Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Subvencionet e dyshimta për OJQ-të në Dragash

Komuna e Dragashit subvencionoi dy organizata joqeveritare, në njërën prej të cilave anëtar themelues figuron një asamblist i Kuvendit Komunal, ndërsa në organizatën tjetër që u subvencionua, anëtare themeluese është një kandidate për asamble në zgjedhjet e fundit. Të dy përfituesit janë nga i njëjti subjekt politik në këtë komunë, VAKAT.     

Nexhmedin Sejdillar, asamblist në Kuvendin Komunal të Dragashit, nga subjekti politik “Pokret Za Gora”, në KALLXO.com, ka thënë se Komuna e Dragashit ka subvencionuar organizata joqeveritare, themeluesit e të cilave kanë lidhje me partinë në pushtetin komunal.

Sejdillar pretendon se Komuna ka subvencionuar në vlerë prej 4 mijë euro projektin “Dani Dijaspore”, të Organizatës Joqeveritare “Zaeno Za Brod/Bashkë për Brodin”, bashkë-themelues i së cilës figuron se është Miralem Rahte, asamblist në Kuvendin Komunal të Dragashit nga subjekti politik, VAKAT.

Sejdillar pretendon se organizata në të cilën Rahte është bashkë-themelues figuron se është regjistruar pas marrjes së mandatit dhe dhënies së betimit për asamblist të Kuvendit Komunal.

Në bazë të të dhënave të siguruara nga regjistri i OJQ-ve në Ministrinë e Administratës Publike, Organizata Joqeveritare “Zaeno Za Brod/Bashkë për Brodin” rezulton të jetë e regjistruar me datë 27.01.2022, e në mesin e pesë themeluesve figuron dhe emri i asambleistit, Miralem Rahte.

Sipas të dhënave në Ministrinë e Administratës Publike, fushëveprimtaria e kësaj organizate është “ambienti, përkrahja e bizneseve, zhvillim rural dhe zhvillimi i OJQ-ve”.

Regjistri i OJQ “Zaeno Za Brod/Bashkë për Brodin” në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike
Regjistri i OJQ “Zaeno Za Brod/Bashkë për Brodin” në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike

Për më tepër, KALLXO.com ka siguruar edhe vendimin e datës 05.08.2022 në bazë së cilit OJQ “Zaeno Za Brod/Bashkë për Brodin” shpallet fituese për subvencionim për projektin “Dani Dijaspore” në shumën prej 4 mijë euro.

Nëpërmjet përgjigjeve me shkrim, asamblisti Miralem Rahte ka thënë për KALLXO.com se është anëtar në Komunën e Dragashit, ndërkohë që e ka mohuar se është bashkë-themelues i shoqatës.

“Jo, shoqata ekziston që nga viti 2020, këtë mund ta gjeni në faqen e tyre zyrtare.” – tha Miralem Rahte për KALLXO.com.

“Shoqata ime nuk ka marrë asnjë subvencion sepse shoqata ime nuk ekziston. Çdo shoqatë e minoriteteve që ka marrë subvencione i përgëzoj dhe shpresoj që sa më shumë organizata jo qeveritare të minoriteteve të aplikojnë edhe këtë vit dhe mbështetja ime është e padiskutueshme për çdo organizatë nga komuniteti jo-shumicë.” – tha Rahte.

Ai  thotë se të gjitha të ardhurat e tij financiare janë të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Komuna e Dragashit e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka subvencionuar shoqatën “Zaeno Za Brod/Bashkë për Brodin”.

Nga Komuna kanë konfirmuar se Komisioni Vlerësues pas verifikimit të aplikacioneve, kishte përzgjedhur OJQ-në në fjalë si fituese të projektit për organizimin e “Ditës së Diasporës/Dani Dijaspori” në fshatin Brod.

Ndërsa kanë shtuar se pas interesimit të KALLXO.com në lidhje me këtë proces, kanë kërkuar nga organizata informacione për Miralem Rahten.

