Enver Hoxhaj pajtohet dhe nuk pajtohet me Isa Mustafën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për deklaratat e Isa Mustafës rreth dështimit të qeverisë së kaluar për votimin e demarkacionit me Malin e Zi, e që sipas tij, Mustafa kishte sulmuar PDK-në për këtë dështim.

Përmes Facebook-ut, ai ka thënë se ka pasur dhe ka respekt për Isa Mustafën, si profesor dhe politikan edhe pse siç ka shkruar Hoxhaj, jo çdo herë në politikë ai ka bërë lëvizjet dhe zgjedhjet më të mira.

“E para, vendimmarrja e tij si kryeministër asokohe u bllokua nga një pjesë e partisë së tij, të cilët jo vetëm që i dolën kundër demarkacionit por as nuk e votuan atë për kryeministër. E dyta, Isa Mustafa po ankohet në një pjesë të qeverisë aktuale që sipas tij udhëhoqën protesta të dhunshme kundër demarkacionit para dy vitesh. Por ai i mbetet borxh elektoratit të LDK-së t’ia shpjegoj pse i pranon në shtëpi ata që e gjuajtën me koktej molotovi, vezë, e gaz lotsjellës në çdo ditë të punës së tij.”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se pajtohet me kryetarin e LDK-së që duhet gjetur një nyje besimi për t’u bërë bashkë në procesin e dialogut me Serbinë.