Pasuria e taksambledhësve

Për rangun e dytë të drejtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), 2019 për dikë ishte vit i suksesshëm e për dikë jo.

Disa nga ta u pasuruan, disa u varfëruan e dikush nuk pati ndonjë dallim në pasuri.

Drejtori i Departamentit Ligjor, Ilir Islami, është një nga drejtorët që deklaroi pasuri përgjysmë më pak sesa një vit më parë.

Në vitin 2019 drejtori Islami kishte deklaruar se pasuria e tij ka vlerë rreth 133 mijë euro ndërsa këtë vit ka deklaruar rreth 70 mijë euro pasuri më pak.

Ilir Islami ka deklaruar se ka në pronësi një banesë dhe një veturë në vlerë 64 mijë euro si dhe 24.750 euro para të gatshme, të cilat thotë se i ka marrë pas shitjes së paluajtshmërisë. Përpos pasurisë, drejtori i Departamentit Ligjor ka deklaruar edhe lidhje me biznes.

Në deklarimin e pasurisë ai ka theksuar se është i angazhuar në Kolegjin “AAB”, si ligjërues.

Rënie në pasuri pati edhe ndihmësdrejtoresha e ATK-së, Adriana Latifi.

Latifi për vitin 2020 ka deklaruar pasuri në vlerë 133 mijë euro ndërsa një vit më par kishte deklaruar pasuri në vlerë 154 mijë euro.

Ajo ka në pronësi një shtëpi, një truall, një tokë pune, mal, tokë afariste, stoli ari dhe një veturë.

Përpos pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, Latifi ka deklaruar se ka edhe lidhje me biznese.

Bashkëshorti i saj është pronar i kompanisë “NTP Olt Petrol”, e cila sipas deklarimit momentalisht shfrytëzohet nga kunati i saj.

Vit të mirë siç duket nuk pati as ndihmësdrejtori Fehmi Veselaj.

Veselaj në vitin 2019 kishte deklaruar pasuri në vlerë 220 mijë euro kurse pasuria e deklaruar në vitin 2020 është 142 mijë euro.

Ai përpos shtëpisë, dy tokave, malit dhe livadheve ka deklaruar edhe tre biznese të cilat figurojnë në emër të fëmijëve të tij.

NTSH Vigani, Extra Fix Shpk, Tirana Grup Shpk janë kompanitë në të cilat kanë aksione pjesëtarët e familjes së drejtorit Veselaj. Përpos tyre drejtori ka deklaruar të hyra edhe nga një biznesi “Kosova re”, në të cilën thuhet se merr pagë njëri nga fëmijët e tij.

Dallime në pasuri me një vit më parë nuk pati menaxheri Ukshin Rrecaj. Pasuria e tij vlerësohet të jetë 358 mijë euro.

Ai ka në pronësi tri banese, shtatë hektarë tokë dhe dy vetura.

Të njëjtën pasuri e kishte deklaruar edhe një vit më parë mirëpo emrin e biznesit në të cilën i punon njëri nga fëmijët nuk e ka bëre të ditur.

Dallime në pasuri nuk pati as ndihmësdrejtoresha Diamanta Skenderi.

Pasuria e Skenderit llogaritet të jetë rreth 330 mijë euro, ku përfshihen tri apartamente, një shtëpi dhe një veturë.

Vlerë të njëjtë të pasurisë kishte deklaruar edhe një vit më parë, dallimi i vetëm është borxhi të cilin e ka zbritur nga 25 mijë në 17 mijë euro.

Përpos pasurisë, ndihmësdrejtoresha ka deklaruar edhe lidhje me biznes. Bashkëshorti I saj është ligjërues në kolegjin UBT.

As në pasurinë e drejtorit Sami Salihu nuk ka ndonjë dallim të madh me pasurinë e deklaruar një vit më parë.

Pasuria prej 92 mijë euro mbetet e njëjtë si në vitin 2019 ashtu edhe në vitin 2020.

Drejtori Salihu ka në pronësi një banesë, një truall, një garazh dhe një veturë “Golf 6”.

Përpos pasurisë, në deklarimin e tij vërehet edhe lidhja me biznesin “Lulzim Rexhepi B.I.”, në të cilin punon bashkëshortja e tij.

Për dallim nga të tjerët, drejtori Nikson Mirdita i ka vlerësuar me zero euro 8 hektarë tokë, shtëpinë dhe objektet e tjera të tij.

Mirdita të vetmen pasuri që ka vlerësuar janë vetura dhe mjetet bujqësore, të cilat sipas tij kanë vlerë 12.500 euro.

Ai po ashtu ka deklaruar se ka 14.600 euro para të gatshme ndërsa nuk ka deklaruar ndonjë lidhje me biznes.

Për dallim nga të tjerët që patën rënie në pasuri, drejtori Besim Ahmetaj deklaroi se është për 50 mijë euro më i pasur se një vit më parë.

Në vitin 2019 pasurinë e tij e kishte vlerësuar me 268 mijë euro ndërsa në vitin 2020 të njëjtën pasuri e ka vlerësuar me 318 mijë euro.

Ai ka në pronësi një shtëpi, dy toka bujqësore dhe një veturë.

Drejtori Ahmetaj nuk ka deklaruar ndonjë lidhje me biznes.

Burim Troni është njëri nga menaxherët më të pasur në ATK.

Pasuria e tij vlerësohet të jetë mbi 1.8 milion euro dhe në të përfshihen gjashtë toka, një shtëpi, një lokal, një banesë dhe dy biznese.

Bizneset janë të deklaruara se janë në emër të prindit të tij.
Troni nuk ka deklaruar ndonjë ndryshim të madh me deklarimin e pasurisë të cilin e kishte bërë një vit me parë.

Lidhjet e tij janë dy bizneset në pronësi të prindit të tij NLB dhe Cement Plus.

Pasuri milionëshe ka edhe shefi i Inteligjencës dhe Hetimeve në ATK, Jeton Dragusha.

Pasuria e Dragushës vlerësohet të jetë 1.4 milion euro, ku përfshihen 120 ari tokë, një shtëpi, një truall dhe depo si dhe një veturë “Audi Q3” në vlerë 17 mijë euro.

Pasuria në vitin 2019 vlerësohej 1.142.400 euro ndërsa në vitin 2020 pasurisë së tij i janë shtuar vetëm 1 mijë euro.

Dragusha nuk ka deklaruar ndonjë lidhje me biznese.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi për deklarimet e pasurisë së udhëheqësve më të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës.

Ndërsa gjatë vitit 2019 KALLXO.com për herë të parë kishte sjellë lidhjet e bizneseve me zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës.