Ilustrim

KPMM jep detaje për dy viktimat dhe tre punëtorë të lënduar në minierë

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), është deklaruar për rastin tragjik që ndodhi sot në minierën e Novobërdës.

KPMM ka deklaruar se dy minatorët që vdiqën nga shembja e pjesës tavanore të punishtes janë njëri i moshës 50 dhe tjetri 51 vjeçar.

Ndërsa, sipas tyre 3 punëtorët nga punishtet e tjera i kanë shpëtuar shembjes dhe kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

“Punëtorët që humbën jetën janë një xehetar dhe një inxhinier të moshës 50 dhe 51 vjeçar, ngjarja ka ndodhur me rastin e shembjes së pjesës tavanore të punishtes në të cilën ndodheshin gjatë kohës kur ishin duke kryer punën e tyre punëtorët të këtij ndërrimi, ndërsa 3 punëtorët  nga punishtet e tjera i kanë shpëtuar shembjes dhe kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në komunikatën e KPMM-së.

KPMM-ja ka deklaruar pas marrjes së informatës, ka reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarje gjendet Kryesuesi i Bordit të KPMM-së dhe tre anëtarë  të tjerë të Bordit, si dhe Kryeinspektori i KPMM-së.

Gjithashtu, në vendin e ngjarjes është prezent edhe njësia e shpëtimit dhe e ndihmës së parë, ku i është ofruar ndihma e parë punëtorëve që janë të shpëtuar, të cilët kanë pasur lëndime të lehta.

KALLXO.com raportoi sot se në vendin e ngjarjes  janë kryeministri, Albin Kurti, ministrat Xhelal Sveçla dhe Rozeta Hajdari.