KPMM-ja i konfiskon mjetet nga bizneset, por nuk e bën rikultivimin e tokës

Rikultivimi i zonave ku janë shfrytëzuar mineralet, sipas Auditorit nuk bëhet si duhet dhe mbetet sfidë për KPMM-në si në aspektin e sigurisë dhe ndikimit në ambient.

“Kemi analizuar 18 mostra për vitet 2018 dhe 2019 për të vlerësuar rikultivimin e zonave ku janë shfrytëzuar mineralet ndërtimore dhe kemi vërejtur se KPMM-ja nuk po bënë mjaftueshëm për të mbajtur përgjegjës OE-të që të rikultivojnë këto zona”, thuhet në raportin e Përformancës së bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit për “Procesin e licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”.

Auditori ka gjetur shumë shkelje që janë bërë sa i përket rikultivitimit të rivitalizimit të vendit ku shfrytëzohen mineralet ndërtimore dhe industriale pas përfundimit të projektit. “Në procesin e aplikimit për leje të shfrytëzimit nga OE-të, KPMM-ja duhet të sigurohet që para dhënies së Licencës apo Lejes, OE-të përmbushin kriterin për paraqitjen e projektit për rikultivimin dhe rivitalizimin e vendit ku shfrytëzon mineralet ndërtimore dhe industriale pas përfundimit të projektit. Tre (3) muaj para skadimit të licencës dhe lejes, OE-të duhet të fillojnë rikultivimin apo rehabilitimin e zonë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Madje në nëntë (9) raste, Auditori ka gjetur se bizneseve u janë vazhduar licencat nga KPMM-ja pa zbatuar planin e rikultivimit/rehabilitimit të zonës.

Shumë prej zonave në të cilat bizneset kanë operuar dhe më pas janë braktisura janë kthyer në vende të rrezikshme.

“Sipas raporteve të inspektoratit si dhe nga vëzhgimet tona në terren35 kemi identifikuar se këto zona paraqesin rrezik për njerëzit dhe kafshët pasi shumica nga to nuk janë të rrethuara, ndërsa edhe ato që janë të rrethuara nuk plotësojnë standardet e sigurisë. Ka zona të mbushura me ujë të shndërruar në (liqene artificiale). Për më shumë, shkallët në gurore nuk janë sipas lartësisë së lejuar”, thuhet në raportin e Auditorit duke shtuar se shumë prej këtyre zonave nuk rrethuar apo nuk është bërë sigurimi i punishtes.

Në shumicën e rasteve, KPMM-ja konfiskon sigurimin bankar nga OE-të të cilët nuk bëjnë rikultivimin apo rivitalizmin e zonës pas përfundimit të licencës. Sigurimi bankar ka për qëllim depozitimin e një shume të caktuar të mjeteve nga OE-ja i cili shfrytëzon mineralet dhe të cilat mund të konfiskohen nga KPMM-ja nëse OE dështon në rikultivimin e zonës.

Por, KPMM-ja nuk arrin të bëjë rikultivitimin e asnjë zone deri më tani.

“KPMM-ja me mjetet e mbledhura nga OE-të të cilët kanë përfunduar aktivitetin e tyre minerar nuk ka arritur që të bëjë vet rikultivimin e zonave. Kjo për arsye se nuk kanë një rregullore apo udhëzues se si të realizohet kjo dhe për pasojë deri në fazën e auditimit asnjë rikultivim/rehabilitim nuk është realizuar nga KPMM-ja. Këto zona paraqesin rrezik për njerëzit dhe kafshët dhe shkaktojnë degradim të mjedisit dhe të florës e faunës në përgjithësi”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Zyra kombëtare e Auditimit ka treguar se për katër vjet, 2016-2019, Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale ka dorëzuar në prokurori 255 kallëzime penale për zhvillimin e aktiviteteve minerare pa licenca apo leje.

Përvec tyre Inspektorati i KPMM-së ka lëshuar edhe 198 aktvendimet për gjoba administrative të shqiptuara nga Inspektorati i KPMM-së gjatë viteve 2016-2019 për zhvillimin e aktiviteteve minerare pa licenca apo leje.

“Përgjatë viteve 2016-2019, janë evidentuar 453 raste ilegale të nxjerrjes së mineraleve të gurit të fortë, rërës dhe zhavorrit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndërsa, vetëm gjatë vitit 2019, Inspektorati i KPMM-së vetëm gjatë vitit 2019 ka përcjellë 47 kallëzime penale në prokuroritë kompetente si dhe ka përgatitur 54 aktvendime për gjoba administrative lidhur me operimet jashtë kushteve të licencës së shfrytëzimit.

“Vendi ynë gjatë njëzet viteve të fundit përballet me degradim të lumenjve, kodrave dhe zonave malore nga të cilat nxirren materiale ndërtimore dhe industriale për ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të banimit. Sipas raportimeve të MEA-së, gurëthyesit radhiten ndër ndotësit e mëdhenj të natyrës. Po ashtu, problemi rëndohet edhe më tepër kur kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve nga këto vende ku nxirren minerale ndërtimore dhe industriale”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Pjesa më e madhe e operatorëve i shfrytëzojnë mineralet ndërtimore pa u pajisur me leje mjedisore. Ky konstatim është bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit që ndodh kryesisht për shkak të mos-koordinimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale.

Auditori ka shpjeguar se infrastruktura ligjore e KPMM-së mundëson dhënien e licencës dhe lejes për shfrytëzim vetëm me pëlqimin mjedisor të lëshuar nga MEA.

Por, pëlqimi mjedisor nuk do të thotë që Operatori Ekonomik pajisjet me leje mjedisore.

Auditori ka gjetur se pas dhënies së licencës, KPMM nuk i përcjellë OE-të nëse pajisen me leje mjedisore para se të fillojnë punën apo gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar. Në anën tjetër, Auditori thotë se korniza ligjore për mbrojtjen e ambientit parasheh edhe plotësimin e kriterit për leje mjedisore para fillimit të aktivitetit minerar mirëpo, KPMM-ja konsideron se MEA është kujdestare për zbatimin e këtij kriteri pasi ajo i lëshon lejet mjedisore.

“Si rezultat nuk ka koordinim lidhur me pajisjen e OE-ve me leje mjedisore. Kjo shfaqë mangësitë në proces pasi mungesa e lejes mjedisore tregon se OE-të nuk kanë plotësuar kriteret për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja dhe degradimi dhe nuk ofrojnë siguri gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar”, thuhet në raportin e Auditori.

Tutje konstatohet se pjesa më e madhe e bizneseve fillojnë punën para se të pajisen me leje mjedisore.

“Në këtë mënyrë kanë funksionuar shumica e OE-ve të testuar për vitet 2018 dhe 2019, me përjashtim të një rasti që kemi identifikuar se ka siguruar të gjithë dokumentacionin për fillimin e aktivitetit minerar përfshirë edhe lejen mjedisore”, thuhet në raportin e Auditorit.