Kontrolluesi i fakteve të BIRN: “Aneksi i impelementimit” të marrëveshjes Kosovë - Serbi nuk po implementohet

Para bisedimeve që kanë filluar sot në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, BIRN ka një vështrim mbi (mos)zbatimin e udhërrëfyesit drejt ‘normalizimit’.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, do të takohen për ta diskutuar implementimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo një vështrim më i afërt në aneksin e marrëveshjes i cili i përcakton hapat konkretë që nevojiten për t’u ndërmarrë tregon vetëm progres minimal.

Sipas një marrëveshjeje prej 11 pikash të dakorduar në muajin shkurt, Serbia dhe Kosova angazhohen për të zhvilluar marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta, një gjendje kjo që do ta përfaqësonte një përmirësim të madh në marrëdhëniet e tyre aktuale.

Në muajin mars, në qytetin buzë liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, u ra dakord për një aneks implementimi, duke i përcaktuar shtatë hapa për arritjen e qëllimit të marrëveshjes së shkurtit.

Megjithatë, përtej miratimit të një deklarate për personat e zhdukur dhe themelimit të një komiteti të përbashkët për ta monitoruar implementimin, pak më shumë është bërë, duke ngritur pyetje të reja në lidhje me efektivitetin e ndërmjetësimit të BE-së midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Na duhet ende ta vëzhgojmë ndonjë progres esencial në implementimin e marrëveshjes së Ohrit,” tha Gezim Visoka, profesor i asociuar i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit në Irlandë. “Kjo rrjedh pjesërisht nga ngjarjet që çuan në këtë marrëveshje, ndryshimet e minutës së fundit dhe ngjarjet pasuese që e prishën krejt procesin.”

“BE-ja ka bërë një gabim kur insistoi në arritjen e një marrëveshjeje me çdo kusht, sepse shkaktoi një mosmarrëveshje dhe humbi momentumin që pastaj mori edhe pak kohë për t’u ndërtuar. Në veçanti, BE-ja nuk ka treguar prova të mjaftueshme se ka krijuar një arkitekturë të qëndrueshme për implementimin e marrëveshjeve të kaluara dhe të tanishme.”

“Paqartësi dhe fshehtësi”

Një muaj pas aneks marrëveshjes në Ohër, Kosova dhe Serbia themeluan një Komitet të Përbashkët Monitorues të kryesuar nga i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak. Kosova përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, ish-gazetari Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori i saj me Prishtinën, Petar Petkoviq.

“Detyra e komisionit të përbashkët është ta mbikëqyrë impelementimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj”, tha një zëdhënës i BE-së.

Në kohën kur u themelua, në muajin prill, BE tha se komiteti do të takohet “në baza të rregullta” në Bruksel. Megjithatë, është e paqartë nëse takimi i parë është mbajtur.

Visoka tha se “paqartësia dhe fshehtësia” i kanë minuar masat e mirëbesimit. “I ka ftuar palët të ndërmarrin veprime të njëanshme për ta formësuar gjendjen e punëve në terren,” tha ai për BIRN.

Visoka argumentoi se “struktura dhe funksionet” e komitetit duhej të ishin bërë publike dhe plani i veprimeve është bërë shpejt “për t’i zbatuar në mënyrë vijuese të gjitha dispozitat e marrëveshjes së Ohrit”.

Më 2 maj në Bruksel, Kurti dhe Vuçiç i lanë mënjanë vite me mosmarrëveshjeje për ta miratuar një deklaratë për personat e zhdukur dhe për të ndihmuar përpjekjet për gjurmimin e atyre  që ende konsiderohen të zhdukur nga lufta e Kosovës 1998-99, si serbë ashtu edhe shqiptarë.

Të dy liderët u zotuan të “sigurojnë qasje të plotë në informacion të besueshëm dhe të saktë që ndihmon në gjetjen dhe identifikimin e personave të mbetur të zhdukur brenda kornizës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000”.

Për aq sa BIRN është në dijeni, që atëherë nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret lidhur me këtë.

Argumentet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Sipas marrëveshjes së implementimit të Ohrit, Kosova u zotua për ta siguruar “një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, një aludim për një asociacion të dakorduar më parë të komunave me shumicë serbe e që Kurti i ka rezistuar thëmelimit.

Sipas Visokës tensionet në Kosovën veriore dhe më pak biseda nga Perëndimi për një marrëveshje detyruese për “njohjen reciproke” – të gjitha përpara marrëveshjes së Ohrit – e e kanë “thelluar dyshimin e Kosovës se ata mund të bllokoheshin sërish dhe të detyrohen të bëjnë lëshime të padëshiruara”.

Ai akuzoi Perëndimin se po bën “presion të njëanshëm” mbi Kosovën për t’i dhënë përparësi themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe e u shpreh kritik ndaj mosgatishmërisë së Serbisë për ta vënë në letër marrëveshjen në Ohër.

“BE-ja bëri një gabim kur insistoi në arritjen e një marrëveshjeje me çdo kusht, sepse kësisoji shkaktoi një mosmarrëveshje dhe humbi atë momentum për të cilin ishte nevojtiur kohë për t’u ndërtuar.”

Kritikët e Kosovës, megjithatë, thonë se edhe ajo ka shkelur një marrëveshje të mëparshme për themelimin e Asociacionit dhe tani Kurti dëshiron ta shkruajë versionin e tij, një version për të cilin ai thotë se do ta shmangë llojin e ndarjes etnike të aplikuar në Bosnje dhe Hercegovinë në fund të luftës atje gjatë viteve 1992-95.

Duke qenë edhe një herë nën presionin e aleatëve të saj perëndimorë, Kosova ka rënë dakord që t’i përsërisë zgjedhjet në katër komuna veriore, me shumicë serbe, pas bojkotit serb për herë të parë në muajin prill dhe pas protestave të dhunshme pasuese për një përpjekje për vendosjen e kryetarëvce të komunave shqiptarë etnikë.

Serbët vendas, megjithatë, përsëri hezitojnë të marrin pjesë, duke këmbëngulur që Prishtina zyrtare duhet ta përmbushë zotimin e saj ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më pak para, jo më shumë

Në bazë të marrëveshjes së Ohrit, BE-ja e pengoi perspektivën e një konference donatorësh që përfshinte një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë nëse ato i implementojnë plotësisht të gjitha kushtet.

Por në vend që të marrë para, Kosova është goditur me një sërë sanksionesh financiare nga BE-ja për rolin e saj në nxitjen e tensioneve në veri.

Lidhur me këto sanskione financiare, Visoka tha se ishte bërë “shumë dëm”.

“Masat kufizuese kundër Kosovës u ofrojnë aleatëve dhe shteteve mosnjohëse të Serbisë [pavarësisë së Kosovës] brenda BE-së një levë tejet me rëndësi për të ushtruar presion të njëanshëm ndaj Kosovës për të bërë lëshime të mëtejshme,” tha ai për BIRN.

Duke i nxitur pretendimet për standarde të dyfishta, në muajin prill, Serbia votoi kundër përcjelljes së një kërkese për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit, pavarësisht se ra dakord sipas marrëveshjes së normalizimit të shkurtit për t’i ndaluar përpjekjet e saja për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Autoritetet e BE-së kanë thënë vetëm se janë në dijeni të votimit./Balkan Insight

Ky shkrim është publikuar fillimisht në Balkan Insight

Përgatiti: Nuhi Shala