Këta janë zyrtarët e lartë të ATK-së të cilëve do t'u verifikohet pasuria

Drejtorë, zëvendësdrejtorë dhe menaxherë të Administratës Tatimore të Kosovës do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Ata janë pjesë e listës së 950 zyrtarëve të cilëve u ka rënë shorti që këtë vit të kenë verifikim të pasurisë.

Zyrtarët e ATK-së që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë janë: Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ATK-së, Nahit Sharku, zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Hamit Mulaj, drejtori i Departamentit ligjor, Ilir Islami, drejtori i ATK-së në Gjakovë, Malush Krasniqi, drejtori i Shërbimeve me tatimpagues, Sami Salihu, menaxheri, Azem Duraku, dhe drejtori i IT-së, Rifat Hyseni,

Pasuria të cilën këta zyrtarë e kanë deklaruar do t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Pasuria e zyrtarëve të ATK-së që do t’i nënshtrohen kontrollit

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Nahit Sharku, ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 200 mijë euro. Ai ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi, një banesë, një garazh, një tokë dhe një truall.

Pasuri në vlerë më të madhe ka deklaruar zëvendësdrejtori tjetër i ATK-së, Hamit Mulaj. Ai ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 569 mijë euro në të cilën hynë një shtëpi, një banesë, tri ara dhe dy male si dhe vetura “Tiguan”.

Në lidhje me drejtorin Mulaj, KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim në të cilin ishin shfaqur dy biznese të cilat i njëjti nuk i kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Kontrollit do t’i nënshtrohet edhe pasuria mbi gjysmë milionëshe e Malush Krasniqit, drejtorit të ATK-së në Gjakovë.

Krasniqi ka deklaruar se ka në pronësi rreth 35 hektarë tokë, një shtëpi, një veturë “Golf 6” dhe një veturë “Mercedes” në vlerë 30 mijë euro.

Pasuria e drejtorit të Departamentit ligjor, Ilir Islamit, vlerësohet të jetë rreth 88 mijë euro.

Ai ka deklaruar se ka në pronësi një banesë dhe një veturë në vlerë 64 mijë euro si dhe 24.750 euro para të gatshme.

Ndërsa pasuria e drejtorit Sami Salihu vlerësohet të jetë 92 mijë euro dhe në të hynë një banesë, një truall, një garazh dhe një veturë “Golf 6”.

Rreth 380 mijë euro pasuri ka deklaruar edhe drejtori i IT –së, Rifat Hyseni.

Në pasurinë e tij Hyseni ka deklaruar se ka dy banesa, dy troje, mal, 70 ari livadhe dhe dy vetura.

Ndërsa pasuria e menaxherit Azem Duraku vlerësohet të jetë 80 mijë euro, ku përfshihen një banesë, një shtëpi, një tokë dhe një lokal.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me pasurinë e zyrtarëve të lartë të ATK-së dhe lidhjet e tyre me biznese.