Sa kushtuan sarmat e Haradinajt (Dokument)

Afro 300 euro Haradinaj i shpenzoi për një darkë në fillim të dhjetorit 2017, saktësisht me 11 dhjetor.

Haradinaj kishte shtruar darkë në vlerë prej 297.50 euro në restorantin Tiffany.

70 euro u kishin kushtuar mysafirëve shtatë porcione me mish viçi, gjashtë biftekë të tjerë në vlerë prej 42 eurosh.

Përveç mishit, mysafirët ishin kujdesur të porosisnin edhe ushqim tradicional. Katër porcione me sarma i kishin kushtuar zyrës së kryeministrit 28 euro. Në darkë ishin porositur edhe 12 sandëvich me mish viçi, në vlerë prej 37 euro e 20 cent e tetë të tjera me mish pule në vlerë prej 24 euro e 80 centë.

Në darkë kishte pasur edhe sallata, djath, supë e ajvar në vlerë prej 63 euro e 50 centë.

Darka nuk kishte pasur pije të tjera përveç 4 coca- colave, të cilat kishin kushtuar 4 euro.

E në këtë darkë ishin shpenzuar 28 euro për mantia.

Fatura është pranuar dhe nënshkruar nga shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, sot ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.