Foto: BBC

Britanikes në ISIS mund t'i revokohet shtetësia britanike

Shamima Begum, e cila udhëtoi nga Britania në moshën 15 vjeçare drejt Sirisë që t’i bashkohet Shtetit Islamik (ISIS), mund të mbetet pa shtetësi.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Brendshme britanike, e cila ka njoftuar familjen e saj për mundësinë që Begumit t’ia revokojë shtetësinë.

Shamima, e cila u largua nga shtëpia e saj në moshën 15 vjeçare, ka kërkuar nga Britania që t’i lejohet kthimi në shtëpi.

Por zyrtarë të Qeverisë britanike thonë se do të bëjnë gjithçka që ta ndalojnë kthimin e saj, raporton The Guardian.

Të martën, Tasnime Akunjee, avokate e familjes, tha se të afërmit e Begum ishin shumë të zhgënjyer me synimin e Ministrisë së Brendshme për të pasur një urdhër që ia privon Shamimës shtetësinë e saj.

“Ne jemi duke shqyrtuar të gjitha rrugët ligjore për të sfiduar këtë vendim”, ka thënë familja.

Aktualisht Shamima është duke qëndruar në një kamp refugjatësh në Siri, ku edhe ka lindur një djalë këtë fundjavë.