërkohë që respektimi i ideologjisë komuniste të sekularizmit u dobësua dhe tendencat nacionaliste u bënë më të dukshme, KOS -i rifitoi rëndësinë e tij si një faktor kyç politik.

Slobodan Milosheviqi, një aparatçik komunist i cili më vonë u bë përkrahësi kryesor i nacionalizmit serb, e kuptoi se ai kishte nevojë për kishën si një mjet për të bërë bashkë serbët etnikë rreth misionit të tij politik. Nxitja e ndjenjave ultranacionaliste serbe nga Millosheviqi qysh në mesin e viteve 1980 konsiderohet gjerësisht si një nga shkaktarët kryesorë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë dhe luftërave pasuese.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, Mali i Zi ishte i vetmi nga gjashtë republikat e Jugosllavisë që mbeti bashkë me Serbinë. Në një moment kur linjat e konfliktit ishin midis atyre që konsideroheshin katolikë, myslimanë, ortodoksë apo shqiptarë, dy kombet kryesore ortodokse në Jugosllavi – serbët dhe malazezët – nuk u përplasën hapur ose u përfshinë në luftë. Në fakt, Mali i Zi mori pjesë në luftëra së bashku me Serbinë. Presidenti aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ishte një nga aleatët më të afërt të Millosheviqit – të paktën në fillim.

Gjukanoviq ka qenë aktor kryesor politik në Malin e Zi që nga fundi i viteve 1980, kur ai u bë i famshëm me mbështetjen e Millosheviqit. Duke filluar në vitin 1991, ai shërbeu si Kryeministër i vendit katër herë dhe është në mandatin e tij të dytë si president. Edhe pse fillimisht, ai ishte besnik ndaj kauzës së Millosheviqit, pasi qeveria e tij dërgoi trupa në Kroaci dhe luajti një rol në luftën në Bosnjë, Gjukanoviq bëri një kthesë në mes të viteve 1990, duke kritikuar hapur Millosheviqin dhe regjimin e tij dhe përfundimisht duke e distancuar vetën e tij dhe Maliin e Zi nga Serbia krejtësisht.

Burimi kryesor i financiar i retorikës politike të Gjukanoviqit dhe arsyeja kryesore e jetëgjatësisë së tij të pazakontë politike – aq e dëmtuar sa ka qenë me akuzat e vazhdueshme për korrupsion të madh dhe pjesëmarrje në krimin e organizuar – është e ndërlidhur me  ndryshimin e mendimit të tij me të duke u bërë avokati kryesor i identitet malazez si një koncept i veçantë dhe i dallueshëm.

Propozimi i partisë së tij për t’ia marrë pronën e KOS ishte një hap i ekzagjeruar, megjithatë, edhe Gjukanoviq nënvlerësoi fuqinë që KOS kishte në Mal të Zi. Kjo u shfrytëzua në mënyrë aktive nga qeveria serbe, e cila sipas Videnoviq, ka instrumentalizuar KOS-in që të rimarrë një pjesë të ndikimit të saj të humbur që nga viti 2006.

“Qeveria në Beograd është faktori kryesor përgjegjës për situatën aktuale, për të luajtur interesin e rrezikuar kolektiv të serbëve në një vend ku të drejtat e vërteta të njeriut nuk iu mohuan kurrë askujt, për përfshirjen e KOS-it në garën elektorale [2020], dhe për të ndikuar në emërimin e qeverisë aktuale të Malit të Zi, pohon Videnoviq.

Tymi del nga gomat e djegura të cilat protestuesit i vunë zjarrin njërës prej bllokadave pranë Cetinjes, Mali i Zi, të Dielën, 5 Shtator 2021. Foto: AP

“Kjo është arsyeja pse malazezët etnikë e perceptojnë qeverinë aktuale si kukull të Beogradit, ndërsa i gjithë procesi i klerikalizimit të vendit shihet më tej si një përpjekje për të hequr identitetin e tyre kombëtar, pavarësinë e shtetit dhe marrëveshjen ndëretnike.”

Mirëpo qeverisja e mëparshme i presidentit aktual të vendit Milo Gjukanoviq dhe DPS e tij është gjithashtu fajtor.

“Përgjegjësia e Gjukanoviqit qëndron në faktin se ai nuk arriti t’i përfshijë serbët malazezë me orientim drejt Evropës në programin e tij të një shoqërie qytetare, shumëkombëshe. Ata u ndjenë të refuzuar nga vënia e në pah e  tepërt në veçantinë e identitetit malazez deri në kthimin në ndarje arkaike nga e kaluara,” përfundon Videnoviq.

Kundërshtarët e Gjukanoviqit e panë këtë si një mundësi për mbështetje dhe, më në fund, e rrëzuan nga froni. Ndihma e KOS-it u tregua jetike, thotë Ljubomir Filipoviq, aktivist dhe koordinator ekzekutiv i Iniciativës Qytetare 21 Maj. Kjo lëvizje ishte një nga pjesëmarrëset në protestat e fundjavës së kaluar në Cetinje.

“KOS përdori pakënaqësinë për ligjin e pronës së kishës për të nisur një fushatë protestash dhe tubimesh klerikale që përkonin me fushatën parazgjedhore në vend,” tha ai, “dhe subjektet politike pranë këtyre protestave i fituan zgjedhjet në Mal të Zi”.

Një udhëheqje e re nuk do të thotë domosdoshmërisht një udhëheqës më i mirë, beson Filipoviq.

“Një qeveri e korruptuar me një mori problemesh u zëvendësua nga një qeveri tjetër që u angazhua në revizionizëm historik dhe mbështeti ideologjitë që ishin përgjegjëse për euforinë nacionaliste që çoi në konfliktet në vitet 1990,” shpjegon Filipoviq.

“Një ministër në qeverinë aktuale u largua kohët e fundit nga pozita e tij për mohimin e gjenocidit të Srebrenicës. Ata duan të ruajnë pamjen e të qenurit me prirje pro-perëndimore, sepse e dinë se mos veprimi i tillë do të rrezikonte fuqinë e tyre.”

“Ata tani këmbëngulin ta fajësojnë Partinë Demokratike Socialiste për të gjitha problemet në vend, e cila humbi pushtetin dhe postet kryesore në vend, kështu që ata duan që protestat në Cetinje të shihen si rezultat i zemërimit të PDS -së për humbjen e pushtetit – që nuk është e vërtetë, “tha ai.

Sipas Filipoviq, lëvizja protestuese është, në fakt, shumë e larmishme.

“Reduktimi i asaj që njerëzit po e quajnë nacionalizëm malazez është po aq e padrejtë sa reduktimi i të gjithë lëvizjeve fashiste Euromaidan në Ukrainë. Është i përfshirë një spektër i gjerë, nga e majta në të djathtë, por qëllimi ynë është të përmbysim ndikimet politike  të klerikëve dhe serbëve në politikën malazeze,” shpjegon Filipoviq.

Protestat kundër inaugurimit në Cetinje hodhën poshtë aktin simbolik të nënshtrimit të Malit të Zi që do të ndodhte në Cetinje, dhe shumë janë jashtëzakonisht të zemëruar, tha Filipoviq.

Kisha Ortodokse Malazeze, KOM, pavarësia kishtare ose autoqefalia e së cilës nuk u njoh kurrë zyrtarisht, pati një ringjallje në fillim të viteve 1990 dhe u bë një komunitet fetar i njohur nga qeveria e vendit në 1999.

Një sondazh i vitit 2020 nga një OJQ malazeze CEDEM tregoi se rreth 10 për qind e besimtarëve të krishterë ortodoksë të Malit të Zi e shohin atë si kishën e tyre. Ka mitropolitin e tij, Mihailo, gjithashtu të fronuar në Cetinje.

Mirëpo KOM ka pak ose aspak ndikim politik në atë që ndodh në Malin e Zi – një kontrast i qartë me drejtuesit e KOS-it, të cilët janë shumë të pranishëm në publik dhe shpesh të hapur në pikëpamjet e tyre ultrakonservative.

Paraardhësi i Joanikije, Amfilohije, përkrahu në mënyrë të famshme udhëheqësin serb të Bosnjës të kohës së luftës, Radovan Karaxhiq, duke pranuar në vitin 2010 se ai i ofroi atij një vend për t’u fshehur pasi Tribunali Ndërkombëtar me seli në Hagë, ICTY, paditi Karaxhiçin për krime lufte në Bosnjë menjëherë pas luftës 1992-1995.

“Të gjithë ndjehen keq pas së dielës”

Inaugurimi i së dielës i metropolit të ri tani ka njollosur trashëgiminë e Joanikije që nga fillimi i kryesimit të tij, sipas Daliborka Uljareviq, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Edukimin Qytetar, një organizatë jofitimprurëse e shoqërisë civile malazeze.

“Në vend që të ishte një ngjarje dinjitoze, ata duheshin kontrabanduar në manastir të rrethuar nga policia me pushkë automatike. Si mund të jetojë dikush që është një i krishterë i vërtetë me peshën e një shenjtërimi të tillë?”

“KOS nuk është fitues këtu,” tha Uljareviq. “Kisha duhet të ketë një ndikim pajtues në shoqëri, dhe jo të kundërtën. Të përpiqet të gjejë zgjidhje që janë jashtë kornizës së pritshme dhe të mos provokojë tensionet.”

“Unë mendoj se deklarata e Metropolitanit Joanikije se ai do të punojë në dialog dhe pajtim është hipokrite, duke pasur parasysh se ai humbi legjitimitetin për të diskutuar këto tema duke e shtyrë përpara këtë ngjarje,” tha ajo.

“Ai mund të kishte fituar kaq shumë mbështetje dhe legjitimitet nëse ai vetë do të kishte vendosur të tërhiqej nga ceremonia dhe të thoshte që unë shoh që kjo po antagonizon shoqërinë.”

Për qytetarët malazezë të të gjitha etnive, një shtresë tjetër frustrimi vjen nga fakti se kompleksiteti i situatës është i panjohur dhe konfuz për shumë persona jashtë Malit të Zi, duke e bërë të vështirë të kuptohet edhe për fqinjët më të afërt të Malit të Zi.

“Mali i Zi nuk tërhoqi shumë vëmendje për shumë vite – nuk ishte një problem rajonal,” tha Uljareviq.

“Këto vitet e kaluara, pyetjet që më parë ishin një çështje jashtëzakonisht e brendshme dhe që ishin komplekse për t’u marrë me shoqërinë malazeze tani janë përhapur jashtë kufijve tanë.”

Kur bëhet fjalë për gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe ribashkimin e vendit dhe qytetarëve të tij, kjo nuk është një çështje që mund të zgjidhet brenda natës sipas Uljareviq – pavarësisht tonit urues të Kryeministrit Krivokapiq në një konferencë shtypi të hënën, ku ai tha se Mali i Zi është tani i lirë të kalojë në zgjidhjen e çështjeve të tjera, siç janë problemet e saj ekonomike.

“Unë do ta përkufizoja atë që po ndodh në Malin e Zi si një çështje politike që është shkrirë me një çështje fetare dhe identiteti, e cila më pas nxjerr në pah emocione të ndryshme dhe mobilizon njerëzit”, tha ajo.

“Shoqëria malazeze tani duhet të kthehet dhe të adresojë çështjet që u mbajtën në prapavijë dhe të përpiqet të arrijë një marrëveshje për atë lloj vendi që duam”. euronews

Përktheu: Nuhi Shala