Jeta në Kosovë feston përvjetorin e katërt

Qindra të ftuar morën pjesë në këtë ngjarje, në të cilën drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra ndau mirënjohje për kryetarët e komunave që morën pjesë në debatet zgjedhore të vitit 2007 si dhe ato komunale të organizuara në vitin 2008-2009.

Deri tani në televizionin publik të Kosovës, RTK, Jeta në Kosovë ka transmetuar 267 debate televizive me reportazhe hulumtuese, me ç’rast ka trajtuar çështjet politike, ekonomike, shoqërore dhe ato të minoriteteve. Emisioni shikohet nga afro 350,000 shikues çdo javë dhe respektohet për hulumtime ekskluzive.

Pieter Feith, përfaqësuesi special i BE-së, mbajti fjalim të shkurtër për të ftuarit e natës, ku edhe lavdëroi emisionin dhe stafin që e prodhon atë.

“Emisionet tuaja janë zhbiruese, i vejnë kundërshtarët tuaj në disavantazh dhe pozitë mbrojtëse. Ju përkujdeseni që të intervistuarit tuaj t’i thënë gjërat e gabueshme dhe natyrisht emisionet janë gjithnjë interesante për t’u shikuar,” tha ai.

Edhe Jakup Krasniqi, kryetari i Parlamentit të Kosovës shpalosi pikëpamjet e tij për emisionin. Ai iu tha të ftuarve: “Jeta [Xharra] dhe emisionet e saj nuk janë gjithmonë të ëmbla. Janë edhe të hidhura. Kosova ka kaluar nëpër periudha të vështira dhe tani është koha kur Kosova duhet ta ketë fjalën dhe median e lirë. Jetës në Kosovë i dëshiroj fat dhe sukses.”

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell tha: “E them me vetëbesim se pavarësia dhe profesionalizmi janë bërë shenja dalluese të mediave të Kosovës dhe ato kontribuojnë përditë në krijimin, përforcimin dhe ndërtimin e këtij shteti të ri..”

Emisioni i çështjeve aktuale “Jeta në Kosovë” përfshin reportazhe nga terreni, pyetje të drejtpërdrejta për vendimmarrësit kryesorë dhe debat në studio. Mbulon çështjet më të rëndësishme politike dhe shoqërore të Kosovës në baza javore.

Emisioni ka përcjellë për së afërmi aktivitetet e qeverisë, procesin legjislativ në Parlamentin e Kosovës, çështjet që kanë të bëjnë më komunitet joshqiptare që jetojnë në Kosovë, ekonominë, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe procesin e decentralizimit.

Jeta Xharra, moderatore dhe redaktore e emisionit, tregoi se ka qenë një udhëtim i gjatë deri në vendin ku është emisioni tani.

“Debatet zgjedhore kanë qenë emisionet më të shpërblyera për shkak të pjesëmarrjes së madhe të publikut në të gjitha qytetet, si dhe numrit të madh të atyre që na përcollën përmes televizionit. Është shumë inkurajuese që përsëri po marrim aq shumë vlerësime dhe pyetje nga publiku për debatet zgjedhore që do t’i organizojmë për zgjedhjet komunale të parapara për 15 nëntor të këtij viti,” tha Xharra.

“Nuk do të mund të vinim këtu ku jemi sot pa ndihmën e miqve tanë. Jemi fatlum të kemi miq si Agim Zatriqi [Drejtori Gjeneral i RTK-së] i cili ka qenë përkrahësi më i fortë i emisionit “Jeta në Kosovë.” Ai tejkaloi presionet e jashtme për ta hequr emisionin dhe për këtë do t’i jemi gjithmonë mirënjohës,” shtoi Xharra.

“I vetmi lajm i hidhur për këtë festë ishte lajmi se Agimi ka dhënë dorëheqje,” shtoi ajo.

Të ftuar në përvjetor ishin liderë komunal, zyrtarë qeveritarë, figura të opozitës, shoqëria civile, përfaqësues të mediave lokale dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.