Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Dështon seanca e gjykimit ndaj zyrtarve të 'Lesna' në Mitrovicë

 

Mungesa e dëshmitarëve ka bërë që seanca ndaj dy zyrtarërve të intitucionit jo- bankar ‘Lesna’, të shtyhet.

Seanca e gjykimit e paraparë të mbahej dje në gjykatën e Mitrovicës ndaj të akuzuarve Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani ka dështuar

Arsyeja e mosmbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e dy dëshmitarëve Avdullah Ferizi dhe Mujë Preteni, dëshmia e të cilëve  ishte palnifikuar të dëgjohej në këtë seancë.

Këtë ua ka thënë edhe gjyqtari i rastit Beqir Halili  para palëve prezente  në gjykatë.

Lidhur me mungesën e dëshmitarëve Ferizi dhe Preteni, gjyqtari Halili tha se nga Stacioni Policor në Mitrovicë, ishte njoftuar se dëshmitari Avdullah Ferizi gjendet në Shqipëri, ndërsa për dëshmitarin Mujë Preteni gjykata është njoftuar se ky i fundit gjendet në Norvegji, për të njëjtit do të lëshohet edhe një herë urdhëresë.

Ndryshe, Avdullah Ferizi kishte pranuar akuzën për mashtrim, ndërsa më 27 shkurt 2018 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me dy vjet burgim dhe ishte obliguar që në vlerë prej 43.500 euro të kompensojë katërmbëdhjetë të dëmtuarit, të cilët sipas Prokurorisë kanë rënë pre e mashtrimit gjatë vitit 2011, derisa i akuzuari ka ushtruar detyrën e menaxherit të fermës së bagëtive.

Kurse Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ardian Jonuzin dhe Berat Hasanin se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jobankar “Lesna”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredimarrësve, me ç‘rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Ardian Jonuzi ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredimarrësve.

Kurse Berat Hasani akuzohet se në emër të kredimarrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.

Seanca e radhës për këtë rast, është caktuar të mbahet më 26 nëntor.