54 Vjet Burgim për Pesë të Pandehurit në Rastin Bllaca 2

(E plotësuar) Shpresim Uka është dënuar me 14 vjet për pikën 1 dhe 9 vjet për pikën 3, ndërsa i është shqiptuar një dënim i unifikuar prej 15 vjetësh; Bekim Syla është dënuar me 12 vjet, Sadik Abazi – 12 vjet, Shaban Syla – 8 vjet dhe Driton Hajdari – 7 vjet.

Në shpalljen e aktgjykimit kanë qenë prezentë vetëm Sadik Abazi e Shaban Syla; kurse tre të pandehurit e tjerë nuk janë paraqitur në gjykatë.

Gjykata ka lëshuar fletarrest për ta.

Lëshohet Fletarrest për Tre të Pandehur në Bllaca 2

Shpresim Uka, Bekim Syla dhe Driton Hajdari, të pandehur në rastin e njohur si “Bllaca 2” nuk janë paraqitur, të hënën, në gjykatë për të dëgjuar verdiktin. Gjykata e ka shtyrë shpalljen e aktgjykimit dhe ka lëshuar fletarrest për ta.

Shpallja e aktgjykimit në rastin Bllaca 2 nuk është bërë të hënën në orën 14, sikur ishte paralajmëruar. Kjo pasi, tre nga të pandehurit në këtë rast nuk janë paraqitur fare në gjykatë. 

Gjykata e ka shtyrë, për një orë, shpalljen e aktgjykimit dhe ka lëshuar fletarrest për të pandehurit Shpresim Uka, Bekim Syla dhe Driton Hajdari.

Dy të pandehurit e tjerë, Sadik Abazi dhe Shaban Syla, janë paraqitur në seancë.

Javën e kaluar, në objektin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, u mbajt seanca e fundit në çështjen e njohur si Bllaca II, ku të pandehur janë Shpresim Uka, Bekim Syla, Driton Hajdari, Sadik Abazi dhe Shaban Syla.

Pas gati një viti, shumë seancave të mbajtura dhe dëgjimit të shumë dëshmitarëve, gjykata ka pranuar me shkrim fjalët përfundimtare të prokurores Emma Rizzato dhe mbrojtësve të të pandehurve.

Në këtë seancë ishte edhe i dëmtuari Ismet Arifi, të cilit po ashtu iu dha fjala përfundimtare menjëherë sapo prokurorja e përfundoi atë.

Arifi tha se me shumë vëmendje i kishte ndjekur seancat e po ashtu edhe deklarimet e dëshmitarit Nazim Bllaca.

“Gjykatë, ekziston më shumë se dyshimi i bazuar se këta të pandehur në krye me Shpresim Ukën, që më sulmuan në banesën time, ma rrezikuan jetën mua, gruas time dhe djalit tim i cili ishte i mitur në atë kohë”, tha Arifi.

“Këta persona më sulmuan fizikisht dhe me armë zjarri. Shpresim Uka është personi kyç që e ka organizuar këtë grup…duke caktuar Fahredin Gashin si roje tek dera e banesës, Sadik Abazin, Driton Hajdarin dhe Bekim Sylën që të vijnë te dera e banesës sime. Shprrsim Uka dhe Nazim Bllaca ishin pozicionuar në pushimoren e shkallëve”, tha i dëmtuari në këtë rast.

Arifi pati edhe propozime për gjykatën. Fillimisht kërkoi që të pandehurit të dënohen pasi të nxirren të gjitha provat. Ai kërkoi edhe paraburgimin e të pandehurve deri kur të nxirret aktgjykimi.

Më pas, mbrojtësit e të pandehurve i shtuan edhe disa fjalë mbrojtjes së tyre. Fillimisht avokati Hilmi Zhitia, argumentoi ligjin më të favorshëm për palët. Ai kërkoi edhe një herë pafajësinë e të mbrojturit të tij.

Avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtësi i Driton Hajdarit, tha se “nuk është obligim për gjykatën që ta aprovojë aktakuzën e prokurores” dhe në fjalën e saj përfundimtare prokurorja “ka përdorur me shumë një gjuhë letrare, sesa një gjuhë juridike”. Këto fjalë i mbështeti edhe avokati Ali Beka.

Avokatja e Shpresim Ukës, Fehmije Bytyqi, tha se Nazim Bllaca e ka akuzuar Shpresim Ukën për ta lidhur atë me Azem Sylën duke e quajtur si dhëndër të Azem Sylës. “Nazim Bllaca, para trupit gjykues e as para prokurores në asnjë deklaratë nuk ka arritur të tregojë se kënd e ka vrarë ai, edhe pse ai thotë se mban mend shumë”, vazhdoi avokatja.

Ajo u mor edhe më me deklarimin e të dëmtuarit në seancë. Sipas saj, i dëmtuari gjatë kohës sa ishte nën betim nuk kishte bërë asnjë nga këto deklarime, ndërsa atë ditë e akuzonte drejtpërdrejt Shpresim Ukën. Ajo kujtoi edhe deklarimin e Arifit “edhe po të jenë 1 000 veta unë do ta njihja Shpresim Ukën”.

Avokati Haxhi Millaku, i cili e kishte dorëzuar fjalën më të shkurtër përfundimtare, u mundua që ta thotë atë në seancë, por u ndërpre nga kryetari i kolegjit pasi që, sipas kryetarit, marrëveshja ka qenë që të gjithë ato që kanë do t’i dorëzojnë me shkrim, ndërsa Millaku e kishte dorëzuar shumë të shkurtër e kjo nuk ishte faji i gjykatës.

Pas kësaj, avokati Millaku u desh të ulej dhe të mësonte të mbrojturin e tij se çfarë të thoshte në fjalën e tij.

Edhe të pandehurit u deklaruan në fjalët e tyre si të pafajshëm dhe kërkuan drejtësinë nga kolegji. Ata të gjithë thanë se nuk duhet t’i besohet Nazim Bllacës.

Shaban Syla, njëri nga të pandehurit, tha se “Nazim Bllaca nuk është një vrasës”. “Ai është një mashtrues, se po të ishte vrasës do të më vriste mua të parin”, tha Syla.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje ishte caktuar të bëhej të hënën në orën 14.