Dosja e Prokurorisë: Si arriti punonjësi i bankës në Podujevë të përvetësoi mbi 270 mijë euro

Bujar Maliqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në fjalën përfundimtare të dhënë sot ka kërkuar dënim minimal.

Sipas Prokurorisë, Maliqi, në cilësinë e zyrtarit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), kishte përvetësuar para në këtë bankë.

Ndërsa babai i tij, Xhemajl Maliqi, i cili po akuzohet se i kishte ndihmuar djalit të tij për t’i fshehur paratë, ka kërkuar të lirohet nga akuza.

Deklarimet dy të akuzuarit i dhanë në seancën e sotme përmes mbrojtësve të tyre në fjalën përfundimtare.

Gjithashtu i akuzuari Bujar Maliqi gjatë shqyrtimit gjyqësor e kishte pranuar fajësinë.

Prokurorja Ferdane Sylejmani në fjalën përfundimtare ka kërkuar që dy të akuzuarit të shpallën fajtorë  si dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe të obligohet i akuzuari Bujar Maliqi që të dëmtuarës Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) t’ia kthejë shumën e të hollave të përvetësuara.

Fjalën përfundimtare të prokurores Ferdane Sylejmani e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i BKT – së, Ardit Ramadani, i cili Gjykatës ia dorëzoi  fjalën e tij përfundimtare me shkrim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Maliqi, avokati Besnik Berisha në fjalën përfundimtare kërkoi dënim sa më të lehtë që sipas tij, pesë vite ishin duke u përballuar me këtë proces gjyqësor, dhe se gjendja e keqe shëndetësore e të akuzuarit Bujar Maliqi si dhe pranimi i fajësisë shpien në një dënim minimal.

Ai theksoi se nuk pajtohet se BKT-ja ishte e dëmtuar materialisht në shumën e përcaktuar në aktakuzë, ngase sipas tij, kur një institucion financiar pëson humbje, dëmi i shkaktuar kompensohet deri në centin e fundit nga Kompania e Sigurimeve.

Ai nga Gjykata ka kërkuar që Bujar Maliqit të mos i shqiptohet dënim më i lartë se sa koha e kaluar prej 29 muaj nën masën e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak.

Ndërsa i akuzuari Bujar Maliqi në fjalën përfundimtare theksoi se nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat dhe se sot është penduar thellësisht.

“Nuk kam qenë i vetëdijshëm për pasojat, sot jam penduar thellësisht, kërkoj nga Gjykata që të më jepet mundësi që në mënyrë sa më të shpejtë të shërohem dhe si qëllim të dytë ta kem edhe kompensimin e dëmit që kam shkaktuar në këtë rast”, tha i akuzuari Bujar Maliqi.

Ndërkaq, sipas mbrojtësit të të akuzuarit Xhemajl Maliqi, avokatit Sevdali Zejnullahu, pas administrimit të provave nuk ishte konfirmuar pretendimi i Prokurorisë se i akuzuari Xhemajl Maliqi ishte kryes i veprës penale si në aktakuzë.

“Para vetes keni një person të ndershëm dhe familjar, i moshës 63 vjeçar, me një të kaluar të pastër prandaj është e padrejtë njollosja e tij për diçka që nuk e ka bërë ”, ka thënë avokati Zejnullahu.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 22 shkurt.

Në seancën  gjyqësore të 10 majit 2018, Bujar Maliqi e kishte pranuar fajësinë, ndërsa i akuzuari Xhemajl Maliqi ishte deklaruar i pafajshëm për fshehje të provave, parave dhe pajisjeve të kamerave, të cilat i pandehuri Bujar Maliqi, po akuzohet se i kishte përvetësuar.

Prokuroria për të akuzuarin Bujar Maliqi, e kishte bërë precizimin e aktakuzës, duke hequr veprën penale vjedhje e rëndë dhe duke akuzuar të njëjtin vetëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar .

Pas këtij ricilësimi  i akuzuari Bujar Maliqi e kishte pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ndryshuar nga prokurorja Ferdane  Sylejmani, Bujar Maliqi akuzohet se me 10 janar 2014, në cilësinë e personit zyrtar në Bankën Kombëtare Tregetare (BKT), kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim që t’i sjell vetit dobi pasurore, kishte përvetësuar para në vlerë prej 284,995.70 euro, 13,827 dollarë, 12,180 franga zvicerane dhe 5,510 funte britanike.

Sipas Prokurorisë, Xhemajl Maliqi, akuzohet për fshehje të provave, parave dhe drajverin me pajisje të të cilat i pandehuri Bujar Maliqi, akuzohet se i kishte  përvesuar në mënyrë të kundërligjshme në BKT.