Foto: MKRS

Gjakova përfiton afër 1.7 milion euro investime në arena sportive

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi për mbështetje financiare me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për projektet “Renovimi i Stadiumi të Qytetit në Gjakovë” dhe “Ndërtimi i kompleksit të tenisit në komunën e Gjakovës”.

Memorandumi për “Renovimin e Stadiumi të Qytetit në Gjakovë” do të implementohet gjatë viteve 2019-2021 dhe MKRS për ketë projekt investon me shumën prej 1.3 milion euro. Ndërsa memorandumi për “Ndërtimin e kompleksit të tenisit në komunën e Gjakovës” do të implementohet gjatë vitit 2019. Ky projekt do të mbështetet me 383 mijë euro.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se nënshkrimi i këtyre memorandumeve  për investime në fushën e sportit në komunën e Gjakovës, po bëhet me qëllim të krijimit dhe avancimit të infrastrukturës sportive.

“Ne si Ministri e sportit mbetemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë ngushtë me gjitha komunat e Kosovës, dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës sportive, sepse kështu krijohen mundësi dhe kushte të volitshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive”, theksoi ministri Gashi.

Ndërkaq kryetari i Gjakovës e ka konsideruar këtë veprim të ministrit si të shumëpritur për qytetarët e Gjakovës.