Komuna përshëndet me dreka luksoze punëtorët që kalojnë në pension


Komuna e Dragashit përkujdeset që punëtorët të cilët kalojnë në pension ti përshëndet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Këtë e dëshmon fakti se në faturat e analizuara nga KALLXO.com të  kësaj komune, janë shpenzuar 487 euro në 3 darka të ndryshme për pensionimin e tre punëtorëve.

Më 3 Prill të vitit 2018, radha e pensionimit i erdhi punëtorit Shefqet Haliti, e në drekën për nderë të pensionimit të tij u shpenzuan hiq më pak se 126 euro.

Mirëpo Komuna e Dragashit, këtë faturë e kishe kamufluar vetëm me togfjalëshin ‘ushqim+ pije’, pa treguar produktet në të cilat është shpenzuar buxheti i kësaj komune.

14 maji i vitit 2018, shënoi pensionimin e punëtorit Zahadin Lekaj, edhe për të, Komuna e Dragashit u përkujdes që ta përcillte me një dreke mjaftë të kushtueshme.

Dreka për nderë të punëtorit në fjalë buxhetit të komunës i kushtoi hiq më pak se 152 euro, e të gjitha këto të holla, komunarët e Dragashit i kishin arsyetuar vetëm më togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Edhe shtatë marsi, shënoi një nga ditët e pensionimit të punëtorëve, mirëpo kësaj radhe Komuna e Dragashit, nuk kishte dhënë informacione se për kë bëhej fjalë.

Në faturën e datës 7 mars 2018, të përshkruar si ‘drekë zyrtare punëtorët në pension’ ishin shpenzuar hiq më pak se 180 euro të buxhetit të kësaj komune.

Edhe në këtë faturë ishte ndjekur praktika e njëjte, pa treguar se në çfarë produkte është shpenzuar buxheti i Komunës.

KALLXO.com në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari, ka publikuar shpenzimet e të gjitha komunave në dreka dhe darka zyrtare.

KALLXO.com ka raportuar se në mesin e komunave të cilat buxhetin e tyre e shpenzojnë në alkool është edhe komuna e Dragashit.

Ndonëse në sasi të vogël kjo komunë në darkën e datës 29 mars është përkujdesur që 6 porcionet me  mishin e qengjit të cilat kanë kushtuar 48 euro ti shoqëroj edhe me 3 birra të llojit Heiniken të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar 7 euro e 50 cent.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.