Agim Aliu

Kryetari i koordinuar

Kur u zgjodh kryetar i Ferizajt para gjashtëmbëdhjetë muajve, Agim Aliu ishte i panjohur edhe për banorët e fshatrave përreth fshatit Balaj, ku jeton.

I zhvilluar politikisht nën hijen e politikanit Bajrush Xhemajli, Aliu ka qenë gati i padukshëm, edhe pse është pjesë e të gjitha legjislaturave të Kuvendit komunal, ndërsa e drejtoi atë nga 2007- ta derisa ndërroi pozitë në vitin 2012.

Ende pa u liruar nga hija e Bajrush Xhemajlit, kryetarit të dënuar me dy vjet e gjysmë burg për shkak të një aksidenti të shkaktuar në vitin 2009, vendin e të cilit e zuri, Agim Aliu po identifikohet me një figurë tjetër, atë të deputeti Elmi Reçica, ish-numri 2 i Shërbimit Informativ të Kosovës, pas shefit të tij Kadri Veseli.

Por, sipas kryetarit Aliu, koordinimi me deputetin nga Ferizaji Elmi Reçica, bëhet për të mirën e komunës. Pyetja: A udhëheq ai komunën, apo deputeti Reçica? iu shtrua Aliut, në debatin e Emisionit Jeta në Komunë, të mërkurën me 23 tetor, kur u fol për Ferizajn.

Përgjigjen e Aliut pjesërisht e mbuloi zhurma e simpatizantëve të tij që në sallë e përkrahnin zëshëm. “Unë jam zot shtëpie, jam kryetar komune dhe menaxhoj me të gjitha resurset institucionale, duke përfshirë edhe deputetët, në mënyrë që të koordinoj të gjitha hallkat e qeverisjes në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të bëj më të mirën për qytetin e Ferizajt. Jo rastësisht ne kemi edhe investime të shumta”, tha Aliu.

Edhe një raport i INPO-s që vlerësonte punën e kryetarit të Ferizajt në vitin 2012, kur Agim Aliu kishte vetëm gjashtë muaj në krye të komunës, e thoshte se ai po e bazon udhëheqjen e tij në platformën e ish-kryetarit Xhemaili që qeverisi Ferizajn nga 2007-ta deri në 2012-ën.

Ndërsa disa projekte të financuara nga institucionet qendrore që konfirmojnë koordinimin e përmendur nga Aliu, me Reçicën, i zbuloi edhe Mustafë Grainca, drejtor i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa të Ferizajt, kur foli për Gazetën Jeta në Kosovë gjatë korrikut. 

“Kërkesa e kryetarit të komunës në bashkëpunim dhe bashkërendim me deputetin Elmi Reçica ka rezultuar me ndarjen e mbi 3 milionë eurove [për këto dy rrugë] nga Ministria e Infrastrukturës”, tha atëherë Grainca.

Kjo ministri është duke financuar zgjerimin e rrugëve hyrëse të qytetit të Ferizajt, gjatë mandatit të Aliut.

Njeriu që duke qenë pjesë e UÇK-së gjatë luftës, vizitoi varrezat e dëshmorëve, pak para se të zgjidhej zyrtarisht kryetar më 8 qershor të vitit të kaluar, kur tha se e ndjeu thirrjen e tyre për një jetë më të mirë për qytetarët, vizitoi pa paralajmërim në fillim të mandatit kompanitë punëkryese të projekteve komunale, për t’i mbajtur nën presion dhe për t’i kryer punët më mirë.

Në një fshat, ku para një viti po kryhej kanalizimi, ai i zuri punëtorët e kontraktuar duke pushuar gjatë orarit të punës. “Kur më panë, ia nisën me hedhë dhe, po ju thashë lereni tash”, tha atëherë Aliu.

Për ngritjen e cilësisë së punimeve publike, ai kontraktoi kompaninë “Arch & Design”, e cila u pagua 35 mijë euro gjatë 2012-ës për të mbikëqyrur gjatë zhvillimit të punimeve, kompanitë fituese të tenderëve.

Aliu tha se do të jetë kryetari i parë që do të ndërpresë kontratat, nëse punëkryesit nuk punojnë sipas planeve të kërkuara nga komuna. Vetëm në një rast komuna autorizoi kompaninë Arch&Design, për të ndërhyrë në një projekt ujësjellësi, të parealizuar si duhet.

“Ujësjellësi nuk duhet të jetë vetëm sistem i gypave, por nëpër të duhet edhe të rrjedhë uji”, tha Aliu kur doli befasisht për të inspektuar punimet e kontraktuara nga komuna, gjatë qershorit të vitit të kaluar, por sipas raporteve të GAP-it për 2013-ën, vetëm 40 për qind të qytetarëve të Ferizajt, del se kanë ujë pa reduktime.

Aliu gjithmonë është ankuar se mandati i tij i parë është i shkurtër dhe nuk do ta përfaqësojë atë që ai di ta bëjë. Për këtë, pra që të dëshmohet, ai e kërkon mandatin e dytë. Thotë se vetëm në të, do të shihen ndryshimet në stafin politik dhe administrativ komunal.

Familjen e Agim Aliut në Ferizaj fqinjët e vlerësojnë me virtyte të larta patriotike e njerëzore, është i vëllai i Sanije Aliut, të burgosurës politike, të dënuar dy herë.

Agim Aliun e përshkruajnë si shumë të lidhur me familjen, thonë se del pi kafe me bashkëshorten gjatë vikendeve, ndërsa kolegët komunalë e lavdërojnë se është shumë i sjellshëm me stafin e tij, duke i motivuar kështu për punë.

Njeriu që nuk e kreu fakultetin e mjekësisë, por studioi pas luftës juridikun dhe është duke vazhduar magjistraturën në këtë drejtim, ishte shok i pandashëm i Xhavit Zariqit, sa të dy i takonin partisë së njëjtë-PDK-së.

Tash Zariqin e ka njërin nga kundërkandidatët.