“Ligjërisht, të gjitha OJQ-ve të cilat operojnë në Komunën e Dragashit u lejohet aplikimi përmes thirrjeve publike të cilat i shpallë komuna. Sa i përket konfliktit të interesit, pas marrjes së e-mailit nga ana juaj, Zyra për Informim ka kontaktuar OJQ “Zaeno za Brod”, ku ka siguruar dokumentin e dorëheqjes së Miralem Rahte nga pozita e anëtarit themelues të OJQ-së në fjalë” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Dragashit.

Sa i përket anës ligjore, nga Komuna thonë se nuk kanë mundësi t’i interpretojnë, meqenëse ata nuk bëjnë regjistrimin e OJQ-ve dhe si rrjedhojë nuk posedojnë informata të detajuara për regjistrimet e OJQ-ve.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit, nëse ky proces përbën konflikt interesi.

Sipas këtij institucioni, zyrtarë të lartë publik sipas ligjit përkatës, konsiderohen zyrtarët e lartë publik të përcaktuar sipas Ligjit përkatës për Deklarimin, Kontrollin dhe Prejardhjen e Pasurisë dhe Dhuratave.

Ndërsa pozita, Anëtar i Kuvendit Komunal, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk hyjnë më në kategorinë e zyrtarëve të lartë publik.

Sipas Agjencisë, të jesh bashkë-themelues i organizatës joqeveritare krahas ushtrimit të funksionit të anëtarit të Kuvendit Komunal, nuk paraqet konflikt të interesit.

“Ndërsa, Themelimi i organizatës joqeveritare, pas marrjes së mandatit the betimit si Anëtar i Kuvendit Komunal/ apo të qenurit bashkë-themelues i organizatës joqeveritare krahas ushtrimi të funksionit Anëtar i Kuvendit Komunal  nuk paraqet situatë të konfliktit të interesit sepse Ligji nr.06/L-011 Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit pasi nuk ka përcaktuar dispozita kufizuese për këto situata.” – thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për KALLXO.com.

Ndërsa për përfitimin e subvencioneve nga Komuna, e organizatës joqeveritare, ku e ushtron detyrën anëtarit të Kuvendit Komunal, e që është bashkëthemelues i saj, Agjencia thotë se nuk është e ndaluar me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

Por shtojnë se në cilësinë e zyrtarit të komunës, gjatë procedurës së dhënies së subvencioneve, anëtari i Kuvendit Komunal nuk duhet të ketë pasur rol vendimmarrës lidhur me dhënien e subvencioneve apo të ketë deklaruar dhe shmangur në pajtim me nenin 17, paragrafi 1 të Ligjit Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në të cilin shprehimisht flitet për këtë.

“Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetdeklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje” – thotë në përgjigje për KALLXO.com, Agjencia Kundër Korrupsionit.

Tjetër subvencion i dyshimtë

Rrugës për t’u bërë asambliste në Kuvendin Komunal nga subjekti politik VAKAT në zgjedhjet lokale të 2021 ka qenë edhe Salmira Usmeni.

Usmeni nuk fitoi ulëse të asamblistes, mirëpo është kandidate rezervë me më së shumti vota, në rast se ndonjëri nga asamblistët aktual largohet nga pozita.

Kandidatët për Kuvendin Komunal të Dragashit nga VAKAT

Së bashku me tre persona të tjerë, Salmira Usmeni figuron se ka themeluar dhe është kryetare e Organizatës Jo Qeveritare “NVO Podrška za žene-Sensa”, e që sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike është regjistruar me datë 24.02.2023.

Regjistri i OJQ ““NVO Podrška za žene-Sensa” në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike

Kjo organizatë, me bashkë-themeluese dhe kryetare Salmira Usmeni është subvencionuar me 4 mijë euro nga Komuna e Dragashit.

Subvencionimin e ka konfirmuar edhe Komuna e Dragashit.

“Po, është subvencionuar përmes thirrjes publike për organizimin e Ditës së Goranëve/Dan Goranac” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Një gjë të tillë e thotë edhe vendimi i Komunës së Dragashit, i datës 02.05.2023, i siguruar nga KALLXO.com, në të cilë shihet se “NVO Podrška za žene-Sensa”, shpallet fituese për subvencionim të projektit “Organizimi i Ditës së Goranëve”, në shumën 4,000 euro.

