Foto: Bojan Bozoviq/ Facebook

Reagon qytetari serb që iu dogj vetura në Zubin Potok: Ka 16 vjet që e kam regjistrimin RKS

Një qytetari serb i është djegur vetura me targa RKS sot në orët e para të mëngjesit në Komunën e Zubin Potokut.

Qytetari në fjalë, Bojan Bozoviq, ka reaguar duke thënë se vetura e tij nuk është riregjistruar por ka 16 vjet që e ka regjistrimin RKS.

“Fatkeqësisht, një lajm i keq.  Sonte i mbijetuam terrorit. Frikacakët ma kanë vënë zjarrin makinës në oborr përballë shtëpisë në orën 3 të natës së kaluar. Falënderojmë zjarrfikësit që u përgjigjën me shpejtësi dhe parandaluan djegien e shtëpisë. Dua të them se vetura nuk është riregjistruar dhe ka 16 vite regjistrim në RKS”- shkruan Bozoviq në Facebook.

Bozoviq gjithashtu ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka dënuar një akt të tillë.

“Faleminderit ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier për dënimin e këtij akti çnjerëzor dhe shpresoj që institucionet kompetente të dalin me emrat e autorëve. Faleminderit edhe të gjithë njerëzve të mirë që janë me mua dhe familjen time në këto momente të vështira”- është shprehur Bozoviç.

Policia e Kosovës kishte njoftuar sot se një qytetari serb i është djegur vetura me targa RKS sot në orët e para të mëngjesit në Komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit, Policia informacionin për djegie e kishte pranuar përmes telefonit.

“Policia e Kosovës, me datën 02.11.2022, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”- njofton Policia.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturave RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale. ” – ka shkruar Hovenier.

Gjithashtu, Hovenier ka thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për ndalimin e përdorimit të targave ilegale të Serbisë.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mori një vendim me të cilin përfshiu një periudhë prej 5 muajsh deri në kohën kur vendosja e tabelave me RSK për veturat që qarkullojnë me targa ilegale do të bëhet e obligueshme.

Fillimisht qeveria vendosi që për 21 ditë të bëhej qortimi i qytetarëve të cilët posedonin vetura me targa ilegale, pas kësaj mase për dy muaj të tjerë do të ketë gjobitje, e më pas targa provuese.

Në fletë-qortimet që do tu shqiptohen qytetarëve me tabela ilegale përmendet edhe fakti se të njëjtit udhëzohen që t’i regjistrojnë veturat e tyre në qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Masat e fundit të marra në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar Kryeministri Albin Kurti i quajti “seriozitet të qeverisë për të zbatuar vendimin”, por edhe pas “ndjeshmërisë së shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.

Që nga dita e sotme deri më 21 nëntor zyrtarët policor do të qortojnë pronarët e automjeteve me targa ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ që të regjistrojnë veturat e tyre me RKS.

Foto: Bojan Bozoviq/ Facebook
Foto: Bojan Bozoviq/ Facebook

Digjet një veturë me targa RKS në Zubin Potok