
Ferizaj mbi 41 milionë euro buxhet, opozita: Qytetarët ende nuk kanë ujë të pijes
Kuvendi Komunal i Ferizajt filloi seancën e nëntë me një minutë heshtje në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, që u vra pas një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Kryetari i Ferizajt Agim Aliu tha se buxheti i Ferizajt për vitin 2024 do të jetë 41,184,014,00 euro.
“Kjo llogaritje prioritizon kërkesat e qytetarëve. Në fushën e investimeve kapitale janë të ndara 11,337,196,00 euro. Ky buxhet peshon më pak se ai i vitit paraprak, po kjo nuk zbraps energjinë tonë që tu japim ferizajasve projekte të reja”- u shpreh Aliu.
Flamur Istrefi, kuvendar i LDK-së vlerësoi se kërkesat e qytetarëve do mbesin pa u realizuar, sikur edhe premtimet e kryetarit.
“Buxheti i vitit 2024 u rrit për paga dhe shtesa kurse u ulën shpenzimet komunale dhe investimet kapitale. Rreth 770 mijë euro janë më pak në investime kapitale, në vend të rritjes kemi ulje. Investimet kapitale u drejtuan tek fshatra e lagje të zgjedhura, teksa ka pjesë që nuk kanë asnjë projekt. Ka dyfishime të shumave për disa projekte, besoj që arsyet i dimë sepse projektet po i marrin kompanitë e njejta. Këtë buxhet selektiv e i orientuar në betonizim, unë dhe LDK nuk e mbështesim”- deklaroi Istrefi.
Adnan Selmani nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kjo parti nuk e mbështet këtë buxhet që sipas tij Ferizajn e le në gjendje të njëjtë.
“Në seancat e debateve publike qytetarët nuk po vijnë, nuk e di a ka humbur interesimi i qytetarëve apo nuk po adresohen kërkesat e tyre. Ka qytetarë që nuk gëzojnë as shërbimet bazike si uji i pijes”- tha Selmani.
Arian Imeri nga PDK thotë se duhet të bëhet presion që të bëhet më shume për Ferizajn e që të përkrahet nga Qeveria.
“Shpenzimet për paga dhe shtesa u rritën për shkak të rritjes së pagave. Kjo ka sjell zbritjen e shpenzimeve komunale dhe investimeve kapitale në mënyrë që të mbulohen pagat”- shton Imeri.
Brahim Osmani nga LVV tha se projektet po përsëriten nga viti në vit e që nuk po përfundojnë.
Osmani shton se buxheti është i orientuar vetëm në nënkalime.
“Ky buxhet ka përsëritje të projekteve. Projektet që nuk kanë filluar as më herët e as nuk do të fillojnë, janë peng e qeverisjes së PDK-së. Komunës nuk i mungon buxheti, ju ndoshta keni ankesa për Qeverinë dhe Ministrin e Financave që ndoshta ia keni frikën politike. Nga 330 mijë euro të ndara për stadiumin e qyteti tani janë ndarë vetëm 30 mijë, kjo është hajgare me stadiumin”- tha Osmani.
Buxheti i Ferizajt për vitin 2024 u votua me 25 vota për, 9 kundër dhe 2 abstenime.