Foto: EU NEAR/Twitter

BE: Djegia e mandateve pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe komisioneri Hahn kritikuan vendimin për djegien e mandateve parlamentare si kundërproduktiv dhe kërkuan diskutime mes qeverisë dhe opozitës për kapërcimin e situatës.    

 

Përfaqësuesit e Bashkimit Europian u bënë thirrje liderëve të opozitës në Shqipëri që të shmangin retorikën që nxit dhunë gjatë protestës së të enjtes, ndërkohë që e cilësuan vendimin për djegien e mandateve si pengesë serioze për funksionimin e demokracisë në vend.

Përmes një deklarate të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn thanë se mbështesin të drejtën e qytetarëve për t’u përfshirë në protesta paqësore, ndërsa denoncuan me forcë çdo retorikë që nxit dhunë nga liderët politikë.

Ata kritikuan gjithashtu vendimin e opozitës për djegien e mandateve parlamentare dhe kërkuan diskutime mes qeverisë dhe opozitës për kapërcimin e situatës.

“..Vendimi i opozitës për lënien e mandateve të tyre pengon në mënyrë serioze funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet e rëndësishme duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, jo të bojkotohen,” thuhet në deklaratën e Mogherinit dhe Hahn.

“Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian,” shtohet në deklaratë.

Brukseli u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të shërbejnë në parlament dhe të marrin çdo masë të nevojshme për shmangjen e akteve të dhunës dhe deklaratave nxitëse.

“Ne presim njësoj si nga Qeveria ashtu edhe nga opozita që të përfshihen në diskutime konstruktive me qëllim kapërcimin e situatës aktuale politike në dobi të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj,” përfundon deklarata.

21 Shkurt 2019 - 12:05

BIRN 21/02/2019 - 12:05
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend