Johannes Hahn

‘Misteret’ e vizitës së Johannes Hahn në Kosovë

Taksa doganore prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake, më 3 dhjetor të vitit të kaluar, e kishte detyruar Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn që të vizitojë Kosovën dhe të kërkojë heqjen e vendimit.

Vizita e Hahn në Kosovë më 3 dhjetor të 2018 ishte paralajmëruar tri ditë më herët, me 30 nëntor.

Ndërkaq, një muaj më pas, opinioni kosovar u njoftua vetëm një ditë më herët, se komisioneri Hahn sërish do ta vizitojë Kosovën, vizitë kjo e para e tij për vitin 2019 në Ballkanin Perëndimor.

Me 16 janar, Zyra e Kryeministrit të Kosovës kishte njoftuar se kreu i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj do ta priste në takim Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn me datë 17 janar, në orën 16:45 dhe se nga takimi, për mediat do të kishte vetëm pamje.

Dhe kështu ndodhi. Zyrtari i lartë i BE-së dhe qeveria nuk mbajtën  konferenca për media pas takimit dhe në njoftime të shkurtra nuk e përmendën fare çështjen e taksës.

https://kallxo.com/haradinaj-me-hahn-ne-takim-te-mbyllur/

Hahn përmes një postimi në profilin e tij në Twitter, tha se në këtë takim u bisedua për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Vizita e parë e vitit 2019 në rajon: Prishtina e bardhë: pata një diskutim të mirë dhe të hapur me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrat. Duke shpresuar që të punojë ngushtë në të gjitha çështjet e hapura këtë vit, kështu që #Kosova mund të përparojë në rrugën e saj drejt BE”, ka shkruar Hahn të enjten.

Se çka u bisedua në Qeveri të Kosovës, virtualisht njoftoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryeministri kosovar, përmes Facebook-ut u shpreh se në takimin me Hahn është biseduar për agjendën europiane dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën evropiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lire”, ka shkruar ai.

As Haradinaj nuk ka bërë të ditur, nëse në këtë takim është biseduar për heqjen e taksës 100% për produktet serbe.

Lidhur më këto zhvillime, analisti i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Murati, për Gazetën Jeta në Kosovë, thotë se Hahn dhe Haradinaj nuk patën deklarime para mediave për shkak se nuk ka pasur ndërrim qëndrimesh nga asnjëra palë.

Kur e kishte vizituar Kosovën në dhjetor të vitit të kaluar, komisioneri Johannes Hahn ishte pritur me këtë baner në rrethojën e Qeverisë së Kosovës. Foto: Xhavit Drenori/Facebook

“Ideja është që nuk kanë çfarë të deklarojnë para mediave, as kryeministri e as Johannes Hahn sepse nuk ka ndryshim të qëndrimeve në raportet mes Kosovës dhe BE-së. Janë çështje të cilat Kosova i kërkon dhe të cilat BE-së nuk është duke arrit me i përmbushë dhe në të njëjtën kohë BE ka kërkesa të cilat  Kosova po refuzon t’i plotësojë”, vlerësoi Murati.

Sipas tij, këto kërkesa kanë të bëjnë me çështjen e taksës në njërën anë  dhe atë të liberalizimit të vizave në anën tjetër.

Çfarë deklaroi komisioneri Hahn gjatë vizitave të fundit në Kosovë?

Muajve të fundit, Kosova priti disa vizita të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ato të Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

Vitin e kaluar, komisioneri Hahn ishte shprehur ashpër kundër masës doganore ndaj Serbisë.

Ai kishte thënë që BE-ja është befasuar dhe zhgënjyer nga vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake dhe se ky vendim nuk duhet të mbes në fuqi.

Për të njëjtën çështje, zyrtari i lartë i BE-së ishte deklaruar edhe në Beograd të Serbisë, pak para se ta vizitonte Kosovën në muajin dhjetor.

Hahn në Serbi ishte takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe sipas raportimeve të mediave serbe, tema kryesore e bisedimeve midis Komisionerit Hahn, Beogradit dhe Prishtinës ishte vendimi i autoriteteve të Kosovës për taksën doganore.

Përveç dy vizitave të fundit, Hahn kishte vizituar Kosovën edhe në muajin shkurt të 2018-ës bashkë me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Foto: ZKM

Vizita e zyrtarëve të lartë të BE-së ishte zhvilluar në kohën kur po kërkohej me ngulm që të miratoje marrëveshja e Demarkacionit për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, e cila u  miratua më pas në Kuvend në muajin mars.

Lidhur me këtë takim, Hahn kishte qenë më specifik me deklarata. Ai kishte kërkuar të miratohej Demarkacioni dhe t’i hapej rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Gjatë dialogut me qytetarët në Prishtinë: kriteret e liberalizimit të vizave janë të përshtatura. Vendimtar është trajtimi i dy kritereve të mbetura. Demarkacioni i kufirit nuk do të bëhet më i lehtë me kalimin e kohës. Tani është momenti për të vepruar”, kishte shkruar Hahn në Tëitter një vit më parë.

Polemikat Haradinaj – Mogherini, reflektim i raporteve të reja Kosovë – BE