Debati i Kryeministrit të ‘Sporteve të Rënda’

Kryeministri Ramush Haradinaj befasoi shumë njerëz kur zbriti shkallët e ndërtesës së qeverisë sot për t’i takuar familjarët e të dënuarve në Grupin e Kumanovës.

Por kur doli aty, ai u përball me disa persona të pakënaqur me punën e institucioneve me të cilët hyri në polemika.

Përderisa njëri nga protestuesit në brendi të turmës po fliste derisa Haradinaj bisedonte me protestuesit, ky i fundit iu drejtua atij: “ Kqyre ti që po bërtet aty, mshele pak, a ndëgjove? Kushdo që po bërtet atje, le ta mbyll. Mos më kallxoni çka me bo”.

E kur iu bë pyetja ‘a janë këto sportet e rënda?’, kryeministri Haradinaj u përgjigj: “Qysh the?. A bon me ta pa fyrën me kqyr çfarë je për më ta kthy përgjigjen. Sa vjet i ki. 50 i kam unë, e sa vjet i ki ti? Nëse je i sporteve të rënda puna e mbarë se kërkush se ka ndal kërkon”, tha Haradinaj.

Pas këtyre ‘përplasjeve fjalësh”, kryeministri Haradinaj, kërkoi nga familjarët, që të takohen me të për t’i biseduar problemet e tyre.

Sot, para sheshit “Zahir Pajaziti”, u mblodhën shumë protestues në shenjë pakënaqësie për dënimin e ‘Grupit Kumanova’.