Premtimi i Rudarit për kohën e funksionalizimit të semaforëve në Podujevë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili ka qenë nënkryetar i Komunës së Podujevës dhe ushtrues detyre i kryetarit pas dorëheqjes së Agim Veliut ka treguar se kur do të përfundojnë punët për funksionalizimin e semaforëve në Podujevë.

Rudari ka thënë se të gjitha punët për funksionalizimin e semaforëve do të kryhen brenda dy javëve.

“Si duket kundër-kandidatët janë dashuruar te semaforët. Semaforët janë bërë se është rruga e ngushtë, përndryshe ish bërë një rreth. Kompania nuk i ka kryer të gjithë punët, janë testuar. Për dy javë do të përfundojnë të gjitha punët”, ka premtuar Rudari.

Debati i sontëm në Podujevë me kandidatët për kryetar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme po mbahet pa publik.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës pak para fillimit të debatit mori vendim që aktivitetet publike dhe jo publike të mbahen të mbyllura pa praninë e publikut.

Sonte në “Debat Pernime” janë prezent tre kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës po mbahen për shkak të ndërrimit të pozitës së kryetarit të kaluar Agim Veliu.

I njëjti në qeverinë e re është pozicionuar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës mbahen ditën e diel më saktë më 15 mars.