Ish-ministri Reka: Dekada e dialogut asimetrik të Brukselit

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës, Blerim Reka, në 10 vjetorin e nisjes së dialogut Kosovë-Serbi, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mungesë neutraliteti në këtë proces.

Reka ka deklaruar se dialogu nuk e ka realizuar qëllimin për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dekada e dialogut asimetrik të Brukselit. Sot dhjetë vjet filloi Dialogu i Brukselit. Ai nuk e realizoi qëllimin e tij: “normalizimin” e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse formalisht e quante veten neutral midis palëve negociuese, BE-ja ishte neutrale vetëm ndaj statusit të njërës palë. Kjo e devijoi procesin e bisedimeve, në negociata asimetrike me trajtim të pabarabartë të palëve. Serbia qe trajtuar si shtet, e Kosova si ‘entitet me fusnotë’”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Rekës, dialogu mund të vazhdojë vetëm, midis dy shteteve sovrane, në kufijtë ekzistues, e me njohje bilaterale.

Më 8 mars të vitit 2011 ka nisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Blerim Rekës, në Facebook:

Dekada e dialogut asimetrik të Brukselit

Sot dhjetë vjet filloi Dialogu i Brukselit. Ai nuk e realizoi qëllimin e tij: “normalizimin” e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse formalisht e quante veten neutral midis palëve negociuese, BE-ja ishte neutrale vetëm ndaj statusit të njerës palë. Kjo e devijoi procesin e bisedimeve, në negociata asimetrike me trajtim të pabarabartë të palëve. Serbia qe trajtuar si shtet, e Kosova si “entitet me fusnotë”.

Nuk kishte rëndësi se 2 ndërmjetësueset e mëparshme vinin nga shtetet që e kishin njohur Republikën e Kosovës, e ky i treti nga shteti mosnjohës. “Doktrina e neutralitetit”, u linte shteteve anëtare nëse do e njihnin pavarësinë e Kosovës, e kjo e betonoi pozitën e 5 shteteve mosnjohëse. Një organizatë multilaterale si BE-ja, mbeti peng i vetove unilaterale të anëtarëve të saj.

Qasja e tillë e gabuar ndau jo vetëm shtetet anëtare por edhe institucionet e BE-së. Parlamenti Evropian kërkonte njohjen, Komisioni Evropian mbajti qëndrim asnjanës, por Këshilli Evropian mohoi njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dialogu mund të vazhdojë vetëm, midis dy shteteve sovrane, në kufijtë ekzistues, e me njohje bilaterale.