Gazetarët 'e harrojnë' kolegun Bardhyl Ajeti në 14 vjetorin e atentatit

Mes lotësh, nëna Nexharije Ajeti kujton të birin, Bardhylin, i cili kishte vdekur pas një atentati të organizuar para plot 14 vitesh.

Ajo ka ardhur nga Gjilani për të ndezur një qiri në shkallët e Teatrit Kombëtar në Prishtinë në kujtim të djalit të saj, i cili punonte gazetar në gazetën “Bota Sot”.

Vrasja e Bardhyl Ajetit nuk është ndriçuar ende.

“Unë jam e sëmurë, por erdha për shpirtin e tij me e ndezë një qiri”, thotë nëna e gazetarit të vrarë.

“U kanë i urtë, i sjellshëm, e dojke fjalën e lirë e dojke drejtësinë, e dojke gazetën”, rrëfen ajo, teksa është ulur në një karrige para Teatrit Kombëtar.

Bardhyl Ajeti ishte plagosur më 3 qershor të vitit 2005 në fshatin Bresalc, teksa kthehej në Gjilan, rrugës për në shtëpi.

Fillimisht, ai ishte trajtuar në Prishtinë për një javë për t’u dërguar në Itali për shërim, por pa sukses.

Më 28 qershor, Bardhyl Ajeti në një spital në Milano të Italisë.

“Veç një muaj para se të martohej ma vranë. Shpirti mos më daltë pa e ditë se kush ma ka vra djalin, se nuk i ka bë kurrkujt kurrgjë, vetëm të vërtetën e ka thënë”, thotë ajo.

Nexharije Ajeti, nëna e gazetarit të vrarë Bardhyl Ajeti

Ajo thotë se djali i saj ishte i kërcënuar për punën që bënte, ndërsa në punë shkonte gjithherë me jelek anti-plumb.

Sot, katërmbëdhjetë vite pas, vrasja e gazetarit nuk është zbardhur nga drejtësia.

Me moton “Kur vritet gazetari, vritet shpirti i demokracisë”, sot para Teatrit Kombëtar është kujtuar vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti nga familjarë, miq e përfaqësues të shoqërisë civile dhe pak kolegë gazetarë.

Fitim Ajeti, vëllai i Bardhylit, thotë se institucionet e drejtësisë në Kosovë dështuan ta zbardhin vrasjen e të vëllait, ndërsa shton se shpresat i kanë vetëm te Gjykata Speciale.

“Prokuroria nuk ka marrë asgjë, ka heshtë, institucionet tjera kanë heshtë, dhe faktikisht kriminelët ecin të lirë. Të vetmen shpresë e kemi te Gjykata Speciale, edhe pse edhe ajo po neglizhon. Por, këto janë krime që nuk kanë me mbet pa u zbuluar”, thotë ai.

Ai ka reaguar edhe për mosprezencën e mediave në 14 vjetorin e vdekjes së gazetarit, Bardhyl Ajeti.

“Sigurisht, mediat janë të ndikuara politikisht, as që kemi pritë me ardhë ndonjë medie sepse ato po e përkrahin këtë pushtet. Ato po financohen, kush po del në faqet e para dhe emëruesi i krejt kësaj po dihet dhe ne po presim vetëm individi të del…”, thotë ai për KALLXO.com.

Së bashku me familjen Ajeti te Teatri Kombëtar u pa edhe Shpëtim Hajdaraj, djali i Smail Hajdarajt, i vrarë në dhjetor të vitit 2002 në hyrjen e banesës së tij në lagjen “Fidanishtja” në Pejë.

Hajdaraj ishte deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që ishte zgjedhur në vitin 2001.

Edhe pas më shumë se 17 viteve, vrasja e tij nuk është zbardhur ende.

“Sot dola për të kërkuar drejtësi për rastin e Bardhylit por edhe për shumë raste të tjera. Nuk ka ende drejtësi dhe ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi”, thotë ai.

Për vrasjen e ish- deputetit të LDK-së kishte raportuar edhe gazetari Bardhyl Ajeti. Shpëtimi thotë se asnjëherë nuk  pati hetime serioze për vrasjen e babait.

“Që 17 vite jo që nuk ka ardhë drejtësia, por nuk ka pasur as hetime serioze për të ndodhë drejtësia. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë, më kujtohen edhe shkrimet e gazetarit Ajeti”, thotë ai.

“Shpresa jonë, pothuajse e fundit, është Gjykata Speciale. Përndryshe, ky sistem i drejtësisë as nuk do, as nuk ka vullnet”, thotë Hajdaraj.

Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se kanë kërkuar drejtësi, jo vetëm për vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti, por edhe për të gjitha rastet e tjera.

“Fatkeqësisht, as rastet e gazetarëve nuk bëjnë përjashtim si të gjitha rastet tjera kur është në pyetje drejtësia. Ne nuk kemi ndonjë informatë konkrete për rastin e gazetarit Ajeti. Ne si AGK, para dy viteve, së basku me partnerët rajonalë, kemi sponsorizuar një nismë ndërkombëtare për hetimin e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë, dhe ne po presim që të fillojë zbardhja e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë”, thotë ajo.

Në kujtim të gazetarit u ndezën qirinj para Teatrit Kombëtar të Kosovës në qendër të Prishtinës.

https://kallxo.com/kerkohet-drejtesi-per-vrasjen-e-gazetarit-bardhyl-ajeti/?fbclid=IwAR28LH2HYBWolMXvCnH0fP_NPUzxFpf4GMIjNuw8uskLy3igreNy2gg26v4