Ferdije Zhushi- Etemi Ç’akrediton Veten

Ferdije Zhushi- Etemi nuk është më kryetare e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Ajo sot ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pak ditë pasi Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj saj

Vendimin për dorëheqje, Zhushi- Etemi ia ka dorëzuar sot ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Në këtë vendim, ajo ka përmendur ngritjen e aktakuzës si arsye për dorëheqje, ndërsa ka thënë se dëshiron që t’i japë mundësi drejtësisë t’i ndriçojë akuzat ndaj saj.

Zhushi- Etemi ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar si e dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Pasi ka pranuar dorëheqjen e kryetares së Bordit të AKA, Ministri Bajrami ka vlerësuar lartë punën dhe kontributin Ferdije Zhushi-Etemit në themelimin dhe konsolidimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim ndërsa ka respektuar dhe çmuar lartë “aktin moral të dorëheqjes së saj, si veprim në interes të mbrojtjes së integritetit institucional të AKA-së dhe arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”.

“MAShT kërkon që të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë ndaj Prof. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi dhe po ashtu kërkon nga organet e rendit dhe prokuroria e shtetit që të dëshmojë sa më parë të vërtetën lidhur me akuzat e pretenduara, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi për mbrojtjen e kredibilitetit të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e MAShT.

Kjo ministri thotë se do të vazhdojë përkrahjen për AKA-në, si institucion kyç që garanton cilësinë e punës arsimore në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.