Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Blerim Reka notë proteste Konsullit të Nderit të Shqipërisë Imer Selmani

Kandidati për President në Maqedoninë Veriore, Blerim Reka ka reaguar për pjesëmarrjen e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, Imer Selmani. në konventën e kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovskit.

Reka e quajti pjesëmarrjen e Konsullit si përcaktim politik të tij.

“Keqpërdorimi politik i pozitës së Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë, për interesa personale, nuk i bën nder as Republikës së Shqipërisë, as Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe as qytetarëve të këtij vendi”, thuhet në reagimin e kandidatit për President të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka.

Tutje, në reagim thuhet se do të kërkohet që të shkarkohet Konsulli me seli në Manastir.

“Për shkeljen në fjalë, kandidati i pavarur, prof. Blerim Reka, do të kërkojë takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, z. Fatos Reka, kurse nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë do të kërkojë shkarkimin e Imer Selmanit nga pozita e Konsullit të Nderit”, thuhet në njoftimin e postuar në faqen zyrtare të Rekës në “Facebook”.

Ndryshe, Blerim Reka është kandidati i vetëm shqiptar që ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar shteti në Maqedoninë e Veriut.