Luljeta Aliu

Beteja e Luljeta Aliut për ta fituar pasurinë e fituar gjatë jetës bashkëshortore

Problemeve në çështjet e trashëgimisë nuk po iu shihet fundi. Ka më shumë se dy vjet që kur ka nisur plotësim ndryshimi i Ligjit për Trashëgiminë dhe tani kur kjo çështje ka arritur në fund, shumë prej rekomandimeve të dhëna nga shoqëria civile nuk janë përfillur fare nga ana e sponsorisuesit të këtij ligji, Ministria e Drejtësisë.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, problem tjetër i grave është edhe ndarja e pasurisë së fituar gjatë jetës bashkëshortore.

Luljeta Aliu është një nënë e cila është ndarë nga bashkëshorti dhe tani ndodhet në procedura të ndarjes së pasurisë, të cilën e kanë fituar gjatë jetës bashkëshortore me tani ish burrin e saj Bekim Krasniqi.

Ajo thotë se asnjë pronë nuk e gëzon në emrin e saj. Sipas saj edhe shtëpinë e kanë në kontest, pasi e njëjta është në emrin e vjehrrit.

“Shtëpia është ndërtuar në vitin 2008-të, ne në 2004-ën jemi martuar. I kam edhe faturat të cilat na i ka dërguar arkitekti në emër të të dyve, ne emrin im dhe të ish burrit. Ku ai (arkitekti) na drejtohet na faturon neve, gjithë bisedën që e kemi pas për planin të cilin e kam bërë unë bashkë me arkitektin. Do me thënë të gjitha provat janë, por gabimi te unë ka qenë se kam pasur mirëbesim, se kam qenë shumë e dashuruar, ka qenë baba i fëmijëve të mi. Edhe tek në vitin 2011, tri vite me vonë unë e kam vërejtur që shtëpia nuk është në emër të përbashkët”, ka deklaruar Luljeta Aliu.

Ajo thotë se tani është duke u përballur me procedura gjyqësore pasi që është paditur nga ish vjehrri për ta liruar shtëpinë.

“Shtëpia është regjistruar në emrin e vjehrrit dhe këtë e kam kuptuar vetëm në vitin 2011-të. Dhe tash kur kam kërkuar masën e sigurisë që të mos më largojnë prej shtëpisë, atëherë më është thënë që është në emër të babit të vet. Ajo vazhdon me qenë në mërin e babait të ish bashkëshortit tim. Dhe vjehrri më ka padit që unë ta liroj atë paluajtshmëri. Por është shumë absurde se në atë shtëpi nuk ka jetuar askush tjetër përpos neve me dy vajzat”, ka deklaruar Aliu.

Ish bashkëshorti i Luljeta Aliut, Bekim Krasniqi siç tregoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën për ta intervistuar.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, për më shumë se 14 vjet, prona e lënë nga trashëgimlënësit në Kosovë është trashëguar në përputhje me një ligj që ishte nxjerrë në kohën e UNMIK-ut.

Ky ligj që vazhdon të jetë ende në zbatim, ndërsa edhe si rezultat i këtij ligji, në Kosovë vetëm 16 % e pronave të paluajtshme të regjistruara janë në emër të grave dhe vajzave.

Edhe pas kaq vitesh pritjeje nëpër gjykata rastet sikurse ai i Shyrete Berishës, që kanë pritur se me ndryshimin e ligjit për trashëgiminë do të gjejnë një zgjidhje, kjo praktikisht nuk pritet të ndodh.

E gjithë kjo pasi rekomandimet e dhëna nga BIRN dhe Internews Kosova përkitazi me nenin e 13 të ligjit për trashëgiminë nuk janë draftuar fare nga ana e Ministrisë dhe si të tilla as nga ana e Komisionit për legjislacion nuk është ndryshuar ky nen.

Emisionin “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: