FSK kërkon nga Policia dhe KFOR-i siguri për pjesëtarët e saj

Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës e ka dënuar aktin e djegies së veturave të disa pjesëtarëve të komunitetit serb që janë pjesë e FSK-së.

“Këto akte kriminale bëhen me qëllim që të frikësojnë pjesëtarët e FSK-së, nga qarqet kriminale dhe nacionaliste serbe  në pjesën veriore, të cilat shprehin urrejtje dhe pa pajtueshmëri me integrimet, zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj Ministrie.

FSK ka kërkuar nga institucionet shtetërore por edhe nga KFOR-i që të angazhohet seriozisht dhe t’i dalin në mbrojtje jetës dhe pasurisë së pjesëtareve të FSK-së.

“Ministria e FSK-së dhe FSK qëndrojnë fuqishëm në mbështetje të pjesëtarëve të saj, të cilët përkundër  kërcënimeve dhe dëmtimeve reale  të pasurisë së tyre, vazhdojnë të jenë pjesë e FSK-së dhe të shërbejnë me dinjitet në kryerjen e obligimeve të tyre si pjesëtarë  të FSK-së”, thuhet tutje në komunikatë.

KALLXO.com raportoi më herët për sulmin që kishte ndodhur në veri ndaj veturës së njërit nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

http://kallxo.com/digjet-vetura-e-pjesetarit-te-fsk-se-ne-zubin-potok/

KALLXO.com ka raportuar për sulmet dhe kërcënimet e vazhdueshme me të cilat po përballen pjesëtarët serbë të FSK-së në veri të Kosovës pas thirrjes së liderëve politikë serbë në Kosovë dhe Serbi që ata të largohen nga FSK.