Pavarësisht se ka qenë kandidate për Kuvend Komunal, nga komuna thonë se nuk mund të ia ndalojnë asnjë qytetari themelimin e një OJQ-je apo shoqate.

Komuna ka mohuar të ketë pasur lidhje familjare mes Salmira Usmeni dhe kryetarit të komisionit për vlerësimin e projekteve, Uzair Hamza.

“Koordinatori i Zyrës për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitet, z.Uzair Hamza, nuk ka lidhje familjare me znj.Usmeni.” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Dragashit.

KALLXO.com ka kontaktuar dhe i ka dërguar pyetje me shkrim Salmira Usmenit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ajo nuk është përgjigjur.

Në anën tjetër nga Agjencia Kundër Korrupsionit thonë se nuk vlejnë dispozitat e Ligjit për Parandalimit të Korrupsionit në këtë rast.

“Të qenurit anëtar rezervë/ listë e pritjes për tu emëruar Anëtar i Kuvendit Komunal dhe njëkohësisht të themeloj Organizatë joqeveritare apo të jetë bashkëthemeluese dhe të përfitoj subvencione nga Komuna, ju njoftojmë se në rastin konkret nuk vlejnë dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit sepse nenin  3 paragrafi 2 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, shprehimisht thuhet; Dispozitat e këtij ligji përcaktojnë parimet, rregullat dhe procedurat lidhur me sjelljet e lejuara dhe të ndaluara të zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës publike si dhe masat e parapara për shkeljen e dispozitave të përcaktuara në këtë ligj.” – thuhet në përgjigjen e APK-së për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Uzair Hamzën, koordinator i Zyrës për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitet, mirëpo deri në pulbikimin e këtij artikullit, nuk është përgjigjur.

6 maji, Dita e Goranëve u festua me 5 maj

Asamblisti i partisë politike “Pokret Za Gora” në Dragash, Nexhmedin Sejdillar tregon se dita e tyre është me 6 maj, ndërsa ceremonia është bërë një ditë më herët, me 5 maj.

“Me Kushtetutë, ditën e kemi me 6 maj, këta ceremoninë e kanë ba me 5 maj” – tha Sejdillar për KALLXO.com.

Komuna ka një justifikim se pse 6 maji, Dita e Goranëve u organizua një ditë më herët.

“Meqenëse me rastin e 6 Majit – Ditës së Goranëve që nga paslufta organizohet manifestimi për tërë trevën e Gorës, në fushën e Vllashkës në fshatin Vraniç, është parë e arsyeshme që manifestimi në Shtëpinë e Kulturës të mbahet një ditë më herët.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Se organizimi i ditës së goranëve, u bë një ditë më herët, e dëshmojnë edhe fotografit e postuara në rrjetin social “Facebook”, nga Komuna e Dragashit si dhe kryetari Behxhet Xheladini i cili ishte pjesëmarrës.

Njoftimi i kryetarit të Dragashit Bexhet Xheladini për organizimin e “Ditës së Goranëve”

Më tej, asamblisti Sjedillar nuk cilëson etike dhe morale që “Ditën e Goranëve” të organizoj një kandidate në zgjedhjet e vitit 2021, kandidate rezervë nga komuniteti boshnjak .

“Nuk është etike e as morale që zonja që ka konkuru me përfaqësu komuniteti boshnjak në Kuvendin Komunal me organizu ditën e Goranëve” – thotë asamblisti Sejdillar.

Përveç kësaj, sipas tij organizata në fjalë nuk e ka fushë-veprimtari organizimet në fushën e kulturës përderisa nga Komuna thonë se përzgjedhja është bërë sipas kritereve në thirrje.

“Përzgjedhja e fituesit të thirrjes publike është bërë nga Komisioni vlerësues, pas vlerësimit të aplikacioneve, në përputhje me kriteret e parapara në thirrje.” – thuhet në përgjigje.