Mungesa e ndriçimit në rrugët e Vushtrrisë, shkak mos-definimi i përgjegjësisë mes Komunës dhe Ministrisë

Në Komunën e Vushtrrisë, përgjatë magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, nata është krejt e errët për shkak se tash e një kohë nuk ka ndriçim publik.

Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike thonë se rruga në fjalë është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, pasi që pjesa ku mungon ndriçimi publik nuk ka pranim teknik nga kjo ministri.

“Rruga nga hyrja e qytetit deri në përfundim është ende pa pranim teknik. Ne si komunë në disa takime me ministrinë i kemi adresuar shqetësimet tona lidhur me mosfunksionimin e semaforëve dhe ndriçimit publik. Përderisa rruga në fjalë ende është në këtë gjendje, neve si komunë na e pamundëson ndërhyrjen qoftë në semaforë, ndriçimin publik apo pozicione tjera ku paraqitet nevoja” – ka thënë për KALLXO.com drejtori i Shërbimeve Pubike, Benjamin Shala.

E nga Ministria e Infrastrukturës thonë se pranimi teknik i kësaj rruge është bërë qysh në mesin e vitit 2021.

Sipas tyre ky segment i rrugës është paraparë të kalojë në menaxhim të Komunës së Vushtrrisë duke u konsideruar si rrugë lokale e qytetit .

“Në këtë segment të rrugës është i vendosur ndriçimi publik i cili me rastin e pranimit teknik të rrugës është testuar dhe është lëshuar në funksion. Ndriçimi publik aktualisht nuk është në funksion për shkak të mos definimit të përgjegjësisë se a do të merr në mirëmbajtje Komuna e Vushtrrisë apo Ministria dhe kush do t’i kryej pagesat për shpenzimet e energjisë elektrike. Besojmë se së shpejti do të rregullohet kjo çështje”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Mungesa e ndriçimit po paraqet problem edhe për qytetarët të cilët frekuentojnë këto rrugë.

“Është problemi që s’ka ndriçim…Ndalet, dy jave, tre, nuk po dimë çka është problemi” – thotë Muharrem Mehmeti, qytetar i kësaj komune.

Ndërsa Leonis Mehmeti, po ashtu nga Vushtrria thotë se kjo gjendje është si pasojë e dëmtimeve të shtyllave elektrike përgjatë magjistrales, e për të cilat komuna nuk është duke i rregulluar.

“I kanë ndreq njëherë, kanë lëshu, mandej i rrokshin me kerre apo me kamionë dhe nuk vijke më askush me i rregullu, kurrë nuk i kanë lëshu hiq” – ka thënë ai.

“Shumë, shumë është rrezik, shumë është rrugë e tmerrshme” – thotë Alketa Alushaj, një qytetare tjetër.

Sadik Halili nga Vushtrria ka shprehur pakënaqësinë e tij edhe për mungesën e semaforëve në këtë komunë, ku edhe pas vendosjes së tyre, nuk janë duke funksionuar.

“Këtu semaforët janë, por nuk funksionojnë” – ka thënë ai.

Sipas këtyre qytetarëve probleme me ndriçimin publik, nuk ka vetëm përgjatë magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, një situatë e tillë është e pranishme tash e disa muaj edhe në lagje të ndryshme të Komunës së Vushtrrisë, konkretisht në rrugët “Azem Bejta” dhe “Azem Galica”.

Për këtë Drejtori i Shërbimeve Publike, Benjamin Shala thotë se ka vazhdimisht dëmtime të kësaj natyre.

“Marrëveshjen që e kemi me Ndërmarrjen Publike “Përparimi” e bëjmë sanimin e defekteve të paraqitura në terren, shumë shpejt do të bëhet edhe riparimi i ndriçimit në lagjet e cekura” – ka thënë Shala për KALLXO.com.

Sipas të dhënave të policisë në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, segmentin rrugor zona në Vushtrri, në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 50 aksidente me lëndime dhe 61 aksidente me dëme materiale, ndërsa për tetë-mujorin e këtij viti, për këtë pjesë të rrugës janë 37 aksidente me lëndime ndërsa 39 të tjera me dëme materiale.