Protestohet në kundërshtim të ‘Open Balkan’ para ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë

Disa aktivistë të Lëvizjes për Demokraci kanë mbajtur një organizim simbolik protestues para Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, për ta kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për marrëveshjen rajonale ‘Ballkani i Hapur’, e njëkohësisht edhe marrëdhëniet e tij me krerët serbë.

Para ambasadës, aktivistët shpalosën një pano me fotografi të ndryshme që përfshinin kryeministrin Rama duke shtrënguar duart me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuqiç; Vuqiçin duke qëndruar pranë ish-politikanit Sllobodan Millosheviç, dhe fotografi nga gjenocidi serb mbi popullatën shqiptare në Kosovë.

Mexhid Ramusa nga Lëvizja për Demokraci u shpreh se përmes këtij aksioni simbolik, ata po shprehin pakënaqësinë ndaj ngjarjeve të fundit, e sidomos ndaj veprimeve të Edi Ramës.

“Kemi shprehë pakënaqësitë tona ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për lidhjet e tij me Vuqiçin, kriminelin serb, i cili ka bërë masakra në Kosovë dhe ia kemi prezantuar të gjitha faktet për lidhjet e tij me Millosheviqin, duke e kundërshtuar edhe nismën e tij për “Minishengenin Ballkanik”’, u shpreh aktivisti.

Shkrimi në panon e shpalosur nga organizata në protestën e sotme, e cilëson Edi Ramën, si Esat Pasha. Në të shkruante:

“Edi “Esat” Rama ne nuk e kemi harruar se çfarë gjenocidi ka kryer Serbia mbi popullatën civile në Kosovë në krye me Millosheviçin dhe ministrin e tij Vuçiqin! E ardhmja e shtetit tone është nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo nga ajo që pretendoni ju “Jugosllavia e Re”’. Po ta rikujtojmë kush është bashkëpunëtori juaj Vuçiq dhe çfarë krimi ka kryer mbi popullatën civile në Kosovë!”.

Shpalosja e panos nga protestuesit para Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Policia e Kosovës para Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë. Foto: Kallxo.com